Disa qindra qytetarë i janë bashkuar protestës para godinës së Kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë kundër rritjes së çmimeve.
Protestuesit kërkojnë nga Qeveria që të ndërhyjë dhe të subvencionojë qytetarët, pasi ka një rritje çmimesh zinxhir që nga rritja e karburanteve deri te produktet bazë.
Protestuesit kërkojnë hetimin e tregut dhe shteti të ndërhyjë urgjentisht duke caktuar një tavan fitimi për këto kompani që sjellin dhe tregtojnë karburante.
Një prej protestueve duke iu drejtuar të pranishmëve tha se ky Kryeministër ka çuar në luftë popullin e vet, ndërsa pasuron Qeverinë e tij.
“Ky kryeministër ndërhyn në pronat private të qytetarëve, i shemb ato, dhe sot thotë nuk ndërhyj dot në treg”, tha qytetari.
Aktori Florian Binaj duke iu drejtuar protestuesve tha se çmimet nuk ulen duke parë telenovela turke, as duke blerë klikime në instagram, as duke pirë kafe.
“Iu them të rinjve dhe të rejave që atdheu juaj nuk është intagrami, por Shqipëria, ndaj ejani këtu”, tha Binaj.
“Qeveria të lërë mënjanë propagandën dhe zgjidhet boshe të tipit që tokat të punohen me bel dhe qytetarët të ecin në këmbë, por të subvencionojë fermerët dhe çdo biznes tjetër, pasi situata po përkeqësohet”, tha një nga protestuesit.
Gjithashtu u kërkua heqja e taksave, jo TVSH. “Kryeministri thotë jemi në kohë lufte, ndërsa mbledh taksat për gjelbërimin, për biznesin e vogël dhe shumë taksa të tjera, të cilat duhet të pezullohen përkohësisht”, tha një tjetër protestues.
Protestës i janë bashkuar edhe bizneset e vogla në Tiranë, të cilët e kanë cilësuar si abuzive dhe spekulative rritjen e çmimit të karburanteve. “Qeveria të ndërhyjë te taksat e karburanteve, të ulë disa taksa dhe të ruajë stabilitetin ekonomik”, tha një prej drejtuesve të shoqatës së biznesit të vogël.