“Është Sali Berisha Ai, o budallenj”!

Nga Rexhep POLISI

Sali Berisha u rikthye! Dhe u rikthye fuqishëm! 6 marsi e vërtetoi më së miri këtë rikthim. Në fakt ai ishte rikthyer që ditën që nisi “Foltoren”, por nuk e pranonin ata që vijojnë të mbajnë peng selinë e PD! 6 marsi i nxori ata zbuluar dhe të turpëruar në sytë e demokratëve. Tani që e panë me sytë e tyre humbjen fatale thonë se, “asnjëra palë nuk ka fituar”! Madje ndonjë sylesh thotë se, “as Shkodrën nuk e kanë fituar”?!

Për të minimuzaur meritën e Berishës, ka edhe nga ata që thonë se, “Shkodra është antikomuniste dhe edhe unë po të isha kandidat do të fitoja”! Jo or, jo! Shkodra këtë radhë votoi për Berishën! Edhe Xhemal Bushati do të fitonte nëse do të kishte qënë kandidaturë e “Shtëpisë së Lirisë”. Të gjithë e pamë se pas përfundimit të numërimit të votave dhe shpalljen fitues të Bardh Spahisë për të drejtuar Bashkinë e Shkodrës, demokratët të entuziazmuar iu drejtuan selisë së PD të qytetit verior dhe thërrisnin në kor; “Basha ik”!

Por çfarë po ndodh tani pas 6 marsit? Edhe idhtarët e tij e braktisën Bashën dhe i kërkojnë dorëheqjen, por thonë; “të ikë edhe Basha edhe Berisha”(?!), a thua se Berisha ka ndonjë funksion në PD. Ndërsa disa të tjerë, thonë; “Berisha të bëjë një hap pas”! Jo, or jo! Berisha nuk bën asnjë hap pas, Berisha ecën vetëm përpara dhe me hapa galopantë! Sali Berisha është frymëzim, ngjall shpresë dhe besim. Është i vetmi që i fut frikën dhe panikun Ramës.

Deputetët e Lulit thanë dje se,”i kërkojmë dorëhqejn Bashës dhe një hap pas Berishës për të bashkuar demokratët”. Po si mund t’i bashkojnë demokratët këta deputetë kur mbi 80 përqind e anëtarëve të PD janë me Berishën! A mundet që kjo shumicë dërrmuese t’i bindet një pakice? Kurrsesi!

Në radhë të parë, këta deputetë duhet t’u kërkojnë falje demokratëve për gazin helmues që hodhën ndaj tyre më 8 janar nga brenda selisë së PD. T’u kërkojnë falje për dhunën dhe gjakosjen me shkopinj e karrige që fluturonin mbi kokat e tyre nga dritaret se zyrave. T’u kërkojnë falje për kuvendin e tyre farsë të 18 dhjetorit ku deklaronin se në një sallë me 1890 karrige votuan 5004 delegatë për të rikonfirmuar Bashën kryetar! Kështu pra, këta deputetë fillimisht t’u kërkojnë falje demokratëve me përulësi për të gjitha këto dhe pastaj të kërkojnë bashkimin.

Vetëm vota i bashkon demokratët, por deputetët e Bashës kërkojnë që Berisha të mos kandidojë për kryetar Partie(?!) A mund të bashkohen demokratët duke iu vënë kushte? A është e drejta e kujtdo që është anëtar i PD të kandidojë për kryetar Partie, atëherë pse Berisha duhet privuar nga kjo e drejtë?

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Komisioni i Rithemelimit më 11 dhjetor 2021 në stadiumin “Air Albania” e shkarkoi Bashën nga posti i kryetarit me 4446 vota pro. Ndërsa më 18 dhjetor Komisioni i Rithemelimit organizoi referendum brenda Partisë dhe 44 mijë demokratë me votën e lirë e shkarkuan Bashën si kryetar të PD, por nuk e përjashtun nga Partia, ndërsa Basha me këta deputetë e përjashtoi Berishën. Komisioni i Rithemelimit i kërkon Bashës që nëse dëshiron të rikandidojë për kryetar Partie, jo vëtm ai por kush të dojë prej tyre.

Por nëse deputetët e Bashës venë kushte që të mos kandidojë Berisha, atëhere nuk do të ketë bashkim të demokratëve, por do të vijojë kjo situatë përçarjeje dhe në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm ata që mbajnë peng siglën e PD, jo vetëm që nuk do të fitojnë asnjë bashki, por nuk do mund të marrin as 5 përqind të votave. Prandaj kjo situatë duhet zgjidhur menjëherë vetëm nëpërmjet votës së lirë. Të jeni të bindur se në të kundërt asnjë nga këta deputetë nuk do mund të marrin mandat tjetër, demokratët nuk do t’i votojnë!

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply