Ish-Kryeministri Berisha ka shkuar në Elbasan për të festuar Ditën e Verës. Berisha është pritur me entuziazëm nga qindra qytetarë që kishin dalë për ta pritur. Pasi i uroi qytetarët, Berisha dha një mesazh në veçanti edhe për protestuesit.
“Uroj qytetarët e Elbasanit se mbajtën gjallë këtë festë të mrekullueshme dhe sot Elbasani me të drejtë konsiderohet kryeqyteti i festës. Uroj mbarë shqiptarët që festa e Ditës së Verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e lulëzimit, e shpërthimit të burimeve, e çeljes së gjithçkaje të mirë.
Në këtë kontekst, uroj që për shqiptarët kjo ditë të sjellë ndërrimin e madh që ata presin me padurim, ndërrimin e narkoshtetit dhe rivendosjen e shtetit ligjor,” tha Berisha.
“Një urim të përzemërt kam për ata qindra-mijëra qytetarë shqiptarë që kanë mbushur rrugët dhe sheshet e qyteteve të vendit për të protestuar kundër një politike cinike, të pashpirt, e cila përdor si pretekst hijet e luftës në Ukrainë për të justifikuar rritjen dramatike, absolutisht të pajustifikuar të çmimeve të produkteve më jetike të qytetarëve shqiptarë.
Edhe njëherë, gëzuar këtë ditë për mbarë qytetarët e Elbasanit dhe mbarë shqiptarët”, tha Berisha.