Lionel Messi nuk po mundet assesi ta kapërdijë faktin se ka nisur të kontestohet nga tifozët e tij. Një gjë e tillë nuk i kishte ndodhur yllit argjentinas. Mediat franceze shkruajnë se shtatë herë fituesi i Topit të Artë i ka përjetuar mjaft rëndë dje vërshëllimat që ia bënë tifozët e Paris Saint-Germainit në duel me Bordeaux.
Tifozët francezë kanë mbetur të dëshpëruar me kontributin e zbehtë të ish-futbollistit të Barcelonës në këta muaj. E kulmi arriti në “Santiago Bernabeu”, ku Messi ishte vetëm një hije. Tani, kur tifozët ia kanë kthyer shpinën, Messi po e mendon largimin nga Parisi.
Për këtë sigurojnë mediat franceze dhe ato spanjolle. Sipas tyre, Leo nuk e ka gjetur asnjëherë veten në “Parkun e Princave”, ku ishte transferuar si lojtar i lirë. Andaj, në mendjen e tij është rikthimi në Barcelonë, ku e kaloi pjesën më të mirë të karrierë dhe ku fitoi gjithçka të mundshme.
Gjithashtu, në opsion i ka edhe ofertat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, ai ndien se mund të luajë ende në nivele të larta dhe ligën MLS e sheh si të ardhme të tij dikur më vonë.
Dje, mediat spanjolle shkruan se, babai i lojtarit, Jorge Messi tashmë ka biseduar me drejtuesit e Barçës për një rikthim të mundshëm të të birit të tij në “Camp Nou”.
Natyrisht, problem mund të jetë rroga stratosferike që merr Messi në Paris. Por, me një sakrificë të tij gjithçka është e mundshme. Disa dashuri, nuk përfundojnë kurrë…