Enver Bytyçi
Mediet shkruajnë se “Një gjeneral amerikan ia shuan shpresat Serbisë për një sulm ushtarak kundër Kosovës”! Dhe me këtë deklaratë shumica prej nesh besojmë se “jemi nën mbrojtjen amerikane”! Eshtë e mbrojtur Kosova se aty është NATO dhe është e mbrojtur Shqipëria e Maqedonia e Veriut, se ato janë në NATO! Sapo ministrja e Jashtme e Gjermanisë zhvilloi vizitën e saj në Kosovë shumë kush thoshte se “Jemi nën mbrojtjen e Gjermanisë”! Dikush tjetër beson se shqiptarët janë nën mbrojtjen e Britanisë së Madhe, të NATO-s e të strukturave të tjera ushtarake e politike të Perendimit!
Gjithkush ka të drejtë të ëndërrojë e të jetojë nën mbrojtjen e zanave e të Mujit e Halilit! Ne shqiptarët, por edhe ballkanasit e kemi të lehtë ta bëjnë këtë. Baladat me heronj, me luftra e përleshje kundër kuçëdrave, Gjergj Elez Alisë a me kë tjetër, kanë ndikuar që të dukemi aq euforikë, sa të besojmë se dikush tjetër do të vijë në territorin tonë e do të vdesë për lirinë tonë. Kur na mbrojnë zanat, pse të mos na mbrojë Amerika?! Kur kishim në mes vedit Mujin e Halilin, pse të mos mbështetemi te Muji europian dhe Halili amerikan?! Endërr e bukur kjo, apo jo?!
Ok! Këto përralla nga e kaluara mund të ndikojnë te mendjet e injorancës. Por mua më duket se ato janë bërë pronë edhe e politikës dhe sidomos e lidershipit shqiptar në qeverisje. Madje ato marrin një dimension më të gjerë kur politikanët shqiptarë marrin pushtetin. Në opozitë politikanët tanë janë gjithnjë “sovranistë” e me këmbë në tokë. Kur vijnë në qeveri bëhen vasalë, presin prej dikujt tjetër. Vasalë të imagjinatës sonë! Shtetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë kur vijnë në qeveri e dorëzojnë gjithçka te NATO, BE dhe aleatët. Sepse nuk kanë dëshirë të merren me punët e kombit e të shtetit! Janë të zënë me hallet e xhepit!
Ndërkohë e keqja lidhet me faktin se mbillet indiferentizmi. Vetë politika është e shkrehur dhe gjithçka e ka lëshuar në duart e NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve! Kryeministri i Shqipërisë ditë-natë përmend Aleancën Atlantike në rastin e sulmit rus kundër Ukrainës, duke u thënë shqiptarëve se “Ne jemi të mbrojtur nga NATO”! Edhe pse asokohe kur vendi u pranua në këtë aleancë, kryeministri i sotëm, atëherë në opozitë, thoshte se “Nuk na jep NATO mirëqenie e nuk na i zgjidh NATO problemet tona”, tani nuk bën asgjë për sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin e mirëqenien e qytetarëve të tij.
Por a mund të vijnë ushtarët e NATO-s të luftojnë në Shqipëri, në Kosovë, pra në territoret tona dhe ne të rrijmë në shtëpi, sikur s’ka ndodhur asgjë?! Si i kanë bërë llogaritë këta liderët tanë, të mos bëjnë asgjë për mbrojtjen dhe sigurinë, nën justifikimin se ne na mbrojnë të tjerët?! Cili prej shqiptarëve do të shkonte të luftonte e të vdiste për lirinë e integritetin territorial të një vendi tjetër, nëse populli e qeveria e atij vendi flenë dhe zgjohen nga gjumi sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Kosova ka shtuar fondet për mbrojtjen dhe sigurinë e saj në atë masë sa shpenzon Shqipëria si vend anëtar i Aleancës Atlantike. Kosova ka hapur dhe një iniciativë për grumbullimin e fondeve të saj vullnetare për mbrojtje.
Po Shqipëria?! “Na mbron NATO”, thotë Edi Rama dhe vetë ia fut një fluturim turistik deri në Dubai me paratë e taksapaguesve shqiptarë e me çarter në dispozicion! Asnjë fjalë nuk dëgjojmë nga ai, nëse duhet ose jo të rritet buxheti i mbrojtjes së vendit. Nëse ka nevojë ose jo të mobilizohen rezervistët! Nëse është e domozdoshme ose jo të blihen armë të reja moderne?! Jooooo! Qeveria shqiptare është aty thjesht për të menaxhuar ndihmat e kreditë marramendëse që merr prej të huajve. Ndërsa paratë e shqiptarëve t’i japë me PPP! Edhe Kosova ankohet gjithandej për sigurinë e saj dhe diversionin serb kundër saj. Dhe është mirë kjo. Por nuk e di pse nuk mendon për mobilizimin dhe stërvitjen e rezervistëve për t’u përgatit për luftë! Le të shpresojmë se kurrë nuk do na vijë lufta në derë të shtëpisë! Por ama nuk na lejohet të jemi në gjumë!
Nëse i pyet drejtuesit e qeverisë shqiptare, të thonë: “Nuk ka para”! Nuk ka para për mbrojtjen, nuk ka para për ndihmën sociale, nuk ka para për arsimin, nuk ka para për shëndetësinë, nuk ka para për subverncionimin e bujqësisë dhe lehtësimin e rritjes së çmimeve! Por ka para për luksin qeveritar. Ka para për oligarkët që marrin me 22 milion euro ndërtimin e një kilometri rrugë. Ka para për të paguar 30 këshilltarë për një kryetar bashkie. Ka para për paga 15 mijë eurosh në muaj për këshilltarët e kryeministrit! Ka para për 60 mijë të punësuar në fushatë elektorale në administratën e shtetit! Ka para për Bechehtin dhe sa e sa bechehtë të tjerë që fitojnë gjyqet për shkak të arrogancës së kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës! Ka para për Arben Ahmetajn e për firmat pranë qeverisë!
Nuk ka para vetëm për zhvuillim e për mirëqenie! Shkurt, Shqipëria, e në një farë mase edhe Kosova, nuk kanë mundësi financiare për të kryer dy funksionet kryesore të shtetit, atë të sigurisë e mbrojtjes dhe atë të mirëqenies dhe zhvillimit!