Kushtetuesja publikon vendimin për Presidentin: Nuk është cënuar asnjë normë…

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të martë vendimin e plotë që la në detyrë presidentin Ilir Meta dhe rrëzoi votimin e Kuvendit, ditët e fundit të legjislaturës së kaluar.

Në vendimin e marrë më 16 shkurt 2022, trupa e gjyqtarëve nuk gjeti shkelje kushtetuese nga kreu i shtetit, për deklaratat e tij para zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas vendimit, Meta do të vijojë ushtrimin e detyrës deri në përfundimin e mandatit të tij kushtetues, 24 korrik 2022.

Trupa e gjyqtarëve përbëhej nga Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtaj dhe Përparim Kalo

Në shqyrtim të kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi votimin.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të gjitha pretendimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe mazhorancës socialiste ndaj Metës për shkelje të rënda kushtetuese.

“Gjykata vlerëson se faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës. Për sa më sipër, për sa kohë që Gjykata nuk arriti në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës në drejtim të ushtrimit të funksionit si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, sipas neneve 86, pika 1 dhe 89 të Kushtetutës, e lidhur edhe me të drejtat në procesin zgjedhor, të shqyrtuara më sipër, dhe as shkelje në veprimtarinë e tij që lidhet me marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet me jashtë, pavarësinë e organeve të shtetit dhe rendin e sigurinë në vend, çmon se është i pabazuar pretendimi i Kuvendit për shkeljen e detyrimeve që burojnë nga neni 88, pika 3, i Kushtetutës si rezultat i shkaqeve të parashtruara prej tij”, thekson Kushtetuesja.

Vendimi i plotë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Përparim Kalo, anëtarë, me sekretare Blerina Basha, në datat 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 mori në shqyrtim në seancë plenare, me dyer të hapura, çështjen nr. 6 (K) 2021 të Regjistrit Themeltar, që u përket:
GJYKATA KUSHTETUESE,

pasi dëgjoi relatorin e çështjes Përparim Kalo, mori në shqyrtim pretendimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), përfaqësuesit e të cilit në përfundim të gjykimit kërkuan deklarimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë (Presidenti), zotit Ilir Meta, për shkelje të rënda të Kushtetutës, prapësimet e Presidentit, përfaqësuesit e të cilit në përfundim të gjykimit kërkuan deklarimin si të papajtueshme me Kushtetutën dhe shfuqizimin e vendimeve nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, datë 07.05.2021, nr. 54/2021 dhe nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit, konstatimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes kushtetuese të krijuar nga Kuvendi me Presidentin, si dhe deklarimin e faktit se Kuvendi nuk ka kompetencë dhe legjitimitet të kryejë veprimtari hetimore parlamentare gjatë 4 muajve të fundit të mandatit të tij, dhe diskutoi çështjen në tërësi,

VËREN:

Shkeljet që lidhen me rendin dhe sigurinë publike
Kuvendi ka pretenduar se në shumë nga daljet e veta publike Presidenti ka zgjedhur të përdorë retorikë dhune dhe ta favorizojë haptazi atë në sytë e publikut si mjet për zgjidhjen e problemeve në vend të mjeteve që ofron shteti i së drejtës. Kjo retorikë, e justifikuar sipas tij si e nevojshme për mbrojtjen e votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. Kjo shkelje provohet edhe nga reagimi i përfaqësuesve të shteteve të huaja në vend, të cilët publikisht bënë thirrje për të ndaluar gjuhën dhe thirrjet për dhunë. Në prag të datës të zgjedhjeve në Elbasan ndodhi një përplasje midis dy grupe simpatizantësh, me pasoja të rënda, dhe mënyra e veprimit të tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit.

Thirrjet për dhunë reflektohen në përdorimin e shprehjeve, të tilla si: “ngrehuni dhe bjeruni, vdekje tradhtarëve, t`i mprehin sfurqet” ose deklarimet se “struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës, pasi shteti është i kapur nga krimi” (shih paragrafët  46, 124 dhe 126 të vendimit nr. 55/2021 të Kuvendit).

Sipas Kuvendit, edhe pse Presidenti ka përkrahur nismën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e “Strukturës për mbrojtjen e votës”, kjo çështje i takon për hetim organeve kompetente. Megjithatë, ai nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm ngjarjen e rëndë të Elbasanit, por as modelin e kundërligjshëm që përfaqësonte kjo strukturë. Aktet dhe sjelljet e Presidentit kanë frymëzuar dhunë dhe ndasi sociale, nuk kanë kontribuar për uljen e konflikteve dhe pasqyrojnë gjuhë përçarjeje dhe urrejtjeje. Kjo nxitje dhune dhe ndasie shfaqet jo vetëm në deklaratat publike të Presidentit, por edhe në sjelljen e tij në situata konkrete (konflikti midis FRD-së dhe bashkisë së Tiranës), nuk ndikuan për qetësimin e situatave, përkundrazi i përshkallëzuan ato dhe përbëjnë shembuj negativë që nxisin vetëgjyqësinë.

Presidenti ka prapësuar se fushata e zgjedhjeve të përgjithshme u tensionua në nivele ekstreme për shkak të aktorëve politikë, duke kulmuar edhe me humbje jete (në qytetin e Elbasanit), sulme të armatosura (siç është rasti në qytetin e Kavajës), apo ngjarje e situata të tjera të rënda provokuese (ngjarjet në qytetin e Fierit). Deklaratat dhe denoncimet publike e shkresore të Presidentit kanë qenë plotësisht në proporcion të drejtë me situatën shumë të rëndë parazgjedhore, si dhe në funksion të parandalimit të përshkallëzimit dhe daljes jashtë kontrollit të saj. Në rastin e Fierit, të nxitur nga veprimet e paligjshme e provokuese të bashkisë dhe të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse, Presidenti u kërkoi publikisht kandidatëve të një force politike (LSI) të mos binin pre e provokimeve dhe ta tejkalonin atë situatë me urtësi. Në lidhje me termin “sfurqet”, ai është përdorur në kontekstin e një konflikti konkret të ndodhur në Fier, ku Presidenti ka qenë dëshmitar okular, dhe në këtë deklaratë “sfurqet” janë përmendur në mënyrë metaforike, si mjete pune të banorëve të zonës dhe në kontekstin e vënies në rrezik të interesit publik.

Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë, nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi në lidhje me këto fakte Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë rast Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Për sa më sipër, për sa kohë që Gjykata nuk arriti në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës në drejtim të ushtrimit të funksionit si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, sipas neneve 86, pika 1 dhe 89 të Kushtetutës, e lidhur edhe me të drejtat në procesin zgjedhor, të shqyrtuara më sipër, dhe as shkelje në veprimtarinë e tij që lidhet me marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet me jashtë, pavarësinë e organeve të shtetit dhe rendin e sigurinë në vend, çmon se është i pabazuar pretendimi i Kuvendit për shkeljen e detyrimeve që burojnë nga neni 88, pika 3, i Kushtetutës si rezultat i shkaqeve të parashtruara prej tij.

Shkelja e nenit 94 të Kushtetutës
Kuvendi ka parashtruar se është shkelur edhe neni 94 i Kushtetutës, që e ndalon Presidentin të ushtrojë kompetenca që nuk janë parashikuar për të në Kushtetutë dhe në ligj, për sa kohë që janë konstatuar shkelje që lidhen me nenin 89 të Kushtetutës, që ndalon kryerjen nga ana e tij e veprimtarive partiake dhe private gjatë ushtrimit të detyrës. Asnjë qëndrim ose akt i Presidentit, i konsideruar shkelje kushtetuese, nuk është kryer në ushtrim të ndonjë parashikimi që përcaktohet në tekstin e nenit 94 të Kushtetutës ose dispozita të tjera kushtetuese që përcaktojnë kompetencat e tij. Deklarimet, qëndrimet gjatë procesit zgjedhor, si dhe veprimet e Presidentit të konkretizuara me shkresat drejtuar Gjykatës Kushtetuese, prokurorisë, KQZ-së, etj., jo vetëm që nuk rezultojnë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta, por janë në tejkalim të tyre.

Presidenti është shprehur se ka vepruar në përputhje me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese në ushtrimin e veprimtarisë dhe se veprimet e tij kanë qenë në zbatim e respektim të plotë të Kushtetutës e ligjeve, si dhe në shërbim të interesit më të lartë publik.

Sipas nenit 94 të Kushtetutës, Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të, atribut që buron nga parimet e shtetit të së drejtës dhe atij të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Detyra e tij si përfaqësues i unitetit të popullit është të mbikëqyrë funksionimin normal të mekanizmave kushtetues, duke ndërhyrë për eliminimin e mangësive në këtë drejtim (shih vendimet nr. 26, datë 25.05.2021; nr. 10, datë 26.02.2015; nr. 64, datë 23.09.2015 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata, ashtu sikurse ka theksuar më sipër, vëren se kompetencat e Presidentit nuk janë parashikuar në një dispozitë ose kre të vetëm, por janë shpërndarë në disa krerë të Kushtetutës. Më konkretisht, hartuesit e Kushtetutës kanë zgjedhur t`i vendosin kompetencat e Presidentit në mënyrë të shprehur jo vetëm në nenin 92, por edhe në dispozita të tjera Kushtetutës, të cilat mbulojnë fusha të caktuara. Kështu, Presidenti ka kompetenca në fushën e marrëdhënieve me pushtetin ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor; në fushën e zgjedhjeve dhe të referendumeve; në fushën e të drejtave të njeriut; në fushën e mbrojtjes e të sigurisë; në fushën e arsimit e të shkencës, ekonomisë e financës; në fushën e marrëdhënieve me jashtë.

Gjykata vëren se neni 94 i Kushtetutës vendos ndalim për Presidentin për llojin e kompetencave që ai ushtron, i cili i lidhur me parimin e shtetit të së drejtës i kufizon ato në rrethin e atyre të shprehura expressis verbis në Kushtetutë, të shpërndara në një sërë dispozitash. Gjykata konstaton se pretendimi i Kuvendit për shkeljen e nenit 94 të Kushtetutës bazohet në premisën se Presidenti ka kryer aktet e tjera jo në përputhje me Kushtetutën, për shkak të mënyrës se si është sjellë dhe ka vepruar përgjatë periudhës kohore që ka qenë objekt i hetimit të komisionit hetimor (të analizuara më lart në këtë vendim).

Në rastin konkret Gjykata evidenton se shkeljet e nenit 94 të Kushtetutës nuk mund të bazohen ose të rrjedhin prej dispozitave kushtetuese që nuk kanë në objektin e tyre kompetenca konkrete të Presidentit, siç është neni 89 i Kushtetutës, që vendos ndalimin e tij të jetë anëtar partie.  Për sa kohë Gjykata nuk konstatoi shkelje nga analiza e fakteve të paraqitura nga Kuvendi si ndërhyrje të Presidentit apo ushtrim të kompetencave të ndryshme nga ato të përcaktuara në Kushtetutë, pretendimi për shkeljen e nenit 94 të saj është i pabazuar.

Për të gjitha argumentet e mësipërme, Gjykata nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, ndaj ajo do të shfuqizojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e tij nga detyra. 

 

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 90, pika 2, dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe neneve 63, pika 2, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

V E N D O S I:

– Shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë, dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 16.02.2022
Shpallur më 15.03.2022

Vendimi i plotë

About Redaksia

Check Also

Dosja-Rama, krimi, vjedhjet dhe korrupsioni që do të trondisë BE, çfarë përmban

Pyetje: Në 22 dhe 23 tetor të gjithë deputetët e PD do të shkojnë në Strasburg …

Leave a Reply