Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim Kryetarin Nacional të Republikanëve të Rinj të Shteteve të Bashkuara, Rick Loughery dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij takimi është bërë edhe ceremonia e dorëzimit të flamurit valëvitës amerikan shoqërues në Kapitol Hill.
Reagimi i Presidentit Ilir Meta
‘Kënaqësi e posaçme të takoja Kryetarin Nacional të Republikanëve të Rinj të Shteteve të Bashkuara, Rick Loughery dhe bashkëpunëtorët e tij.
I nderuar të më dorëzonte, me propozim të Kongresmenit, Ron Estes, flamurin amerikan shoqërues valëvitës mbi Kapitol.
Më njohën me nismën për forcimin e bashkëpunimit të ‘Republikanëve’ të rinj me FRPD, një kontribut i çmuar për marrëdhëniet e gjithanshme midis dy vendeve tona dhe i lumtur të dëgjoja nga Loughery se do të rikthehen së shpejti në Tiranë për projekte të reja bashkëpunimi.
Një brez i ri politikanësh dinamikë dhe bartës të vlerave më të mira të demokracisë amerikane, janë një garanci më shumë dhe afatgjatë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Përfshirja më e gjerë dhe aktive e të rinjve në politikë, domosdoshmëri për ndryshime të shpejta dhe premtuese’.