Euro mbush 20 vjeç

Étienne Perrot S.I.

Më 1 janar 2002, 20 vite më par, bankënotat dhe monedhat e quajtura euro, që në gjuhën e ekonomistëve janë quajtur «euro fiduçare», viheshin në dispozicion të publikut në 12 shtete anëtare të Bashkimit Europian. 7 bankënota (5 €; 10 €; 20 €; 50 €; 100 €; 200 €; 500 €) dhe 9 monedha (0,01 €; 0,02 €; 0,05 €; 0,1 €; 0,2 €; 0,5 €; 1 €; 2 €) mund të shikoheshin, prekeshin, «menaxhoheshin» nga konsumatorë, tregëtarë dhe bankierë. Efektivisht, euroka e sotme ekzistonte prej 3 vitesh, saktësisht qysh nga 1 janari 1999. Për 2 vite – nga 1999 më 2001 – kishte qarkulluar në formën e monedhave kombëtare (frangës franceze, markës gjermane, liretës italiane etj.). Funksioni simbolik i saj zhdukej atëhere prapa funksionit financiar të saj. Euroja e kishte kursin ligjor, blihej dhe shitej në tregun e ndryshimeve kundër jenit japonez, renminbit kinez, koronës suedeze, stërlinës britanike, dollarit etj. Por nga 1 janari 1999 deri në 1 janarin 2002 shfaqej vetë në transaksionet e tregjeve financiare dhe të bizneseve.

Kjo stratagjemë është pasojë mekanike e një vendimi të marrë nga 11 vende europiane, që e fiksuan definitivisht koeficentin e shkëmbimit midis monedhave kombëtare duke filluar nga 1 janari 1999. Për dojçmarkën, konvertimi ishte i thjeshtë (2 dojçmarka për 1 euro); për vendet e tjera qenë të nevojshme disa qindarka, fryt i një kalkulimi të brishtë ku pesha ekonomike dhe përqindja e këmbimit të valutave në çdo vend ecnin me hap të barabartë. «Eurosistemi» (zona monetare europiane) bazohet mbi një bankë qendrore, Bankën Qendrore Europiane (BQE), Këshilli Drejtues i së cilës mblidhet rreth presidentit (aktualisht francezja Christine Lagarde, që ka pasuar në 2019 Mario Draghi) guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të ndryshme pjesëmarrës. Mandati i saj është i thjeshtë: stabiliteti i çmimeve, fillimisht i quajtur si «rritja inferiore me 2% çdo vit», tani e riquajtur si «2% mbi një mesatare të lëvizshme». Një zgjidhje që i jep liri më të madhe mbështetjes së aktiviteteve ekonomike nëpërmjet krijimit ex nihilo të euros, kundërloja e së cilës janë kreditet ndaj shteteve europiane, enteve publike dhe bizneseve të mëdha europiane. Më 1 janar 2002, i bërë i dukshlm për qytetarët europiane e vendeve europiane të interesuara, monedha unike europiane merr një rol simbolik. Në 20 vite, ky rol është rrënjosur në kulturën europiane. Por, nën dukjet simbolike të unitetit, fsheh çështje politike dhe efekte kundërshtuese, si ekonomike, ashtu edhe financiare.

Simboli i euros

Ashtu si doktrina sociale e kishës përsërit qysh nga agimet e erës moderne, jeta njerëzore nuk mund të reduktohet në kushtet biologjike, materiale dhe organizative të saj. Sipas antropologjisë kristiane, jeta njerëzore është e mbrujtur nga marrëdhënie të mishëruara në raportet me kozmosin, marrëdhëniet midis popujve, marrëdhëniet midis anëtarëve të së njëjtës familjes, marrëdhënie të përfaqësuara nga rite, mite, himne dhe simbole. Midis këtyre të fundit, flamuri luan një rol arketipi. Qysh më 1979, Këshilli i Europës kishte regjistruar shenjën dalluese dhe emblemën e saj pranë Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale. Shenjë e rimarrë nga Komuniteti Europian. Sipas interpretimit zyrtar, «yjet, 12 numra, shifra definitive që synon të shprehë perfeksionin [nuk përfaqësojnë kështë secila një shtet anëtar, si flamuri amerikan], shkëlqejnë në qiellin blu të Europës, përfaqësojnë popujt dhe disponimin e tyre në një rreth të mbyllur simbolizon bashkimin e tyre».

Euroja ka të njëjtin pretendim të përfaqësojë unitetin e popujve europianë. Imazhet mbi bankënotat tregojnë ura dhe portale, edhe pse një urë apo një portal realisht ekziston. Kjo nuk e ka penguar një hollandez të ndërtojë, me konsensusin e komunës së Spijkenisse, afër Roterdamit, ura që të imitonin ato të bankënotave. Me rastin e përvjetorit të 20 të shfaqjes së këtyre bankënotave, flitet për të ilustruar të afërtat me disa heronj europianë: Karli i Madh, Karli i V, Dante, Napoleoni, Churchill, Adenaueri, Jean Monnet, De Gasperi, Goethe, Marie Curie. Lista nuk do të jetë pa diskutime. Si çdo monedhë, euroja mund të luajë rolin simbolik të shenjës së njohjes jo vetëm nëpërmjet aderimit të popujve. Besimi tek monedha – dhe jo thjesht në autoritetin e shtetit – është e nevojshme që euroja të mund të shërbejë si ndërmjetës në këmbimet tregëtare, nga njësi llogarie dhe si rezervë me vlerë. Asnjë nuk pranon asnjë biletë prej 5 eurosh, nëse dyshon se do të mund ta përdorë nesër për të paguar blerjet e veta. «Ata që i lexojnë simbolin e bëjnë me rrezikun e tyre», thoshte Oscar Wilde. Është për të kundërshtuar këtë rrezik gjithmonë të mundur zhvlerësimi të euros që promotorët e monedhës europiane, nën presionin e gjermanëve, kanë dashur të vënë në shpëtim nga gabimet politike duke dekretuar «pavarësinë» e BQE.

Qoftë prej euros apo prej flamurit, simboli i unitetit nuk është kurrë i privuar nga ambiguiteti. I përzier me shpirtin europian, duke filluar nga fundi i Luftës së Dytë Botërore është manifestuar një «shpirt trupor» që e gjen unitetin e saj jo edhe aq në lidhjet e brendshme sesa në opozitën në opozitën ndaj një rreziku – apo deri të një populli – të huaj. Qe për të afirmuar autoritetin e saj ndërkombëtar ndaj një ambienti armiqësor që qysh nga fillimi Komuniteti Ekonomik Europian u pajis me një njësi llogarie të menaxhuar nga Bashkimi Europian i Pagesave (1950). Ajo u zëvendësua më 1958 dhe për një periudhë 20 vjeçare nga Marrëveshja Monetare Europiane, më pas nga ECU (European Currency Unit), që nga 1978 deri me 1999, qarkulloi paralelisht me monedhat e vendeve të ndryshme europiane. ECU i ka hapur rrugën euros. Sikur të donim të shkonim më thellë në historinë e euros, simbol i unitetit financiar, do të evokojmë ato monedha që kanë dominuar kontinentin europian: zecchino d’oro e Bankës së Venezia në shekullin e XII; në vijim fiorino di banco i Amsterdamit; më pas, në shekullin e XVII, Mark Banco i Hamburgut dhe së fundi franco oro zviceran, ende i përdorur në shekullin e kaluar nga Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare me seli ne Bazel. Në të gjitha rastet, bëhej fjalë për të kërkuar një zonë stabiliteti për t’u mbrojtur nga tronditjet e huaja.

Çështjet politike

Tri vende (Mbretëri e Bashkuar, Danimarkë dhe Suedi) e kishin refuzuar monedhën unike. Nga ana e saj, Greqia kishte aderuar në eurosistemin e monedhës unike vetë një vit përpara daljes pulike të saj, më 2001, koha për të respektuar kushtet e aderimit të parashikuar nga Traktati i Maastricht, i firmosur më 7 shkurt 1992 midis 12 shteteve anëtare të epokës. Vende të tjera e kanë ndjekur shembullin e Greqisë për të aderuar në bashkimin monetar: Sllovenia më 2007, Qipro dhe Malta më 2008, Sllovakia më 2009, Estonia më 2011, Letonia më 2014 dhe Lituania më 2015. Praktikisht, çdo zonë e euros përfshin 19 nga 27 shtetet anëtare e Bashkimit Europian. Prapa simbolit monetar të njësisë relative fshihet një vullnet politik për të bashkuar shtetet. Duke e shtrirë «Aktin Unik Europian», të firmosur më 1986 dhe të zbatuar më 1 korrik 1987, marrëveshjet e Maastricht e kanë strukturuar Bashkimin Europian përreth 3 shtyllave: bashkëpunimit gjyqësor dhe të policisë në lëmin penal; politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe komunitetet ekonomike europiane. I hyrë në fuqi më 1 nëntor 1993, ky traktat parashikon tashmë krijimin e një bashkimi ekonomik dhe monetar të bazuar mbi 3 kritere: inflacion më i ulët apo i barabartë me 1.5% në viti; deficit publik më të ulët se 3% të PBB dhe borxh publik më të ulët se 60% të PBB. Çështja që nuk është zgjidhur kurrë është nëse bashkimi ekonomik dhe monetar është një parakusht për bashkimin politik (që ishte një ide fillestare), apo nëse bashkimi monetar është pasojë e bashkimit politik. Ky është i ashtuquajturi «problem i bishtit të lopës». Bishti i lopës përfaqëson monedhën, lopa përfaqëson ekonominë reale. Kafsha mbahet fiks – nga institucionet, nga dispozitivat shtrënguese, ideologjike apo ekonomike të shtetit, nga politika e bilancit, që vepron nëpërmjet strukturës së shpenzimeve dhe nga stimujt ndaj marrjeve të detyrueshme – anipse kjo nënkupton që lopa ta lëvizë lirisht bishtin e saj, domethënë të furnizojë sesa para dëshiron dhe që mund të ndryshojnë çmimet, përqindjet e interesit dhe përqindjet e këmbimit? Apo, përkundrazi, duhet mbajtur fiks bishti i lopës – një menaxhim rigoroz moneta që synon në stabilitetin e çmimeve, të përqindjeve të interesit dhe të përqindjeve të këmbimit – në shpresën që kafsha të sillet në mënyrë produktive?

Pjesa më e madhe e studimeve të botuara në vitet ’80 dhe ’90 nënvizonte rëndësinë e 3 premisave me qëllim që bahskimi monetar të arrinte rezultatin e shpresuar: parasëgjithash, struktura politike të përbashkëta; pastaj një sistem fiskal homogjen dhe, së fundi, një bilanc qendror mjaftueshmërisht konsistente për të lejuar transferime financiare të rëndësishme, në gjendje që të kompensojë zhvillimt rajonale dishomogjene. Pavarësisht përparimeve të kryera, sidomos për sa i përket rolit në rritje të Parlamentit Europian – për shembull, në emërimin e anëtarëve të Komisionit dhe në miratimin e bilancit – kushtet e paralajmëruara nga teoria janë ende sot larg nga të qënit të realizuar.

Sigurisht, janë arritur përparime, pasojë jo e dëshiruar, por e mirëpranuar nga dy krizat e përballuara nga Bashkimi Europian. Në radhë të parë, krizat e borxhit grek, impasi i bilancit të të cilit në 2009 shkonte në rreth 13% të PBB së saj. Kjo krizë është përhapur në vende të tjera europiane, si kundërgoditje ndaj krizës financiare të provokuar nga shkujdesi amerikan në menaxhimin e papërgjegjshëm të politikës imobiliare të saj. Një krizë e tillë ka zgjatur nga 2009 në 2012; e ka shtyrë Bashkimin Europian të krijojë më 1 mars 2012 në fond europian stabiliteti financiar, që në vitet e mëparshme ka lejuar të ndihmohet, pëerveç Greqisë – që disa ekonomistë do të donin me qejf ta flaknin tej bashkimit monetar apo deri Bashkimit Europian – Qipro, Spanjë, Itali, Irlandë dhe Portugali, për një total prej rreth 300 miliard eurosh, me kohë rimbursimi që për disa shtete arrijnë deri në 2070. Si shenjë e tejkalimit të kësaj krize të parë, Greqia është kthyer në tregjet; është kthyer të jetë e «besueshme» në të dyja kuptimet e fjalës, morale dhe financiare. Kriza e dytë – e filluar më 2020 dhe jo ende e përfunduar – e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, ka qenë edhe rasti për të kryer një hap të ri një ndërtimin monetar dhe financiar europian. Nën presionin e nevojës, Gjermania ka pranuar lançimin e një huaje të madhe europiane prej 700 miliard eurosh, e destinuar të mbushë boshllëqet e shkaktuar nga pandemia në vendet më të varfëra (midis të cilave Italia, Spanja dhe Franca). Rimbursimi i kësaj huaje do të jetë në ngarkesë të Bashkimit Europian dhe, për pasojë, në vendet më të pasura, midis të cilave Gjermania, Hollanda dhe Austria.

Sigurisht, këto përparime monetare dhe financiare nuk e kompensojnë deficitin politik strukturalisht të gjetur tek «Akti Unik Europian» dhe në Marrëveshjen e Maastricht. Këto tekste, në mungesë të një kushtetute në kuptimin e vërtetë të fjalës – e refuzuar në zgjedhjet e ndryshme kombëtare – shërbejnë si referime të (papërshtatshme) europiane. Me pak fjalë, çështjet politike të euros shkojnë përtej diskutimit nëse zëvendësohet urat dhe portalet që figurojnë në bankënotat me fytyrat e të mëdhenjve që kanë bërë Europën apo nëse – pyetje tjetër e hidhur – është e nevojshme të eliminohen gradualisht «qindarkat» (monedhat prej 1, 2 apo 5 qindarkash), monedhë ndarëse e kushtueshme për t’u prodhuar dhe që rëndon xhepat. Veç të tjerash, abrogimi që është vendosur tashmë në disa vende (Belgjika, Hollanda, Irlanda, Italia, Finlanda). Rrumbullakësimi i çmimeve nga më e ulëta për mallrat me vlerë të pakët apo për më të lartën për të tjerët do ta bëjë të përmbyset çështja tashmë e ngritur qysh në 2002: atë të efektit inflacionist të euros.

Rreziku i inflacionit

Vëzhgimet e bëra me rastin e kalimit nga euro e fillimit të mijëvjeçarit të tretë tregojnë se ajo ka provokuar një «efekt rrumbullakësimi» pastërtisht nga e larta mbi produktet me konsum të gjerë (bukë, pastiçeri) dhe akoma më shumë mbi konsumet në bare dhe në restorante. Efekti ka qenë në fakt lehtësisht nga poshtë për elektroshtëpijaket kryesore dhe produktet e tjera industriale. Në përgjithësi, disa ekspertë konkludojnë se në tërësi impakti i kalimit tek euro ka qenë e moderuar, nga 0.1% në 0.2% mbi të gjitha çmimet.

Ciliqdoqoftë perceptimi i rritjes së çmimeve (që ndryshon nga rritja e vërejtur tek etiketat), çmimet janë rritur, pavarësisht se Traktati i Maastricht, që kërkonte një stabilizim të inflacionit si kusht paraprak për monedhën unike. Nga 2002 treguesi i çmimeve të konsumit është rritur mesatarisht, në vendet e bashkimit monetar europian, nga 1.4% në 1.7% në vit, sipas modaliteteve të llogaritje (2.07% nga 1999 në 2012, pastaj 0.95% nga 2013 në 2019). Nuk është shumë. Në çdo rast, shumë më pak se në dekadat e mëpasme. Kjo urtësi relative nuk i detyrohet vetëm virtyteve të euros: është edhe efekti i ndryshimit të politikës monetare amerikane, që për të kundërshtuar rritjen e çmimeve përtejAtlantikut, ka rritur përqindjet e interesit. Vendet europiane është dashur të përshtaten. Pavarësisht nga shkaqet, duke mbledhur përqindjet, humbja e fuqisë blerëse nga 1999 deri më sot shkon midis 35% dhe 50%, sipas metodave të llogaritjes. Në udhëkryqin midis politikës dhe ekonomisë, euroja shoqërohet me inflacionin. Opinioni publik e akuzon monedhën unike se është përgjegjëse për rritjen e çmimeve. 20 vite pas shfaqjes së bankënotave në euro, 80% e europianëve mendoj se euroja e ka reduktuar fuqinë blerëse të tyre. Kjo shpjegohet me iluzionin e provokuar nga statistikat që e vendosin shtëpinë jo midis shpenzimeve të konsumit, por midis investimeve, ndërsa pesha e banimit në bilancin e familjeve vazhdon të rritet për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimeve të imobiliareve (efekt direkt i politikës së euros), të cilës i shtohet fakti që kursimtarët, që kërkojnë një investim të sigurtë, shpesh zgjedhin imobiliaren.

Sipas një sondazhi to organizuar në dhjetorin e 2021, 51% e të intervistuarve është «absolutisht e bindur se euroja ka bërë të rritet inflacioni». Është e vërtetë se ekonomistët nënvizojnë se ngritja e çmimeve të konsumit nuk është sinonim i inflacionit, që ato e quajnë si një rritje kumulative të çmimeve; por një ngritje e çmimeve çon në një rritje të rrogave, deri sa të të bëjë të të vijë të vjellë. Për konsumatorët dhe kursimtarët, dallimi midis rritjes së çmimeve dhe inflacionit është në fakt abstrakt. Sepse një ngritje e çmimeve – ciladoqoftë origjina e saj dhe aq të jetë apo jo e kualifikueshëm so inflacion – e redukton gjithmonë pasurinë e konsumatorëve dhe të kursimtarëve. Është një taksë e fshehtë. Një risi e 2021 është se çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht me rreth 5% gjatë vitit të fundit (2021) në 19 vendet e bashkimit monetar europian. Në vetëvete, rritja e çmimeve të energjisë (+25% në një vit), që peshon më shumë mbi të varfërit (20% e buxhetit të tyre, kundrejt 6% për më të pasurit), shpjegon pjesërisht këtë shifër të frikshme. Në Gjermani, rritja e çmimeve – më shumë se 6% në 2021 – nuk ka qenë kurrë kaq e lartë prej 30 vitesh, domethënë nga ribashkimi gjerman i 1990. Është e vërtetë se në korrikun e 2012, me ardhjen e tij në drejtimin e Bankës Qendrore Europiane, Draghi deklaroi se BQE do të bënte «gjithçka të nevojshme» për të shpëtuar eurozonën dhe ka bërë gjënë e duhur në 2012. Ama sot konteksti ka ndryshuar.

Euro midis ekonomisë dhe çështjeve sociale

Efektivisht, rritja e çmimeve nuk i detyrohet vetëm krijimit të euros nga ana e BQE. Kanë peshën e tyre edhe normativat mbi sigurinë, strategjitë tregëtare dhe nevojat industriale e fuqive në ngjitje, midis të cilave Kina, dhe rikonvertimet e krijuara nga tranzicioni energjitik. Në të kundërt, konkurrenca ndërkombëtare për produktet industriale dhe prirja ndaj kursimit e popullsive favorizojnë stabilitetin e çmimeve të konsumit. Ky fenomen i rritjes së kursimit është i rënduar në vendet me një demografi që plaket, sidomos kur rëndon frika e së nesërmes. Kjo shpjegoj paradoksin e stabilitetit ë çmimeve të produkteve industriale të hapura ndaj konkurrencës ndërkombëtare, që bashkëekziston me rritjen e fortë të çmimeve të imobiliareve dhe të titujve të tregjeve aksionare; gjë që shkakton një problem të rëndë social: një pabarazi të fortë pasurie.

Bundesverfassungsgericht (Gjykata Kushtetuese Gjermane e Karlsruhe) i ka kujtuar prerë BQE në majin e 2020 se Banka Qendrore Gjermane nuk mund të vazhdonte të mbështeste një politikë monetare europiane, që duke ulur përqindjet e interesit varfëronte pensionistët gjermanë. Është edhe e vërtetë se qeveria socialiste e Gerhard Schröder, në fillimin e këtij mijëvjeçari, për të mos duruar peshën e një popullsie që plaket në një popullsi aktive gjithnjë e më e pakët në numër për shkak të rënies demografike në Gjermani, i ka riorientuar pensionet gjermane nga një sistem me rindarje në një sistem me kapitalizim. Politika e BQE implikon se kursimi nuk është i nevojshëm për rritjen ekonomike. Kjo nënkupton të imagjinohet se mund të krijohen procese të reja produktive pa shqetësuar dhe pa shkatërruar një pjesë të ekziszuesit dhe, për pasojë, pa abstenuar nga konsumimi (që është pikërisht definicioni i kursimit); nënkupton të mos mbahet parasysh që punësimi varet nga produktiviteti i favorizuar nga investimi dhe se investimi nuk duhet ngatërruar me një operacion monetar: ai nxjerr domosdoshmërisht mallra reale nga disa sektorë për t’i orientuar drejt të tjerëve.

Rritja e çmimeve, që është pasoja logjike e kësaj politike të parasë së lehtë kur nuk kompensohet nga një rritje e kursimit, ka parasëgjithash efekte sociale katastrofike: një hendek në rritje midis atyre që kanë mallra të lëvizshëm ose imobiliare dhe atyre që nuk kanë, për të mos folur për marrjet e padrejta nga më të varfërit, nga ata pasuria përbëhet kryesisht nga llogaria bankare korrente dhe që janë më të ekspozuarit ndaj rritjes së çmimeve. Përveç këtyre efekteve sociale, rritja e çmimeve provokon edhe efekte ekonomike negative: rritja të taksave të interesit afatgjata, që do ta mbysin rritjen ekonomike, duke bërë më të kushtueshme huatë për investimet dhe për konsumin me kredit. Në praktikë, një çinteresim i tillë për investimet afatgjata dhe për kursimtarët më të ekspozuar, me shpresën e mbështetjes së rritjes ekonomike, vepron si një politikë keynesiane efektet shkatërrimtare afatgjata të së cilës janë të mirënjohura. Rritja e çmimeve faktikisht shkurajon akaparimin dhe, për pasojë, inkurajon konsumin, në kurriz, natyrisht, të shtresave me të ardhura më të ulëta. Për të stimuluar konsumin duke shkurajuar kursimin, BQE (si FED në Shtetet e Bashkuara) ka ulur përqindjet e interesit, duke krijuar monedhë. Por të pakëtn deri më 2021 çmimet e konsumit nuk janë rritur, edhe për shkak të konkurrencës ndërkombëtare. Nga ana tjetër, përqindjet e interesit shumë të ulëta kanë favorizuar huatë imobiliare dhe, për pasojë, rritjen e çmimit të imobiliareve.

Kështu, çmimet janë rritur, ama jo në masën e parashikuar nga politika. Kjo strategji e «asfiksimit të rentave», siç thoshte Keynes, duke ulur përqindjet e interesit deri në vendosjen e takave negative, funksiononte në sistemin e tij afatshkurtër sepse, shtonte ai, në periudhën afatgjatë jemi të gjithë të vdekur. Shakatë menjanë, e mbajtur shumë gjatë, kjo politikë i humbet efektet e saj mbi prodhimin e punësimin dhe gjeneron pasoja ekonomike perverse. Pasojat më imponuese janë një debitim i rrezikshëm i familjeve dhe investime pak të shënjestruara, të zgjedhur nga planifikues kompetentë dhe dëshirues, por që përplasen me logjikën e sistemit. Askush nuk mund të pengojë që çfarëdo riorientimi i ekonomisë,  idealisht drejt një kapitalizmi më të «gjelbër», kërkon investime masive. Ky «shkatërrim kreativ», siç thoshte Schumpeter, do të shkatërrojë pjesë të strukturave prodhuese, duke nxjerrë nga pasuria aktuale pjesë të së ardhurës dhe duke e drejtuar drejt investimesh të llojit të ri. Kjo nuk është domosdoshmërisht një e keqe, por ndershmëria intelektuale, në mungesë pozicionesh zyrtare, nuk duhet harruar.

Pabarazitë ekonomike midis vendeve europiane

Mesatarisht, prodhimi i mallrave është zvogëluar me 0.1% në vit nga 2002. Kjo rënie fsheh një fenomen strukturor që po ndaj Europën midis vendeve të Veriut (Gjermani, Hollandë, Austri), që kanë përfituar nga një euro e nënvlerësuar respektivisht potencialit ekonomik të tyre, dhe vendeve të Jugut, që kanë vuajtur nga një euro e mbivlerësuar. Një euro e nënvlerësuar favorizon eksportet, një euro e mbivlerësuar i dizavantazhon. Axhustimet nëpërmjet zhvlerësimit të monedhës kombëtare – që Italia në vitet ’80 dhe ’90 i ka përdorur gjerësisht në përfitim të eksporteve të saj – nuk janë më të mundura, qysh kur nga 1 janari 1999, janë fiksuar përqindjet e këmbimit intraeuropiane. Natyrisht që zhvlerësimi – që konsiston në furnizkimin e një sasie të mjaftueshme monedhe kombëtare në tregun e këmbimeve, për të ulur çmimin e saj – nuk paraqet vetëm avantazhe. Duke rritur koston e valutave të huaja, zhvlerësimi bën të ngrihen çmimet e produkteve të importuara, me një pasojë dyfishe: shfavorizimin e importeve, të bëra më të kushtueshme, dhe favorizim të inflacionit të brendshëm. Ky mekanizën nuk është më i mundshëm nga momenti ku euroja fiksohet nël tregjet e këmbimeve me një taksë që nuk pasqyron jo nevojat e një vendi të veçantë – Itali, Spanjë apo Francë –, por të një tërësie europiane me nevoja të ndryshme.

Pasoja është e hidhur. Stabiliteti relativ monetar, si brenda në terma të inflacionit, ashtu edhe jashtë në raport me përqindjet e këmbimit, provokon një pabarazi rritjeje shumë të dukshme në statistikat e PBB të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Nëse rënia relative e çmimeve të produkteve është një avantazh për kosnumatorin, ajo pasqyron një ashpërsim të konkurrencës industriale për bizneset e vendosura në territorin kombëtar. Kjo shpjegon deindustrializimin dhe vështirësitë që hasin vendet e jugut të Europës në arritjen e punësimit të plotë. Duke punuar mbi statistikat europiane midis 1999 dhe 2019, Centre for European Policy (CEP), me seli në Bruksel, ka llogaritur sesa Gjermania dhe Hollanda kanë fituar nga euro. Në barazi kushtesh, sipas këtij studimi, çdo gjerman ka fituar pak më shumë se 23000 euro në më shumë se 20 vjet, ndërsa çdo italian ka humbur 56000 euro, domethënë rreth 246 euro në muaj, dhe francezi një çikë më pak. Këto shifra janë debatuar shumë, por nuk është vënë në diskutim tekdenca bazë.

Konkluzion. Euroja në kontekstin ndërkombëtar

E imagjinuar në vitet ’70 si instrument integrimi i vendeve dhe i popullsive europiane, euro, pasi ka përjetuar dy kriza të mëdha (2008 – 2012 dhe 2020 – 2022), duket se ka luajtur rolin e saj. Sipas një sondazhi të komisionuar nga BQE, nga 1999 konsensusi për euron është rritur nga 57% në 62%. Pak liderë politikë sot e përfshijnë në programin e tyre daljen nga euro, siç kanë bërë në të kaluarën Salvini në Itali dhe Le Pen në Francë (të dy më pas kanë hequr dorë). Avantazhet praktike të euros, gjerësisht të evidentuara nga BQE, i tejkalojnë disavantazhet e saj ekonomike e sociale në sytë e mazhorancës së popullsisë së vendeve të bashkimit monetar. Nga ana tjetër, njerëz që e shikonin euron si një armë kundrejt supremacisë së dollarit kanë mbetur të zhgënjyer. Faji do të ishte i City të Londrës, që e ka drenuar potencialin financiar të tregjeve europiane (Parisi dhe Frankfurti në veçanti). Sido që të jetë, përqindja e këmbimit euro – dollar luhatet prej 20 vitesh rreth 1.15 dollarë për euro dhe rezervat botërore të valutës në euro kanë mbetur stanjante rreth 20% (kundrejt më shumë se 60% për dollarin, 5% për jenin japonez dhe pak më shumë se 1% për renminbin kinez). Ky predominim i dollarit, bashkuar me forcën ushtarake amerikane, kompenson rënien ekonomike dhe kulturore të Shteteve të Bashkuara. Në realitet, një kundrështar i ri profilohet në horizont: kriptovalutat. Për të kundërshtuar këtë rrezik, BQE po mendon prej më shumë se një viti të hedhë në qarkullim euron dixhitale të mbështetur nga euro e Bankës Qendrore dhe, për pasojë, më pak spekulative. Por do të ketë ende shumë për ta ristrukturuar sistemin politik, pa të cilin bashkimi bankar europian dhe bashkimi i tregjeve të kapitaleve nuk do të mjaftojnë për t’i dhënë Europës forcën që potenciali ekonomik i saj i premton në lojën e fuqive botërore.

(nga La Civilta Cattolica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Promovohet në Vlorë libri “Narkodiktatura Shqiptare në Oborrin e Europës”

Ditën e djeshme, datë 22.12.2024, në ambientet e Muzeut Kosova në Vlorë, Instituti i Studimeve …

Leave a Reply