Deputeti i PS, Alqi Bllako ende nuk është arrestuar, edhe pse Gjykata e Posaçme ka dhënë arrest me burg për të.
Ligjvënësi socialist ka dorëzuar mandatin 24 orë më parë dhe kërkesa e Kuvendit i është dorëzuar Gjykatës së Posaçme, por arrestimi i Bllakos nuk është ekzekutuar nga Policia e Tiranës.
Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj tha në një lidhje direkte për ‘Task Force’ me Sonila Meçon, se Bllako nuk ndodhet në ambientet e Policisë së Tiranës, por shoqërimi i tij pritet të ndodhë orët në vijim.
“Gjykata e Posaçme ka marrë ditën e sotme kërkesën e Prokurorisë së bashku me firmën e kryetares së Kuvendit, Nikola, për t’i hapur rrugë arrestimit të bllakos. Ndërsa në orët e pasdites së sotme, Gjykata ka firmosur edhe lejimin e prokurorisë për të ekzekutuar urdhrin e arrestit, kërkesë që kishte ardhur nga SPAK. Ekzekutimi mësohet se do të bëhet përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Forcat Operacionale do të paraqiten në adresën e banimit të Bllakos dhe do të bëjnë shoqërimin e tij në drejtorinë vendore të komisariatit të Tiranës”, tha gazetari Gjinaj.
Arrestim apo vetëdorëzim?
Janë informacione të përhapura në rrugë të ndryshme. Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar.
“Situatë e ngjashme si me ish-ministrin Tahiri, ku pati tejkalim të afateve për shpalljen e vendimit. Leja e Kuvendit ku vinte në dijeni strukturën e posaçme ka mbërritur në orët e paradites, ndërkohë që Gjykata e Posaccme dhe SPAK, kanë shfrytëzuar afatet kohore prej 48 orësh për të krijuar në fakt edhe këtë konfuzion”, tha Gjinaj.
Akuzat ndaj Bllakos
Alqi Bllako akuzohet lidhur me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish- Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë.
Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj.
Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.