Berisha: Raporti i DASH, radiografi e plotë e regjimit të Edi Ramës

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka komentuar pas mbledhjes me Komisionin e Rithemelimit në selinë e PD raportin e DASH për Shqipërinë, ku theksohej se korrupsioni është i shtrirë në çdo qelizë të qeverisjes.

Berisha theksoi raporti i DASH është një radiografi e plotë e regjimit të Edi Ramës. Ndër të tjera ish-kryeministri Berisha u shpreh se raporti i DASH pasqyronte problemin e mungesës për shqiptarët të një të drejte themelore që është procesi i duhur gjyqësor.

Pyetje: Si e gjykoni raportin e DASH, mjaft kritik për Shqipërinë?

Sali Berisha: Unë vlerësoj shumë raportin dhe mendoj se ka trajtuar në mënyrën objektive problemet madhore të këtij vendi.

Ka bërë një radiografi të plotë të kësaj qeverie në rrafshin e të drejtave të njeriut, në rrafshin e korrupsionit, në rrafshin e luftës kundër kriminalitetit. Unë e gjej atë një dokument shumë të vyer dhe të dobishëm për të gjithë ata që janë të interesuar për ndryshimin e gjendjes në këtë vend.

Pasqyronte problematikën e madhe të inceneratorëve. E keni parasysh që është një çështje e cila mbart veprimtarinë e një organizate kriminale. Pasqyronte problemin e mungesës për shqiptarët të një të drejte themelore që është procesi i duhur gjyqësor.

Pra, nuk mjafton vetëm transparenca për një proces por edhe koha e duhur. E vërteta është se me 100 e ca mijë dosje, të paktën 30-40 mijë qytetarë shqiptarë mund të mos marrin kurrë vendimin nga drejtësia shqiptare dhe dhjetëra e mijëra të tjerë e marrin atë në një kohë kur nuk shërben më.

Plus miliarda, 5-6 miliardë euro për çështjet civile që vendi dhe shoqëria shqiptare humbet. Probleme këto të ngritura, në mënyrën më të fuqishme, që nga viti 2016 e deri sot.

Kur ne kundërshtonim Vettingun nga lart poshtë, ne kundërshtonim sepse ai asgjësoi për 4 vite shtetin ligjor. Nuk ka shtet ligjor pa institucione kryesore të drejtësisë. E kundërshtuam sepse me vakumin do të krijonte këtë katastrofë dosjesh që ka krijuar dhe që faktikisht Shqipëria, shumë shpejt, do të bëhet një problem madhor për Strasburgun, pasi qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kësaj gjykate për shkak të mungesës së qartë të procesit të duhur ligjor në vendin e tyre.

Ishte një raport të cilin e përshëndes përzemërsisht dhe më vjen shumë mirë, sepse renditeshin të gjitha çështjet, një radiografi e plotë e regjimit të sotëm.

About Redaksia

Check Also

Meta: Shqipëria, vendi i dytë më i korruptuar në botë pas Zambias

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka komentuar miratimin …

Leave a Reply