Luan Baçi: Alibeaj po nxin realitetin e PD, Korreshi na kërkoi bashkëpunim

Ish-kryetar i degës së PD në Fier, deputeti Luan Baçi, i cili po ndjek nga afër sot zgjedhjet për kryetarin e ri të degës së PD në Roskovec, e ka akuzuar me tone të ashpra, deputetin Enkelejd Aliabej, se po vazhdon të përçajë PD-në. Në një intervistë dhënë mediaeve sot, Baçi tha se, “ai që e quan veten “Ushtrues i Komanduar i Detyrës së Kryetarit”, në fakt nuk është i tillë dhe vazhdon që të nxijë realitetin e PD”.

Baçi e bëri të qartë se ku bazoheshin spekulimet e Alibeajt mbi pjesëmarrjen e demokratëve të Fierit në zgjedhjet e brendshme. Ai e tha hapur se anëtarë aktivë të PD-së në Fier nuk janë më shumë se 1500, pavarësisht se në regjistra rezultojnë 5 mijë apo 6 mijë, pasi këta janë të regjistruar dhe të mbetur në lista që nga viti 1991.

Nga ana tjetër, Baçi tregoi për një dorë bashkëpunimi që është kërkuar për zgjedhjen e kreut të ri në Lushnjë, kërkuar nga kryetari në detyrë, deputeti Saimir Korreshi dhe ai është treguar i hapur për të parë nëse do ta mbajnë fjalën për bashkëpunim.

Si po shkojnë zgjedhjet në Roskovec, z. Baçi?

Baçi: Siç e shikoni dhe vetë, këtu ka filluar votimi në orën 9 dhe anëtarësia e PD, dega Roskovec, ka filluar votimin. Garohet mes dy kandidatëve, Emeis Xhaxhaj dhe Kevin Cjapi, dy kandidatë të propozuar nga anëtarësia e PD, dega Roskovec, të miratuar nga Komisioni i Rithemelimit .

Po vazhdon votimi, ka pjesëmarrje që në orët e para, interesim i madh do ta quaja; ka një gjithëpërfshirje. Mendoj se sot, madje dhe disa që kanë qenë  skeptikë gjatë kësaj periudhe, absolutisht sot janë pjesëmarrës në votimin, në  garën midis dy kandidatëve. Pas kësaj gare, disa ditë më vonë do të organizohet dhe Kuvendi i degës, ku do të zgjidhen anëtarët e kryesisë së degës  dhe delegatët për kuvendin e 30 prillit.

Sa të pranuara do të jenë këto zgjedhje?

Këto zgjedhje janë të gjithëpranuara dhe mirëpranuara për arsyen sepse zhvillohen nga demokratët, votojnë demokratët pa asnjë lloj dallimi. Dhe nuk e di si mund të quhen “sa të pranuara” dhe nga kush duhet të pranohen, kur zhvillohen dhe pranohet nga vetë demokratët, nga strukturat e PD dhe në përqindje shumë të lartë të anëtarësisë së PD.  E kur them në përqindje të lartë, të anëtarësisë aktive!

Më lejoni të bëj dhe një shpjegim të vogël, sepse kanë spekuluar shumë me pjesëmarrjen në votime, sidomos dhe për degën e Fierit; kanë spekuluar disa individë që dinë vetëm të nxijnë realitetin, duke bërë krahasime të numrit të anëtarëve që janë nëpër letra – me numrin e anëtarëve aktivë.

Nëse themi “numër anëtarësh aktivë” të PD, janë anëtarët aktivë të PD dhe jo ata anëtarë që nga 1991 kanë qenë të regjistruar, në 30 vite.

Më duhet të them që për shembull, në degën e  Fierit mund të gjesh të regjistruar (se ne kurrë nuk i heqim nga data base anëtarët e regjistruar të PD në respekt të tyre), janë anëtarë të PD që kanë 10-15 vjet që kanë ikur jashtë shtetit, nuk banojnë fare në Fier dhe si i tillë numri duket sikur është shumë i lartë.

Në fakt, dega e Fierit ka 1500 anëtarë aktivë ,aq janë, që punojnë, pavarësisht numrit të votave, simpatizantëve, votuesve që janë 25 mijë apo 30 mijë. Jo çdo votues është anëtar i PD. Këtë duhet ta shpjegojmë dh ta sqarojmë.

Në Fier në letra mund të jenë mbi 5000 – 6000 anëtarë joaktivë. Aktivë janë 1500. Kaq! Këtu mbyllet kapitulli, për t’i thënë gjërat ashtu siç janë konkretisht dhe besueshme për qytetarët shqiptarë.

Këto votime janë diskutuar shumë në fakt, por sa do t’i qëndroni ju një Partie Demokratike të bashkuar?

Më të fortë, më të hapur, më të bashkuar, ashtu siç kemi pasur sloganin në këtë lëvizje, ashtu vazhdojmë dhe jo vetëm i kemi qëndruar, por do t’i qëndrojmë, se i qëndrojnë vetë demokratët dhe faktet flasin. Faktet janë fakte. Përtej propagandës dhe nxirjes që bëjnë disa individë që vazhdojnë akoma të dëmtojnë PD-në, siç është ai që e quan veten Ushtrues i Komanduar i Detyrës së Kryetarit, që në fakt nuk është i tillë dhe vazhdon që të nxijë realitetin e PD. Urdhëro, kjo është PD Roskovec. Do t’i ftoja të ishin këtu të shikonin të gjithë anëtarët e PD siç vijnë të gjithë me radhë dhe votojnë në pjesëmarrje shumë të konsiderueshme, të lartë dhe faktet flasin vetë në këtë drejtim.

Do t’i ftoja të bëheshin pjesë e garës, e procesit dhe jo të nxijnë realitetin nëpërmjet mediave. Se ashtu sic dështuan me Kuvendin e tyre të famshëm ku ulën 5004 delegatë në 1940 karrige, kështu po dështojnë çdo ditë me propagandën e tyre dhe shpifjet që kanë të përditshme.

I referoheni zotit Alibeaj, besoj?

Zotit Alibeaj dhe atyre dy, tre apo katër që janë rreth zotit Alibeaj!

Madje më lejoni dhe të them dhe diçka tjetër; ne, ditën e shtunë kishim programuar zgjedhjet për degën e Lushnjës dhe kemi diskutuar për të bërë një shtyrje, t’i japim dhe disa ditë kohë, sepse kemi pasur një kërkesë nga deputeti i Lushnjës dhe Kryetari i PD në detyrë, zoti Korreshi që ka kërkuar  të jetë pjesë e procesit, por të shtyhet dhe disa ditë zgjedhja e kryetarit të degës. Do t’ia japim dhe këtë mundëiis duke qenë se ka shprehur dëshirën për bashkëpunim dhe unë do të jem në ndjekje të problemit bashkë me z. Korreshi disa ditë të tjera për të marrë pjesë në zgjedhjet e grupseksioneve, për t’i riparë nga e para që të jenë pjesë e procesit.

Të shikojmë sa do të mbajnë fjalën se ka ndodhur shpesh që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë, ata 4-5 deputetë që kanë ngelur aty me në krye zotin Alibeaj, që vazhdon  të përçajë PD-në.

About Redaksia

Check Also

Bumerangu “tiktok” do t’i kthehet Ramës me votë në zgjedhjet e 11 majit

Franc NURI Lajmi se aplikacioni « Tiktok » do të mbyllet për 1 vit nga …

Leave a Reply