Kompanitë “satelite” të inceneratorëve marrin miliona nga qeveria

Disa kompani në pronësi të “bosëve të plehrave” Stela Gugallja dhe Klodian Zoto i kanë shpëtuar hetimit të SPAK-ut, megjithëse rezultojnë si përfituese të qindra miliona lekëve nga afera e inceneratorëve. Në dhjetor 2021 dhe prill 2022, Prokuroria Speciale vendosi nën sekuestro kompanitë “Albtek Energy” të Stela Gugalljas dhe “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, të cilat zotërojnë kontratat koncesionare të inceneratorëve në Elbasan dhe Fier.

Megjithatë, të paktën 4 kompani të tjera, të lidhura ngushtë me aferën e inceneratorëve dhe ku janë aksionerë Gugallja dhe Zoto, vijojnë të jenë aktive. Kompania “Zoto Consulting” është ende e pashqetësuar nga hetimet e SPAK-ut. Zyra e konsulencës e Klodian Zotos rezulton se ka përfituar mbi 750 milionë lekë të vjetra ose rreth 700 mijë euro nga kompanitë që zotërojnë koncesionet e landfilleve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Zyra e Konsulencës “Consulting SE Partneres”, e zotëruar në 80 përqind nga Stela Gugallja, vijon të jetë e paprekur nga hetimet e Prokurorisë Speciale. Kjo zyrë rezulton të ketë përfituar rreth 700 milionë lekë të vjetra nga impiantet e mbetjeve në Fier dhe Tiranë.  Kompania “E.R One Albania” është e përfshirë në veprimtarinë financiare të koncesionarëve të mbetjeve urbane. Stela Gugallja zotëron 40 përqind të aksioneve të saj dhe administrator është Mirel Mërtiri, i konsideruar edhe si “njeriu-hije” i inceneratorëve. Kompania vijon aktivitetin e saj lirisht.

Po ashtu, edhe kompania “C.G.C”, në pronësi të Klodian Zotos dhe administrator Mirel Mërtirin, vijon të jetë aktive dhe pa asnjë penalitet. Kjo kompani fitoi licencë gazi nga Damian Gjiknuri në vitin 2017 dhe e humbi në dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur klani i inceneratorëve u ekspozua shumë publikisht.

Ndërkohë, Gugallja, Zoto e Mërtiri janë aksionerë në të paktën edhe 4 kompani të tjera, të cilat, megjithëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me inceneratorët, janë krijuar gjatë lulëzimit të aferës gjigante financiare. Në të gjitha këto kompani, “Bosët e Plehrave” vijojnë t’i shijojnë aksionet të pashqetësuar, ndërkohë që prej muajsh qëndrojnë në arrati./Syri.net

About Redaksia

Check Also

Shqipëria ndeshje të madhe në Pragë, përmbys Ukrainën

Super rikthim i kombëtares shqiptare ndaj Ukrainës, nga disavantazhi 1-0, kanë arritur të fitojnë me …

Leave a Reply