Gjykata e Belgjikës autorizon ekzekutimin e vlerave financiare të Albcontrol për Becchetti-n

Gjykata frankofone e Shkallës së Parë e Belgjikës, Dhoma e Konfiskimeve, ka autorizuar ekzekutimin e vlerave financiare që Eurocontrol i jep Albcontrol-it nga 2019 e për vite me radhë, të cilat janë sekuestruar për llogari të biznesmenit Francesco Becchetti.

Ky i fundit paditi shtetin shqiptar në Arbitrazhin Ndërkombëtar, proces nga i cili Shqipëria do të duhet t’i paguajë atij 110 milionë euro, për të cilat shteti shqiptar duhet të kishte nisur shlyerjen.

Gjykata belge rrëzoi pretendimet e Albcontrol-it mbi  vështirësitë financiare që mund të provokonin sekuestro, duke i cilësuar ato si të pavlefshme për të kushtëzuar ekzekutimin e saj.

Gjykata e ka konsideruar të papranueshme, deklaratën e drejtorit të Albcontrol-it, I cili ka tentuar të dëshmojë se sekuestro ka shkaktuar pasoja negative mbi trafikun ajror shqiptar.

“Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm, e prezantuar nga Albcontrol si dëshmi nuk respekton termat e neneve të Kodit Gjyqësor, sepse nuk përmban as datë, as vendlindje e as vendbanim të autorit.

Po ashtu, nuk përmend as sesi kjo deklaratë është përpiluar për përdorim gjyqësor dhe se autori i saj është në dijeni se deklarimi i rremë nga ana e tij e ekspozon përballë sanksioneve penale.

Së fundi, deklarata nuk përmban dokument që do ta vërtetonte identitetin e autorit të saj. Për këto motive, kjo deklaratë nuk konsiderohet e pranueshme.

Nga ana tjetër, gjykata konstaton se kjo deklaratë nuk mbështetet në asnjë dokument të vlefshëm, sepse Drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol-it mjaftohet vetëm duke mbështetur pohimet e tij pa dokument zyrtar”.

Në vendim thuhet se asnjë provë dhe asnjë dokument nuk i mbështet deklarimet e tij në proces. Për më tepër, përmbajtja e deklaratave të tij kundërshtohet nga informacionet që janë publikisht të aksesueshme.

Madje për këtë s’ka nevojë as për gjykatë, thuhet në vendim.

“Në fakt, sipas shtypit dhe deklaratave të Ministres shqiptare të Infrastrukturës, grevat në mesin e personelit janë pasojë e uljes së rrogave, provokuar nga kriza pandemike dhe jo si pasojë e sekuestros së kërkuar nga Becchetti sipas vendimit përfundimtar të ICSID.

Ai dokument i paraqitur prezanton një simulim teorik në kushtet e mbylljes totale të hapësirës shqiptare në vitin 2019, periudhë para krizës sanitare, që nuk ka lidhje fare me situatën për të cilën gjykohet çështja. Trafiku ajror shqiptar nuk është ndalur për hir të sekuestros. Përkundrazi, faqja zyrtare e internetit e  Albcontrol tregon se trafiku ka filluar fuqishëm gjatë verës së vitit 2021.

Aeroporti i Tiranës ka trajtuar në shtator 2021,  21% më shumë se nëtë njëjtën periudhë të vitit 2019. Albcontrol aty tregon se punon me kapacitete të plota dhe u ofron shërbime cilësore gjithë udhëtarëve.”

Gjykata belge saktëson se nuk vëren se në ç’mënyrë, sekuestro ka mundur të ketë ndikim negativ mbi trafikun ajror shqiptar apo do mund të shkaktonte mbylljen totale të tij, duke rrëzuar kësisoj pretendimet e Albcontrol.

Tashmë vendimi autorizon ekzekutimin e sekuestros, pasi deri më sot janë bllokuar dhjetëra miliona euro.

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply