Deputeti i PD, Edi Paloka, e ka cilësuar procesin e zgjedhjes së Presidentit teatër të madh që ka regjizor Edi Ramën. Ai tha se, Ramës i duhet një vëmendje mediatike, ndaj dhe po bën show.
“Po bën shfaqje për zbavitjen e shqiptarëve, pasi ai e ka në kokë emrin e Presidentit të ri dhe do e zgjedhë me 71 vota”, tha Paloka në studion e News 24.
Sipas deputetit të PD, duket pak e vështirë që të sigurohen 84 votat, qoftë edhe nëse Enkelejd Alibeaj do të bjerë dakort me Taulant Ballën.
“Nuk e besoj se Alibeaj do të shkojë deri në këtë pikë, jo se nuk ka dëshirë, por se ndodhet në një pozitë të vështirë”, tha Paloka.
Ai tha se gjithsesi duhet parë se deri në çfarë niveli bashkëpunimi do të shkojë Alibeaj për të bashkëpunuar me Ramën.
Paloka tha se zgjedhja e Presidentit ka qenë edhe objekt i takimeve të ambasadores Yuri Kim me Enkelejd Alibeajn, Taulant Ballën dhe Lindita Nikollën.
“Vetëm një naiv nuk do e kuptonte që në takimet e zhvilluara të mos ishte çështja e Presidentit”, tha Paloka.
Ai tha se Enkelejd Alibeaj nuk është më kryetar i Grupit Parlamentar i PD dhe nuk përfaqëson PD-në. “Nëse ai nesër shkon në takimin me Taulant Ballën, pa pyetur as deputetët që nuk janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit, kjo do të thotë se ai nuk ka lidhje fare më as me Grupin e PD, çka do të thotë se duhet të thonë pastaj kë përfaqëson Alibeaj dhe kush e mbështet atë”, tha Paloka.