Freedom House: Demokracia në Shqipëri pa përparim, regjim hibrid, blerje vote e korrupsion!

Nga Menaida Zaimi

Sipas raportit më të fundit të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë. Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku futen ato vende ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

Nga Zëri i Amerikës

Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.

Sipas “Freedom House”, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike, por shumica e pronarëve të medias, thuhet në raport, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike. Për sa i takon qeverisjes lokale, ajo shihet si demokratike, por seriozisht e pafinancuar dhe e pakualifikuar për të ofruar shërbimet adekuate për qytetarët.

Në raport vërehet se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht. Prej fillimit të procesit të vetingut, janë rritur pritshmëritë, se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur, por në raport thuhet se ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht.

Për sa i takon korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. Por raporti vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Që nga viti 1995, raporti i “Freedom House” për Vendet në Tranzicion ka vlerësuar gjendjen e demokracisë në 29 vende, që shtrihen nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.

Organizata e bazon vlerësimin në shtatë kategori, siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe korrupsioni. Vlerësimi bëhet nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe me 7 vlerësohet niveli më i lartë i saj.

Si ka ndryshuar vlerësimi për Shqipërinë nga viti në vit

Qeverisja demokratike në nivel kombëtar mbetet në njëjtat nivele si dy vitet pararendëse, me 3.25 pikë (2020-2022), por megjithatë ky tregues ka shënuar ulje krahasuar me pesë vitet e tjera, prej 2015 deri 2019, kur llogaritej në 3.50 pikë.

Në treguesin e shoqërisë civile, Shqipëria vlerësohet me të njëjtën shifër si një vit më parë, 4.75 pikë, por kjo pasqyron një rënie në raport me 8 vitet pararendëse (2013-2020) kur ky tregues kishte ruajtur një konstante prej 5 pikësh.

Sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, sipas raportit ka mbetur në të njëjtat nivele prej vitit 2013, duke u vlerësuar me 3.25 pikë. Po kështu edhe korrupsioni që vlerësohet me 2.75 pikë prej vitit 2013.

Elementi i demokracisë për vitin 2022 vlerësohet në nivelet e vitit 2021, me 3.75 pikë, por që gjithsesi pasqyron një rënie krahasuar me një tendencë rritjeje, që u vu re prej vitit 2014 deri në vitin 2020.

Në raport thuhet se themelet e demokracisë në Shqipëri u vunë në provë në 2021, viti kur u mbajtën zgjedhjet e dhjeta parlamentare shumëpartiake, që nga rënia e komunizmit.

“Pjesa më e madhe e diskutimeve publike, para dhe pas zgjedhjeve, ishin të mbushura me akuza të ndërsjella dhe retorikë përçarëse nga udhëheqësit e partive kryesore politike dhe Presidenti, gjë që çoi në incidente të frikësimit publik, lëndimeve dhe madje edhe vdekjeve gjatë fushatave elektorale”.

Më pas në raport thuhet se në përgjithësi zgjedhjet parlamentare u administruan mirë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte në gjendje të ofronte mjete të reja teknologjike për identifikimin e votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe teknologjitë e reja të numërimit u përdorën në qendra të ndryshme votimi. Por megjithatë, sipas raportit, integriteti i zgjedhjeve nuk ishte plotësisht i paprekur, për shkak të pretendimeve të besueshme për blerje votash, frikësim dhe dhunë.

Në raport përmendet fakti se Partia Demokratike e opozitës krijoi një njësi të quajtur “Mbroni Votën”, me shumë gjasë e jashtëligjshme, por që tregon shkallën e mosbesimit të publikut ndaj institucioneve.

“Freedom House”përmend qëndrimet e presidentit në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se “Presidenti Ilir Meta bëri fushatë të hapur kundër Partisë Socialiste në pushtet dhe u bëri thirrje qytetarëve, që të përdorin dhunë, nëse vota e tyre cënohej”.

Pas këtyre komenteve, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje udhëheqësve politikë të vendit që të “përmbahen” e “të refuzojnë qartë dhunën”, thuhet më tej në raport.

Vitet e fundit dhe veçanërisht gjatë vitit 2021, fraksione brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, e kanë shtuar retorikën e tyre të ashpër kundër SHBA-së dhe BE-së, duke pretenduar se ato po ndërhyjnë në sovranitetin dhe punët e brendshme të vendit.

Sipas raportit, kjo retorikë mosmiratimi ndaj SHBA-së dhe BE-së lidhet me investimin e huaj e të rëndësishëm politik dhe financiar në organet e ndryshme të reja të zbatimit të ligjit dhe në procesin e verifikimit të sistemit të drejtësisë, i cili ka krijuar pritshmëri të larta për hetime për abuzim me pushtetin dhe korrupsion nga zyrtarë aktualë e të mëparshëm.

Raporti trajton edhe çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të mijëra qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 2021. Ai përmend publikimin në muajin prill nga faqja e lajme në internet Lapsi.al, të një artikulli ku flitej mbi një bazë të dhënash të ndjeshme personale të 910,000 qytetarëve shqiptarë, që dyshohej se ishin përdorur nga Partia Socialiste, e që ishin marrë nga një portal qeveritar, që ofron shërbime publike (e-Albania).

Siç konstatohet në raport, Partia Socialiste fillimisht e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por Kryeministri Rama më vonë e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione derë më derë, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit”. “Freedom House” thotë se mbi këtë çështje nuk u nis asnjë hetim, ose mbi mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo trajtojnë të dhënat personale të qytetarëve.

Në raport thuhet se shkeljet në këtë drejtim dhe pasojat tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale.

Bashkimi Evropian, vijon më tej raporti, po financon një sërë projektesh për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve institucionale të Shqipërisë, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Por duke iu referuar një raportit të posaçëm të Gjykatës Evropiane të Audituesve të janarit 2022, mbi mbështetjen e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, Freedom House përmend gjetjet e tij se “një mbështetje dhe financim i tillë kanë pasur pak ndikim në avancimin e reformave themelore të sundimit të ligjit për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe mungesës së angazhimit”.

Në raport thuhet se “mbështetja e BE-së kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, si dhe përcaktimet publike të Departamentit amerikan të Shtetit, duhen kuptuar në një kontekst më të gjerë, të synimeve të politikës së jashtme ndërkombëtare ndaj Ballkanit Perëndimor.

Dëshira është që në Shqipëri ata të kenë “një partner, që u përmbahet normave demokratike dhe jo udhëheqës problematikë, që prodhojnë kriza politike artificiale për të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thirren të ndërmjetësojnë”.

“Freedom House” thotë se nëse këto përpjekje ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe përcaktimeve publike merren më seriozisht nga Shqipëria, partitë politike, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sistemin gjyqësor, ato mund të shërbejnë si shtysë për reforma të mëtejshme të brendshme.

Por në raport thuhet se inkurajimi i partive politike për të marrë përgjegjësinë për reformën brenda tyre si dhe për të trajtuar akuzat për shpërdorim të pushtetit dhe korrupsion brenda radhëve të tyre, ka rezultuar të jetë një gjë shumë e vështirë.

Media sipas “Freedom House”

Në raport pavarësia e shtypit vlerësohet me 3.5 pikë njësoj si në vitin 2021, një rënie krahasuar me të paktën dy vite pararendëse kur ky tregues vlerësohej me 3.75 pikë.

Viti 2021 ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës thotë “Freedom House”.

Sipas raportit, rreth tetë persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në Shqipëri dhe i përdorin këto platforma për të lobuar për interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike.

Ato (mediat) gjithashtu mbështeten në shantazhimin, ose diskreditimin e personave, që flasin kundër interesave të tyre, ose partive politike, që ato mbështesin.

Përmbajtja e shtypit shqiptar vijoi të përkeqësohej në vitin 2021, me një rritje të numrit të emisioneve televizive, që kryesisht ndajnë opinione të pabazuar në prova, ose fakte të verifikueshme, thuhet në raportin e këtij viti të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion.

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …

Leave a Reply