Familjet e marinarëve që ishin në anijen ruse “Moskva”, e mbytur prej ditësh, po kërkojnë përgjigje për të dashurit e tyre që u zhdukën pas fundosjes javën e kaluar.
“Moskva”, krenaria e flotës ruse të Detit të Zi dhe shtylla kurrizore e ofensivës së saj në Ukrainën jugore dhe qendrore, u mbyt në Detin e Zi më 14 prill, pasi u dëmtua, sipas versionit ukrainas, nga goditjet e raketave “Neptun”. Ndërsa Rusia tha se zjarri ishte rezultat i një shpërthimi municioni dhe se anija u mbyt në një stuhi ndërsa po tërhiqej në port.
Ndërkohë që prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjeve të marinarëve që shërbenin në anije, te cila mund të strehoshin deri në 680 persona, janë në kërkim të së vërtetës, autoritetet ruse pretendojnë se ekuipazhi është evakuuar, por nuk japin detaje të tjera.
I pyetur për të komentuar situatën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të jepte informacione të reja.
“I gjithë komunikimi bëhet përmes Ministrisë së Mbrojtjes”, u tha ai gazetarëve.
“Të gjitha informacionet për këtë çështje janë dhënë nga Ministria e Mbrojtjes dhe ne nuk jemi të autorizuar ta bëjmë këtë këtu”.
Ministria e Mbrojtjes publikoi të shtunën një video me liderin e marinës, admiralin Nikolai Yevmenov, i cili, siç u pa, u takua me rreth njëqind marinarë që thuhet se ishin anëtarë të ekuipazhit të “Moskva”-s.
Por ditët e fundit, disa familje kanë thënë në rrjetet sociale, ose në deklarata për mediat e pavarura ruse apo të huaja, se nuk mund të gjejnë fëmijët e tyre që kanë qenë aty, në kryqëzorin e mbytur.
Dmitri Škrebec pretendon se djali i tij Jegor ishte kuzhinier në anije dhe se tani ai figuron si “i zhdukur në aksion”.
“Renditet si i zhdukur”, tha ai në një postim në VKontakte, rrjeti më i madh social i Rusisë.
Ai shtoi se pasi u përpoqën të mësonin më shumë, komandanti i anijes dhe zëvendësi i tij ndaluan së komunikuari.
Të hënën, Skrebec tha se ishte në kontakt me tre familje të tjera, djemtë e të cilëve u zhdukën gjithashtu.
“Ne po kërkojmë përgjigje me shkrim për pyetjet tona rreth vendndodhjes së fëmijëve tanë”, thotë Škrebec.
Medusa, një portal i pavarur në gjuhën ruse, citoi një burim pranë komandës së Detit të Zi të thoshte se 37 anëtarë të ekuipazhit të anijes ishin vrarë.
Rreth 100 persona janë lënduar, ndërsa numri i saktë i të zhdukurve nuk dihet, thanë ata.
Në kohën kur anija u godit, kishte rreth 500 njerëz në bord, pretendon Medusa, duke cituar burimin e saj.
Besohet se anija, e cila daton në epokën sovjetike, ishte pranë portit të Odessa-s të Detit të Zi në kohën e zjarrit.
Më herët, “Moskva” ka marrë pjesë” në aksione në Gjeorgji, Siri dhe Ukrainë, si dhe në një studim shkencor me Shtetet e Bashkuara.