Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas shtyrjes që i bëri Kreu të Grupit Parlamentar Demokrat Enkelejd Alibeaj në foltoren e Kuvendit, gjatë kohës që ai po merrte fjalën, duke sjellë dhe ndërprerjen e seancës plenare.
Berisha deklaroi nga jashtë Kuvendit, se fjala i takonte atij, pasi ishte përmendur nga kryeministri Rama.
Ai sqaroi se do t’i përmendte shefit të qeverisë dy rastet kur policia ndërhyn në avion për të nxjerrë me forcë pasagjerët, duke iu referuar incidentit të Ramës në avionin e kompanisë Lufthansa.
“Jo nuk e shtyva po mua më takonte fjala. Aty ka një seleksion politik. Edi Rama ulet aty jo vetëm si kreu i organizatës kriminale të djegësve, por dhe si një njeri që është përzënë nga avioni. Dy momente dua të theksoj, çfarë do i thosha në parlament. Nga Lufthansa e largoi policia gjermane, por shqiptarët duhet ta dinë se në avion policia ndërhyn fiks në dy rrethana, kur transportohen të burgosur dhe njëra polici ia dërgon policisë tjetër. Pasagjerët e panë se dymetroshi nuk ishte i burgosur, ata u tmerruan. Unë këtë do t’i thosha në parlament se policia në rastin tjetër ndërhyn në avion kur ka informacione për terrorist”, tha Berisha.