25 prill 2021- Grabitja e zgjedhjeve, që akuzon sektin Rama!

Nga Bujar LESKAJ

Si sot, një vit më parë, në 25 Prill 2021 edhe pse mbi 620.000 shqiptarë votuan ndryshimin, ndryshimi në qeverisje nuk erdhi! Edhe një herë tjetër, padrejtësisht, shqiptarëve iu mohua ndryshimi, e ardhmja, perspektiva europiane.

Nga ata, të cilët me prishjen e marrëveshjes së 5 majit, me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe shkeljen e të gjitha principeve morale e ligjore, me blerjen masive të votave, shpërdorimin e fondeve publike para zgjedhjeve, prokurimet publike, punësimet tremujore, premtimet për legalizime të banesave e njësive tregtare që prishin sot, shantazhimin e qytetarëve shqiptarë, nëpërmjet sistemit të patronazhistëve, sekti Rama bëri një masakër të vërtetë zgjedhore, duke deformuar votën dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve.

Një vit pas masakrës zgjedhore dhe problemeve të brendshme, me dy kuvendet dhe zgjedhjet brenda partisë, ende nuk është bërë një analizë e thellë e kapilare e gjithë faktorëve që na çuan në këtë gjendje. Dhe një analizë e thellë, jo analizë fasadash, duhet të fillojë menjëherë pas Kuvendit përbashkues të 30 prillit, vertikalisht nga seksionet e grupseksionet e deri në qendër.

Kjo analizë duhet të vlerësojë realisht të gjithë ata demokratë, që punuan në zgjedhjet e 25 prillit, kontributorët ndër vite, themeluesit e PD 1990, 1991, 1992, të gjithë ata që e ringritën në vitin e mbrapshtë 1997, që e risollën në pushtet në 2005.

***

Pavarësisht situatës në PD sot, demokratët nuk do të heqin dorë! Shumë shpejt dhe e bashkuar Partia Demokratike do t’i bindë shqiptarët për të larguar këtë sekt nga pushteti dhe për t’i dhënë frymëmarrje demokratike Shqipërisë.

Kundër këtij sekti, i cili i ka vënë shkelmin në fyt shqiptarëve e Shqipërisë, që me politikat e tij varfëron gjithnjë e më shumë atdheun, që nxit ikjen e rinisë jashtë vendit dhe “krenohet” me shpopullimin ka një shumicë shqiptarësh, të cilët duan ndryshimin!

Vetëm të bashkuar nëpërmjet diversitetit, legalizimit dhe respektimit të fraksioneve; debatit të lirë e lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe jemi më më të fortë për të larguar Ramën dhe sektin e tij nga pushteti!

Zgjedhjet vendore janë në prag dhe do të jenë një test për demokratët e bashkuar. Le të shërbejnë përvoja e 25 prillit 2021 dhe debatet e brendshme të PD të kësaj periudhe për t’u ringritur e për të fituar, në interes të demokratëve e shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Republika e Mafias

Nga Luçiano BOÇI Në një shkrim pa bujë por me plot kuptim një gazetar i …

Leave a Reply