Të dëbuarit nga shtëpitë e tyre kërkojnë takim me ministren, Balluku u mbyll derën!

Edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ua ka mbyllur dyert e ministrisë sot në fytyrë,  banorëve të Unazës së Madhe, të Laprakës dhe të Paskuqanit që kanë shkuar për të mësuar se çfarë do të bëhet me banesat e tyre që do t’iu shemben nga shteti për shkak të projekteve të zhvillimit.

“Ne kemi dëgjuar për një Vendim të këshillit të Ministrave, – tha njeri nga banorët që priste ulur tek shkallët e ministrisë, – një VKM sipas së cilit do të shpronësohen ato familje që kanë çertifikatë pronësie. Po me ne çfarë do të bëhet që kemi 17 vjet që i kemi dërguar letrat për legalizim?! Në 17 vjet, këta “nuk na gjetën” ku ishim, kur se për dhjetë ditë na gjetën, na matën shtëpitë dhe na kërkuam që të largoheshim.”

Një banor i Shkozës, që preket nga rruga që kalon tek Kodra e Priftit, tha: “Deri tani kemi parë vetëm dyer të mbyllura, siç kemi parë gjithmonë tek ata që e kanë në varësi projektin e Unazës.  Tek ARRSH del gjithmonë një person që na përcjell, kurse tek ministria i kanë dyert mbyllur.

Duam, të dimë çfarë po bëhet me projektin?! Se nuk është projekti që ka prezantuar ministrja, ai i vitit 1989, por është një projekt tjetër që prek dyfishin e banesave që prekte ai projekt.

Të paktën tek Kodra e Priftit është një pjesë 80% e gjurmës së vjetër bosh dhe prek 7 shtëpi, kurse me gjurmën e re miratuar në 2021-in,  preken 40 shtëpi dhe 20 të tjera dalin jashtë funksionit për shkak të ndërtimit të rrugës në formë ure. Pra, një devijim“.

Gazetari Bled Marku, edhe shtëpia e të cilit po ashtu në Laprakë është parashikuar të shembet, ishte një prej atyre që prisnin një reagim nga Ministria e Infrastrukturës.

“Kemi qenë javën e kaluar tek Agjencia e Shpronësimit, – tha Marku, – dhe na kanë sqaruar drejtori aty me një kortezi goxha të lartë se ato banesa që kanë dokument pronësie, do të trajtohen. Madje ka dalë edhe dje një VKM në Fletoren Zyrtare, ku ka dalë edhe çmimi për metër katror të banesës, ndërtesës, godinës dhe truallit e kakofonia që është këtu apo lëmshi, u bë me deklaratën e zonjës Balluku ditën e shtunë në një media ku tha se pritet një VKM që ta miratojmë e t’u  japim zgjidhje atyre familjeve që nuk kanë dokument pronësie, por duke parë mbylljen e dyerve të lë të hamendësosh se nuk ka asnjë lloj VKM-je dhe nuk po mendohet asgjë.

Nëse do të kishim diçka konkrete, si zonja Balluku apo personat që merren me shpronësimin apo dhënien zgjidhje atyre personave që janë pa dokument, do të dilnin e të na jepnin një informacion e do të thoshin “po, jemi në diskutim e sipër”…

Ndaj kemi ardhur këtu sot përpara Ministrisë së Infrastrukturës, as për të takuar Ballukun, as për karshillëk të askujt, thjesht duam të dimë çfarë do të bëhet me ata persona që e kanë banesën të ndërtuar tash 30 vjet e për arsye të ndryshme diskriminuese, për ryshfet etj,. nuk e kanë marrë dokumentin e pronësisë dhe ky dokument pronësie e lidh direkt me shpronësimin.

Edhe nëse do të ketë një VKM në të ardhmen duhet të njihemi me të që të merret një vendim në favor të njerëzve. Nuk jemi ne e keqja e Tiranës, janë ata që vjedhin paratë e këtij vendi, që bëjnë rrugë 28 milionë euro  kilometrin të Unazës“.

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …

Leave a Reply