Lideri historik demokrat, Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, lëshoi akuza të rënda ndaj Edi Ramës, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet e kryeministrit me Vuçiç.
Berisha tha se Rama e ka kthyer Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë të Serbisë ndaj Kosovës. “Kryetarë shtetesh hapin sytë kur e dëgjojnë Ramën të flasë me aq pasion për Vuçiç. Ne jemi për bashkëpunim rajonal, por nuk mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohte ndaj Kosovës”, tha Berisha.
“Ne nuk do e pranojmë kurrë Ballkanin e Hapur, një aleancë antishqiptare, një aleancë që është fund e krye në shërbim të Serbisë së Madhe. Ajo është në shërbim të influencës ruse në rajon. Koha po provon se miku i ngushtë i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, ka rikthyer Serbinë me politikën e tij, ashtu siç ka qenë 100 vite më parë, një Rusi e vogël në rajon.
Megjithatë ne jemi këtu prapë në këmbë, për t’i thënë këtij serbomadhi se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës, do përballet me reagimin e kombit shqiptar si një komb i vetëm. Asgjë nuk na impresionon ne. Nëse do paqe e bashkëpunim, jemi të hapur. Atë fat që do ketë Putini, do e kesh edhe ti nëse kërcënon”, tha Berisha.
Lideri historik u zotua se me ardhjen e PD-së në pushtet, do të nënshkruhet një marrëveshje që qytetarët e Kosovës të gëzojnë shtetësinë shqiptare apo dyshtetësi si qytetarët që jetojnë këtu.
“Imagjinoni ju ata burra e gra e të rinj që këto 30 vite kanë nisur djersën mundin, shpirtin, miliarda euro në Shqipëri, e janë shndërruar faktor kryesor në mbështetjen e familjeve shqiptare, por dhe në bilancin tregtar të vendit, atyre nuk u njihet asnjë e drejtë nga Shqipëria, përkundrazi dhjetëra-mijëra prej tyre që vuajnë shumë për të rikthyer shtetësinë e tyre.
Këto marrin fund, shqiptarët kudo ku janë do kenë shtetësinë shqiptare, shqiptarët e Kosovës në një marrëveshje do gëzojnë këtë shtetësi apo dyshtetësi si qytetarët shqiptarë këtu apo në Kosovë”, tha Berisha.