Presidenti i UEFA: Kosova, anëtare e vlefshme e familjes europiane të futbollit

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ia ka uruar Kosovës gjashtë vjetorin e anëtarësimit në institucionin që e drejton ai.

Vendi ynë ishte futur në ombrellë të UEFA-s më 3 maj të vitit 2016, ndërsa pas pak ditësh kishte pasuar edhe pranimi në FIFA, shkruan “Gazeta Express”.

Kreu i futbollit evropian, në letrën e tij dërguar kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, Kosovën e ka konsideruar si anëtarë të vlefshme të familjes evropiane të futbollit.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm, dua ta falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës që është anëtare e vlefshme e familjes evropiane të futbollit. Keni bërë një rrugë të gjatë në një kohë kaq të shkurtër. Duke e ndjekur vizionin e qartë të cilin e krijoi miku ynë i dashur Fadil Vokrri, FFK-ja e ka përmirësuar në mënyrë strategjike infrastrukturën e futbollit në mbarë vendin, gjë që do të mundësojë lulëzimin e mëtejshëm si të futbollit bazik ashtu edhe atij elitar”, ka shkruar i pari i UEFA-s.

Më tej, Ceferin është shprehur i lumtur që sot FFK përfiton nga programet e shkëmbimit të njohurive dhe investon në edukim, e i cili sipas tij do të ndikojë pozitivisht dhe do të frymëzojë suksesin në të gjithë piramidën e futbollit.

“Shumë nga këto projekte u mbështetën nga programi ynë i zhvillimit ‘HatTrick’ dhe jemi të lumtur që ne mund të jemi aty për ju, ndërsa hidhnit hapat e parë në skenën ndërkombëtare. Të jeni të sigurt se UEFA do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i FFK-së. Gjithashtu do të doja t’ju falënderoja që na qëndruat pranë në këto kohë të trazuara kur ne kemi mbrojtur me sukses thelbin e vërtetë të futbollit, pavarësisht të gjitha pengesave. Futbolli na lejon të ëndërrojmë shumë. Kombëtarja juaj tashmë ishte në prag të kualifikimit për një turne të madh evropian. Pra, i dashur Agim, vazhdo të ëndërrosh suksesin dhe puno fort për ta arritur atë. Me pasion të vërtetë dhe përkushtim, gjithçka është e mundur. I uroj federatës suaj të futbollit shumë vite suksese dhe prosperitet si brenda edhe jashtë fushës”, ka shkruar tutje presidenti Ceferin.

About Redaksia

Check Also

Mbappe nuk largohet vetëm nga Parisi

Në Francë, gjithçka rrotullohet rreth Kylian Mbappe. Vendimi i fundit i Luis Enriques për të …

Leave a Reply