Lideri i PD, Sali Berisha deklaroi në emisionin ‘Çim Peka Live’ se, Edi Rama dhe Ulsi Manja, të cilin e quajti anëtar të organizatës kriminale të përfshirë në dosjen ‘184’, e dinë fare mirë se ky pushtet nuk do të qëndronte nëse vendi do kishte pasur një opozitë të vërtetë.
Berisha u shpreh se, qeverisë i ka hyrë lepuri në bark dhe horrori në shpirt ndërsa shtoi se ata po dekompozohen për shkak të skandaleve të tyre madhore. Ndër të tjera lideri i PD tha se do të bëjë çdo gjë për t’i shkurtuar jetën këtij regjimi që e ka çuar Shqipërinë në ditët më të vështira.
“Rama dhe Ulsi Manja e dinë që kurrë ky pushtet nuk qëndronte nëse Shqipëria do kishte një opozitë të vërtetë. Ju ka hyrë lepuri në bark, horror në shpirt, po dekompozohen. A mundet një kryeministër të bëjë këtë që Rama bën me një Prokurori. As në diktaturë.
Sali Berisha do bëjë gjithçka për t’i shkrtuar jetën këtij regjimi që ka prurë Shqipërinë në ditët e saj më të vështira. Vendi po shkretohet nga njerëzit. Çdo gjë trajtohet sipas standardeve të Ramës. Muajin tjetër fillojnë sirenat e urisë. Ilaçet nuk i blejnë dot njerëzit”, tha Berisha.