Nga Hysen KADIU
Rama mbërrin në Golem!
Paradoksi më i madh qëndron në faktin se ishte i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë Durrës.
Ishte ky një injorim për kryebashkiakun e Kavajës dhe deputetin e zonës apo një paralajmërim se diçka e paramenduar do të ndodhë me bregdetin e qytetit tonë?!
Pasi e zhveshi Kavajën nga ana institucionale, Rama siç duket ka në plan ta zhveshë atë dhe nga resurset natyrore, siç është bregdeti, i cili është burim të ardhurash dhe mirëqënie për qytetin.
Mesa duket, dora e zgjatur e Ramës kërkon të gllabërojë edhe atë që zoti i ka falur qytetit të Kavajës.
Pasi na hoqën, një nga një të gjitha institucionet jetike, Rilindja po rinis një plan tjetër, atë të copëtimit administrativ të territoreve të Bashkisë Kavajë.
Kjo gjë nisi fillimisht me Reformën famëkeqe Territoriale, ku Kavaja humbi disa zona të rëndësishme bregdetare dhe më pas vazhdoi me anë të “Vendimeve të Këshillit të Ministrave” ku një pjesë e konsiderueshme e vijës tonë bregdetare u hoq në mënyrë arbitrare nga administrimi i Bashkisë Kavajë.
Tanimë, sulmi i rradhës ndaj qytetit na u bë i njohur sot.
Është momenti kur qytetarët nuk duhet të heshtin më, por duhet të ngrenë zërin dhe t’i kërkojnë llogari kryebashkiakut të tyre për padrejtësitë konstante dhe permanente që po i bëhen qytetit tonë.
Tani është koha!
Nesër do të jetë shumë vonë!
Të reagojmë sepse revanshi djallëzor, pas të cilit fshihen plane po aq djallëzore e korruptive, do e kthejë Kavajën nga një pikë nevralgjike turistike, thjeshtë në një pikë të papërfillshme në hartën territoriale të iniciuar nga kjo qeveri e papërgjegjshme!