Një bankë e një niveli të dytë u grabit mesditën e sotme. 7 minuta iu ka mjaftuar 3 autorëve të kryejnë në mes të ditës grabitjen e bankës së nivelit të dytë në Koplik
Një bankë e një niveli të dytë u grabit mesditën e sotme. 7 minuta iu ka mjaftuar 3 autorëve të kryejnë në mes të ditës grabitjen e bankës së nivelit të dytë në Koplik të Malësisë së Madhe.
Ngjarja, sipas policisë, ndodhi në ora 14:10, ku disa persona të paidentifikuar, të maskuar, kërcënuan me armë punonjësit dhe klientët që ndodheshin aty dhe pas marrjes së një sasie parave, janë larguar menjëherë.
Në momentin kur kanë dalë nga banka mësohet se një punonjës i policisë kufitare që ndodhej aty jashtë ka tentuar t’i ndalojë, por pa sukses, pasi grabitësit e maskuar e kanë kërcënuar me armë. Ata janë larguar me një makinë ngjyrë të zezë, e tipit Volksvagen.
Për të humbur gjurmët, grabitësit, në dalje të qytetit të Koplikut kanë djegur automjetin, ndërsa më pas po nën kërcënimin e armës i kanë rrëmbyer një qytetari makinën tip “Benz” dhe janë larguar.
Burime pranë policisë bënë të ditur se për kapjen e autorëve në ndihmë të këtij operacioni, përveç forcave të FNSH dhe RENEA në dispozicion iu vu një helikopter i policisë për ndjekjen nga ajri, pasi dyshohet se grabitësit i janë drejtuar fshatrave kufitare me Malin e Zi. Ndërsa vlera totale e grabitur nuk është mësuar ende.