Lideri i PD, Sali Berisha deklaroi nga foltorja e Kuvendit se integrimi i Shqipërisë është shndërruar në një horizont që largohet çdo ditë nga ne, jo për shkak të BE, por prej qeverisë që e ka shndërruar Shqipërinë në prodhuese të drogës.
Berisha përmendi edhe presionin e qeverisë ndaj fjalës së lirë, mediave, ndërsa nuk la pa përmendur edhe vdekjen e Ilvi Metës në komisariatin e Kavajës. Sipas liderit të PD kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore.
“Mediat janë në një censurë të rreptë. Liritë dhe të drejtat nëpërkembën çdo ditë nga një regjim që ka zëvëndësuar shtetin ligjor në narkoshtet.
Dënoj me forcën më të madhe vdekjet në qelitë e zeza të komisariateve dhe burgjeve në Shqipëri që janë shndërruar në birucat e dikurshme të sigurimit të shtetit.
Në një hark kohor 5-javor, në Kamëz dhe në Kavajë, humbin jetë, vriten apo vetëvriten dy të rinj, në qeli, në vendin ku sipas ligjit duhet të ishte vendi më i sigurtë.
Dënoj qëndrimin e regjimit ndaj këtyre rasteve, vrasje të mirëfillëta shtetërore. Nderojmë me 1 minut heshtje ata që vdiqën nën regjimin e narkoqeverisë në qeli”, tha Berisha.