SHBA miraton 40 miliardë dollarë ndihmë në mbështetje të Ukrainës

Në Shtetet e Bashkuara Dhoma e Përfaqësuesve miratoi më shumë se 40 miliardë dollarë ndihme të mëtejme për Ukrainën të martën, ndërsa Kongresi po përpiqet të mbajë rrjedhën e ndihmave ushtarake dhe të forcojë qeverinë në Kiev, për t’u përballur me agresionin rus.

Dhoma e miratoi paketën me 368 vota pro, 57 vota ishin kundër. Paketa pritet të kalojë për miratim në Senat.

Presidenti Joe Biden i kërkoi dy javë më parë Kongresit të miratojë një ndihmë shtesë prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, por ligjvënësit vendosën të rrisin fondet ushtarake dhe humanitare.

“Ky projekt-ligj do të mbrojë demokracinë, do të kufizojë agresionin rus dhe do të forcojë sigurinë tonë kombëtare, ndërsa, më e rëndësishmja, do të mbështesë Ukrainën”, tha përfaqësuesja demokrate Rosa DeLauro, ndërsa kërkoi mbështetje për paketën e shpenzimeve.

Presidenti Biden i kishte bërë thirrje Kongresit që të veprojë shpejt në mënyrë që ai të mund të nënshkruajë ligjin përpara se ndihma ekzistuese e mbrojtjes për Ukrainën, të përfundojë më vonë në maj.

Disa republikanë e kundërshtuan projektligjin, duke kritikuar demokratët për lëvizjen shumë të shpejtë për të dërguar shumë dollarë të taksapaguesve amerikanë jashtë vendit. Projektligji do të ketë nevojë për votat e republikanëve për t’u miratuar në Senat.

Oksana Markarova, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, u bëri thirrje për ndihmë senatorëve demokratë dhe republikanë.

“Ishte një mesazh shumë i përzemërt dhe i lehtë për t’u kuptuar: Njerëzit e tyre po vdesin; po u mbarojnë furnizimet dhe municionet. Ata kanë nevojë për ndihmën tonë… Ju lutem. Shpejtojeni atë,” tha senatori demokrat Dick Durbin pas fjalimit të ambasadores Markarova.

Senatori republikan Rob Portman, një anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se pret mbështetje të mjaftueshme republikane për projektligjin për ta miratuar atë në Senat.

About Redaksia2

Check Also

Vjosa Osmani: SHBA ka marrë rol udhëheqës në Ballkan me Trump, parandaloi Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald …

Leave a Reply