Enton DOÇI (Lyon)
“Rusia do ta shohë pranimin e Finlandës në NATO si një kërcënim dhe ky vendim nuk do të kontribuojë për më shumë siguri”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të enjten.
“Siç e kemi thënë edhe shumë herë të tjera, zgjerimi i NATO-s nuk do ta bëjë botën më të stabilizuar dhe të sigurtë”, iu ka thënë Peskov reporterëve pasi krerët politikë të Finlandës i dhanë mbështetje aplikimit për anëtarësim në NATO.
Peskov shtoi se reagimi i Rusisë do të varet nga zhvillimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s.
“Do të varet se çfarë do të sjellë ky proces zgjerimi, sa larg dhe sa afër kufijve tanë do të lëvizë infrastruktura ushtarake”, tha Peskov.
Rusia do të analizojë situatën me hyrjen e Finlandës në NATO dhe do të përpunojë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e saj, sipas tij.