Nga Agron SHEHAJ
Fjala në Kuvend
Të nderuar kolegë dhe qytetarë që na ndiqni.
Disa muaj me parë mediat zbuluan se Qeveria kishte shpallur investitor strategjik bashkëshortin e ministres së Jashtme.
Edi Rama, si kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, vuri firmën për të shpallur investitor strategjik bashkëshortin dhe kunatën e huaj të ministres së tij.
Pra qeveria merr vendime dhe shpërblen anëtarët e saj me favore, u fal plazhet e bregdetit, u heq taksat, investon paratë e qytetarëve për të ndërtuar infrastrukturën që u shërben investimeve private të ministrave dhe familjarëve te tyre.
Skandal dhe konflikt me flagrant interesi nuk mund të ketë.
E megjithatë, Olta Xhaçka vazhdon të jetë deputete dhe ministre e Jashtme, pavarësisht shkeljes së qartë të ligjit të konfliktit të interesit.
Por ministrja Xhaçka nuk është e vetmja investitore strategjike në këtë qeveri. Një ditë më parë mësuam se të afërmit e një zyrtari tjetër të lartë të Partisë Socialiste janë shpallur investitorë strategjik.
Bëhet fjalë për kushërinjtë e Damian Gjiknurit, ish ministër Infrastrukturës dhe Energjisë, sot sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.
Damian Gjiknuri deklaroi se pronari i kompanisë që ka marrë statusin e investitorit strategjik nuk është djali i xhaxhait të tij. Është fakt që në Vlorë të gjithë e njohin pronarin e kompanisë strategjike Andi si djalin e xhaxhait të Gjiknurit.
Pavarësisht besueshmërisë së ulët të Gjiknurit, sidomos pas skandalit te DH Albania ku u kap në flagrancë duke transferuar në Delaëer dhjetra miliona euro të taksapaguesve, s’ka dyshim që ai e di me mirë nga të gjithë se çfarë lidhje familiare ka me këtë investitor strategjik, prandaj i bëj thirrje Gjiknurit të sqarojë parlamentin dhe opinion publik për këtë lidhje familjare.
Është e qartë qe Edi Rama po përdor ligjin e investimeve strategjike për të pasuruar bashkëpuntoret e tij. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një aferë edhe më të rëndë.
Disa muaj më parë qeveria zvogëloi parkun më të rëndesishëm arkeologjik të Shqipërisë, atë të Butrintit duke nxjerrë 800 hektarë nga zona e mbrojtura.
Në një pjesë të atyre 800 hektarëve do të ndërtohet resorti i kushërinjve të Damian Gjiknurit, numrit 2 të Partisë Socialiste.
Do shkatërrojnë Parkun Kombëtar për të ndërtuar resortet e tyre, për të përvetësuar plazhet e Shqipërisë dhe për të marrë një serë favoresh të tjera që vijnë me statusin e investitorit strategjik.
Kjo nuk është një rastësi. Në fakt ky është një aktivitet i strukturuar, ku i gjithë shteti dhe e gjitë vendimarrja publike vihet në funksion të një qëllimi, përvetësimit të aseteve publike nga qeveritarët në pushtet. Dhe provat për këtë janë në dritën e diellit.
Në vitin 2015 kjo maxhorancë miratoi një ligj për investimet strategjike. Ai ligj nuk u miratua që në Shqipëri të kryheshin investime strategjike nga kolosët e turizmit elitar ose brand name, siç u munduan ta shisnin të opinioni publik.
Por u miratua që qeveritarët dhe bizneset kliente të qeverisë të grabisnin tokat publike në bregdet dhe t’i jepnin vetes favore me ligj.
Ja ku jemi sot. Në vend të investitorëve strategjikë, ligji na solli ministrat strategjikë, të cilët njëri pas tjetrit po bëhen me resorte, hotele dhe fshatra turistike në të gjithë bregdetin e Shqipërisë.
Ky është ligji që po shpronëson tokat e pronarëve të ligjshëm për interesat private të ministrave dhe zyrtarëve të Partisë Socialiste. Është ligj përmes të cilit po rrëmbehen qindra dhe mijëra hektarë tokë shtetërore nga pushtetarët apo bizneset e lidhura me qeverinë.
Plazhi i Gjeneralit, Palasa, Dhërmiu, Himara. Kudo, në çdo cep të bregdetit do të gjeni ministra strategjikë, që janë bërë pronarë të bregdetit. Ky është një ligj korruptiv, antikushtetues dhe djallëzor. Kjo është një qeveri e mbrapshtë, e korruptuar deri në palcë dhe pa turp. Sepse vetëm nëe qeveri që nuk ka turp mund të firmosë për të bërë ministrat e saj dhe familjarët e tyre investitorë strategjikë.