Modeli Putin

Është e rëndësishme të kuptohet se rusomania aktuale nuk është veçse një simptomë e dobësimit të përgjithshëm të traditës liberale në Perëndim” (George Orwell, Liria e shtypit)

Performance ishte kryefjala në qytet, një botë në të cilin gangsterët bëhen artistë, kacavjerrësit socialë citojnë Pushkinin dhe Hell’s Angels e mbajnë veten si shenjtorë. Rusia kishte asistuar në ndodhjen e suksesionit të shpejtë të shumë botëve të ndryshme – komunizëm, perestrojkë, teori ekonomike e përplasjes, mizerjes, oligarkisë, shtetit të mafies, domimit të super të pasurve – për t’i bërë heronjtë e saj të rinj të besojnë se jeta nuk është gjë tjetër veçse një ballo me maska ku çdo rol, pozicion apo bindje ishte e ndërkëmbyeshme”.

Këto fjalë janë nxjerrë nga faqet e para të Asgjë nuk është e vërtetë, gjithçka është e mundur, një prej librave më të ndritshëm për Rusinë dhe për Moskën i 15 viteve të fundit, vepër e Peter Pomerantsev, gazetar, prodhues televiziv dhe sidomos vëzhgues i pajisur me aftësi depërtuese dhe rafinmi analitik, britanik nga shtetësia, por sovjetik nga lindja. Për të kuptuar domethënien e vërtetë të dy shprehjeve që përbëjnë titullin e librit, më shumë kriptike në qartësinë thelbësore të tyre, do të jetë e dobishme t’i drejtohesh çfarë shkruan një tjetër gazetar britanik, Charles Clover, në librin Black wind, white snow: “Në këtë hiperrealitet që është Rusia e sotme, ku një univers paralel është i amplifikuar deri në një vëllim shurdhues falë televizionit, ideologjia është në realitet një lojë e thjeshtë gjuhësore apo i korrespondon vetëm raporteve të maskuara të pushtetit. E gjithë politika është përkatësi e pastër dhe spektakël dhe të gjitha diskutimet ekuivalentohen; gjithçka është e vërtetë”.

Pra asgjë nuk është siç duket. Politikat e fuqisë të ‘800 dhe i reality show, propaganda dhe ajo që mbetet nga e vërteta. Demokracia dhe diktatura. Për vite pushteti rus ka udhëtuar mbi këtë binar të dyfishtë: nga njëra anë ka ditur të dekonstruktojë dhe më pas të vërë në shërbim të një pushteti politik më autoritar elementët e kulturës pop dhe të pasmodernes me të cilat vendi ishte dehur; nga tjetra ka kultivuar mitin e shefit që drejton komunitetin kombëtar me dorë të hekurt, që respektohet në botë, që mbron shtetin dhe është pikërisht mbi këtë shtyllë të dytë të sistemit të pushtetit rus – ku, ka shkruar këshilltari i Kremlinit Vladislav Surkov tek “Nezavisimaja Gazeta”, pika themelore është “besimi në komunikim dhe ndërveprim midis liderit dhe qytetarëve” – që e mbështet popullaritetin e presidentit Vladimir Putin në opinionet publike të Europës Perëndimore, sidomos nga e djathta dhe midis ultrakonservatorëve, sovranistëve dhe populistëve.

Në panteonin e nacionalistëve europianë presidenti rus zë vendin me prestigj të lartë, pavarësisht sinjaleve të para të prishjes së konsensusit midis bashkëkombësve. Nëse kryeministri hungarez Viktor Orbán mund të konsiderohet lideri in pectore i nacional-populistëve të vendeve të Bashkimit Europian, Putini mishëron një rol ende më fisnik: është modeli i një vizioni të saktë të botës që është bërë realitet. Rusia tradicionaliste dhe sovrane e tij është prova që një alternativë ndaj demokracisë liberale – me kullotat e saj, hipokrizinë e politikisht korrektes, multikulturalizmit dhe shoqërisë së hapur – ekziston vërtet, funksionon dhe është shembulli ku të frymëzohesh. Akoma Surkov: “Perëndimorët nisin të shikojnë përreth në kërkim modelesh të tjera dhe mënyrash të jetesës dhe zbulojnë Rusinë”.

Në një botë në transformim shumë të shpejtë dhe gjithmonë të tërhequr nga sirenat e kulturës pop të markës perëndimore, bota ku “asgjë nuk është e vërtetë dhe gjithçka është e mundur”, presidenti Putin ka përdorur argumentat e nacionalizmit për të krijuar një identitet kombëtar passovjetik dhe për të konsoliduar sistemin e tij të pushtetit. Duke u nisur nga këto baza ka ndërtuar profilin e tij ndërkombëtar.

Në zbulim të së djathtës eksptreme passovjetike

Të individualizosh trajektoren e nacionalizmit rus në këto 25 vitet e fundit mund të jetë një pikënisje e mirë dhe Aleksandr Verkhovsky, sociolog dhe drejtor i qendrës studimore Sova Center for Information and Analysis, i specializuar në kërkime mbi nacionalizmin dhe racizmin. Është sigurisht guida më e mirë me të cilin të shkohet në zbulimin e së djathtës ekstreme passovjetike.

“Për të kuptuar se çfarë ndodh sot duhet filluar nga vitet ‘90”, thotë Verkhovsky, i ulur në skrivaninë e zyrës së tij të vogël të mbushur me dosje dhe dokumenta në bodrumet e një pallati të bukur të ‘800 në lagjen Kitai Gorad, në zemër të Moskës. “Atëhere qenë aktive grupe të ndryshme që mund t’i quajmë nacionalistë, por të një nacionalizmi që ishte në thelb nostalgjik: për kohët e lavdishme të Bashkimit Sovjetik, sidomos në fazën e stalinizmit, për perandorinë cariste dhe, në disa raste, edhe për një të kaluar mitike sllave, që humbet në natën e kohëve dhe për të cilën dihet shumë pak. Ky tip mendimi pastrërisht kalimtar, megjithatë nuk mund të zgjaste. Forcat politike thjesht nacionaliste grumbulluan rezultate shumë zhgënjyese në zgjedhje dh në një moment të caktuar qe e qartë se qenë mundur, se qenë jashtë loje. Për të dhënë një shembull, lëvizja kryesore neofashiste në ato vite, Uniteti Kombëtar Rus, u shkri në 2002 në vijim të një serie kontrastesh të brendshme. Pas kësaj faze i afirmua një tip i ri ekstremizmi politik, i ngritur mbi racizmin dhe refuzimin e emigracionit, por, në ndryshim nga Perëndimi, motivi shpërthyes i kësaj ksenofobie të dhunshme nuk kishte të bënte me religjionin. Natyrisht, rreziqet e islamizmit dhe të terrorizmit qenë gjerësisht të pranishme në propagandën nacionaliste, por arësyeja e vetme e urrejtjes kundër emigrantëve – që atëhere vinin sidomos nga vendet qendraziatike dhe nga Azerbaixhani – ishte përkatësia e tyre etnike. Kjo valë armiqësie të dhunshme, që mund të quhet qartazi raciste, e ndryshoi fytyrën e nacionalizmit rus”.

Në ato vite, rreth kapërcyellit të mijëvjeçarit, vendi kaloi një seri ngjarjesh që do të përcaktonin pjesërisht rrugëtimin e ardhshëm të tij. Në 1998 ndodhi përvoja traumatike e rënies së rublës, që qe një prej momenteve më dramatike të një dekade hapjesh dhe lirishë, por edhe kaosi dhe paqëndrueshmërie. Më pas, në gushtin e 1999, nisi lufta e dytë çeçene. Pak muaj më parë kishte ndodhur kriza e Kosovës, me bombardimet e NATO në Serbi. Qe në atë moment që u kapën paralajmërimet e para të keqësimit të ardhshëm i raporteve me Perëndimin. Së fundi, më 31 dhjetor, hyn në skenë Putini. Në diskutimin e zakonshëm të Vitit të Ri, presidenti i atëhershëm Boris Jeltsin i besoi drejtimin e vendit, pasi ka njoftuar dorëheqjen e tij pak përpara shumë kohe nga mbarimi i mandatit të tij. 4 muaj më pas, më 26 mars 2000, vazhdimësia u sanksionua nga vota popullore: ish agjenti i KGB u zgjodh në Kremlin me 53% të votave.

“Dhe popullariteti i tij qe i menjëhershëm. Putini u perceptua menjëherë si presidenti i shpresës. Udhëhoqi dhe fitoi luftën e dytë çeçene dhe pati fatin që shikojë rritjen e ndjeshme të çmimit të naftës, faktor që pati pasoja shumë pozitive ndaj ekonomisë së vendit. Respektivisht dekadës së mëparshme, situata ishte në përmirësim të plotë, por problemet nuk u zhdukën dhe me një president tashmë popullor, koka e turkut e frustrimit të qytetarëve u bënë emigrantët, anipse në këtë periudhë emigracioni ndryshon fytyrë.

Emigrantët e ardhur në Rusi në vitet ’90, mjaft të shumtë për hir të së vërtetës, qenë në shumë aspekte të ngjashëm me rusët: flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtin mentalitet, kishin qenë qytetarë të së njëjtës perandori. Banorët e Tashkentit nuk qenë aq të ndryshëm nga ata të Smolenskut, në një farë mënyre qenë mishërimi i homo sovieticus, por që u zhduk me tranzicionin që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik. Të huajt që erdhën nga 2000 e më pas, sidomos më të rinjtë, qenë të ndryshëm nga baballarët dhe vëllezërit më të mëdhenj të tyre: nuk flisnin rusisht dhe nuk qenë pjellë e shkollës dhe e kulturës sovjetike. Kjo valë migratore qe një risi e vërtetë me të cilët rusët nuk qenë mësuar. Atëbotë Moska ishte një qytet predominues sllav, nuk ishte akoma metropoli multietnik që është bërë më pas, me një prani të fortë qytetarësh qendraziatikë”.

Ato qenë edhe vite dhunash brutale kundër emigrantëve, të huajve dhe pakicave etnike. Përshtypja është se përpara se të reagojë dhe të marrë masat pushteti e ka kalëruar në një farë mënyre këtë fazë ekstremizmi.

“Parasëgjithash duhet thënë e në terma absolute grupet e së djathtës ekstreme kanë qenë gjithmonë minoritarë. Në maksimumin e popullaritetit të saj, në 2011, i ashtuquajturi Marshim Rus, i organizuar nga ultranacionalistët në Moskë çdo 4 nëndor, me rastin e Ditës së Unitetit Kombëtar, mblodhi jo më shumë se 7000 njerëz në një qytet që ka më shumë se 10 milion banorë. Megjithatë është e pamohueshme se formacionet e së djathës ekstreme kishin një shikueshmëri të caktuar dhe qenë shumë aktive. Në vitet ‘2000 dhunat kundër emigrantëve dhe të huajve qenë vërtet jashtë kontrollit, që e alarmoi shoqërinë, sidomos në komponentet më progresiste të saj. Sipas vlerësimeve më të matura, vrasjet me sfond racor në Rusi qenë 10 herë më të shumtë në numër se në vendet e Europës Lindore me barazi popullsie. Qe atëhere që shoqëria dhe politika filluan ta konsiderojnë rrezik këtë lloj nacionalizmi haptazi racist”.

Episodi që i vuri institucionet në alarm dhe shtyu të ndryshohej qëndrim mbi çështjen, nëse nuk e kujtoj keq, qe revolta e Kondopogas, një qytezë e vogël e Rusisë veriore. Në 2006 vrasja e 2 burrave rusë nga dora e disa kriminelëve çeçenë brenda një restoranti të menaxhuar nga azerë shkaktoi dhuna që u shpalosën në një pogrom të vërtetë kundër qytetarëve me origjinë kaukaziane. Ndodhia pati rezonancë të madhe, edhe jashtë Rusisë. Qe vërtet një pikë kthese?

“Po, sepse në Kondopoga qeveria kuptoi se situata rrezikonte që t’i ikte nga dora dhe kuptoi se ultranacionalizmi do të mund të shkaktonte dhuna të mëtejshme, trazira dhe paqëndrueshmëri politike. Ndryshoi gjithçka. Pati arrestime, me qindra dhe Putini, që ishte tashmë një lider tenokratiko – autoritar i vërtetë, përveçse një politikan jashtëzakonisht pragmatik, kuptoi se ishte e nevojshme të krijohej, hap pas hapi dhe me maturi të madhe, një lloj nacionalizmi shtetëror”.

Në një farë mënyre ky projekt i ri shërbeu edhe për të vënë rend në procesin konfuz të formimit të shtetit rus dhe të identitetit pasperandorak të tij. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, detyra më e vështirë që ju paraqit drejtuesve të Rusisë së re qe përkufizimi i një vizioni kombëtar për vendin. Pozicionet dhe idetë qenë të ndryshme. Kishte kompententë që parapëlqenin ruajtjen e identitetit territorial të Rusisë, zgjedhje që sillte nevojën e praninimit të minorancave të ndryshme, të organizuara në entitete politike autonome, brenda kufijve të vendit dhe kush nënvizonte në fakt rëndësinë e integritetit etnik, duke imagjinuar një shtet më pak të zgjeruar dhe të gatshëm që të hiqte rajonet me shumicë joruse, por më koheziv dhe më homogjen.

Në fillimet e viteve ’90 u fol edhe për një model liberalizmi liberal, sipas përkufizimit të propozuar në një artikull të shkruar nga Anatolij Çubais, arkitekti i privatizimeve të viteve ’90. Sipas këtij vizioni, Rusia demokratike do të ishte nyja e një sistemi të integruar të shtrirë në të gjithë hapësirën passovjetike. Disa kohë më pas, në 2008, lufta në Gjeorgji demonstroi se ky projekt ishte më agresiv nga sa linte të imagjinonte propozimi i Çubaisit. Moska kishte lënë të kuptohej se ishte e gatshme të rrokte armët për të mbrojtur sferën e saj të influencës në të ashtuquajturin fqinj i afërt, bližnee zarubeže në rusisht, zonën e zënë nga shtetet ish sovjetike: një koncept thelbësor për politikën e jashtme ruse të 25 viteve të fundit. Pra, diçka kishte ndryshuar dhe Putini që në 2012 rimori frenat e presidencës, pas 4 vitesh të kaluara si kryeministër, ishte shumë ndryshe nga ai i dy mandateve të para. Tashmë haptazi kritik ndaj liberalizmit perëndimor, i lidhur me kishën ortodokse, tradicionaliste, më pohues ndaj vendeve fqinje, vendosi me vetëdije ta përdorë diskursin nacionalist për të ndërtuar konsensus dhe mobilizuar qytetarinë.

“Për afirmimin e kësaj teorie të bazuar mbi nacionalizmin, si të thuash, dy momente në veçanti kanë qenë vendimtarë”, shpjegon Verkhovski. “Parasëgjithash protestat demokratike e 2011. Në atë moment Kremlini ka kuptuar se shërbente një kundërmobilizim proqeveritar. Me dhjetëra mijëra persona nëpër sheshe, pushteti kishte nevojë për mbështetje nga poshtë, që deri më atëhere nuk kishte qenë asnjëherë e nevojshme. Në lojë nuk ishte asnjë ideologji, vetëm pragmatizëm politik dhe objektivi i ruajtjes së stabilitetit. Por gjithçka ishte copëzuar me fragmente ideologjishë të vjetra, me një slogan që ishte i kudondodhur: të mbroheshin vlerat tradicionale. Kryefjalë e vagullt dhe pa një domethënie të vërtetë. Konkretisht përdorej një konservatorizëm i caktuar, mbi shpirtin kolektivist, qartazi i trashëguar nga epoka sovjetike dhe mbi patriotizmin, që tashmë po merrte formën e një mërie të përhapur antiperëndimore. Së fundi ishte fehja ortodokse. Në këtë fatë shteti ka nisur ta përdorë kishën, sidomos nga pikëpamja simbolike. Në këmbim i ka dhënë disa benefite, për shembull aksesin në mjetet e mëdha të informimit”.

Momenti i dytë i kthesës ka qenë kriza ukrainase e 2014, me aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen në Donbas. Në këtë fazë treguesit e pëlqimit të Putinit në Rusi janë ngritur në qiell, duke prekur 90%, dhe mobilizimi nacionalist ka arritur apogjeun.

“Saktësisht. Kur Putini ka listuar motivet për aneksimin e Krimesë, ka cituar rrezikun e rigjetjes me bazat e NATO në Sevastopul dhe ka pohuar se Krimeja është tokë e shenjtë për rusët, pasi nga aty nisi kristianizimi i Rus’ të Kievit. Por ka përdorur edhe argumentin e mbrojtjes së qytetarëve me etni ruse nga agresionet e ukrainasve. Për herë të parë është përdorur një argument i tipit të qartë etnonacionalist”.

Dhe këtu vijmë në një pikë kyçe të strategjisë ndërkombëtare të Putinit: pakicat ruse e mbetura jashtë kufijve kombëtarë që bëhen një instrument politik në duart e Kremlinit. Paradoksi është se parimi i mbrojtjes së rusëve kudo që ndodhen dhe logjika pasuese e tij, të paktën sipas Putinit, domethënë konflikti ukrainas, kanë “përshpejtuar shpërbërjen e një hapësire të madhe historike dhe kulturore që qartazi dominohej nga Rusia dhe kanë forcuar modelin e nacionalizmit etnik në të dyja anët e kufirit, në Rusi dhe në Ukrainë”, shkruan historiani ukrainas Serhii Plokhy në librin Lost Kingdom. Pra të luaje kartën e mbrojtjes së rusëve rrezikon që të jetë një armë e dyfishtë. Si e ka pritur opinioni publik rus projektin e Kremlinit të Putinit dhe si ka reaguar ndaj zhvillimeve të krizës ukrainase?

“Në nivelin simbolik, linja e zgjedhur nga Putini ka funksionuar. Rusët i ka kapur mirë, duke ju rigjallëruar shpirtin nacionalist”, thotë Verkhovski. “Por nëqoftëse hyhet në detaje, gjërat bëhen më të komplikuara. Për shembull, lufta e Donbasit nuk ju është shpjeguar kurrë qytetarëve, edhe pse qeveria zyrtarisht ka deklaruar se nuk është e përfshirë në konflikt. Për disa militantë që kanë luftuar si vullnetarë në Ukrainën lindore apo që kanë mbështetur ndërhyrjen ka qenë një revolucion konservator dhe kombëtar, që me kalimin e kohës është zgjeruar në Rusi. Për të tjerët, një aventurë revolucionare, thuajse neosovjetike. Problemi është se nacionalizmi shtetëror që po jetojmë sot në Rusi ka mundësi nuk ka precedentë historikë. Është një risi. Mbledh nostalgjinë për të kaluarën perandorake dhe sovjetike, kur vendi ishte një superfuqi në gjendje t’i sfidonte Shtetet e Bashkuara dhe bindjen se vlerat e shoqërisë rise janë unike dhe se herët a vonë duhet të triumfojnë edhe jashtë Rusisë. Por njëkohësisht ky nacionalizëm shtetëror përmban edhe elementë të nacionalizmit klasik mbi bazë etnie, edhe pse të përthyera dhe të përdorura në mënyrë të ndryshme respektivisht sesa kur bënin lëvizjet ekstremiste të viteve ‘90”.

Strategjia politike e ndërtuar rreth mobilizimit permanent të qytetarisë në kuptimin nacionalist i ka dhënë frutet e saj, është e pamohueshme. Megjithatë paraqet rreziqe të ndryshme dhe prej disa kohësh ka nisur të tregojë bishtin: një taktikë e ngjashme hutimi nuk mund të zgjasë në pafundësi, pasi herët a vonë problemet konkrete ndjehen dhe ka nevojë të ushqehet me konflikte dhe tensione të vazhdueshme. Dhe nuk është e thënë aspak që rusët duan të jetojnë në një klimë eksitimi patriotik të perhershëm, me ndonjë konflikt gjithmonë në horizont dhe raportet me Perëndimin – që për qytetarët mbetet një rrugëdalje natyrale – zyrtarisht në terma minimalë. Veç kësaj, sistemi ideologjik i ngritur në këmbë nga Putini për ta mbështetur këtë projekt duket më shumë i sajuar dhe pak i strukturuar: një lloj përrierje nostalgjishë sovjetike dhe cariste, tradicionalizëm ortodoks, paternalizëm dhe autoritarizëm teknokratik, slogane dhe parrulla të rrëmbyera kapitalizmit të globalizuar dhe receta ekonomike të tipit merkantilist. Por deri më tani duket se është bërë një model edhe për partitë nacional – konservatore europiane. Si shpjegohen efikasiteti i brendshëm dhe popullariteti ndërkombëtar i saj?

“Ai i Rusisë putinane është një sistem mendimi i forcuar dhe i copëzuar, shumë ndryshe nga ideologjia koherente dhe organike që ekzistonte në kohën e Bashkimit Sovjetik. Nga ana tjetër, Putini dhe rrethi i ngushtë i tij nuk kanë interes t’i japin baza të sakta ideologjike modelit të tyre të pushtetit, sepse e dinë se kështu do të kufizonin lirinë e tyre të lëvizjes. Për të pasur konsensus politik është e mjaftueshme që qytetarët të aderojnë në një copëz të vetme të këtij mozaiku. Ndoshta mbështetja nuk është aq solide sa duket, por ekziston. Për kë në fakt është pjesë e institucioneve dhe ka role zyrtare rregullat janë të ndryshme: për të bërë karrierë duhen përqafuar pa rezerva pozicionet e sistemit dhe treguarit të ndershëm dhe besnikë ndaj vulgatës së presidentit dhe në këtë ka një ndryshim të ndjeshëm respektivisht viteve ‘2000: në dy mandatet e para të Putinit mjaftonte të mos ishe shumë kritik për të qëndruar brenda sistemit, ndërsa sot, nëse zihen pozicione të rëndësishme në institucione dhe në administratë, është e nevojshme të shfaqet në mënyrë eksplicite entuziatmi dhe mbështetja ndaj regjimit.

Për sa i përket suksesit të Putinit pranë nacionalistëve europiane, besoj se motivi nuk është edhe aq as mbrojtja e qytetarëve rusë, as i ashtuquajturi nacionalizëm shtetëror. Arësyeja është se Putini konsiderohet lideri i vetëm në gjendje t’i kundërvihet hegjemonisë, në të vërtetë tashmë e lëkundur, së demokracisë liberale, që të paktën deri me ardhjen e Donald Trump mishërohej nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti rus është edhe bastioni i vlerave tradicionale, të kërcënuara nga geit dhe progresistët e çdo lloji. Nuk është rastësi që njëra prej shtyllave të propagandës putiniane është përfaqësimi i Rusisë së rrethuar nga një grup armiqsh të jashtëm, parasëgjithash Perëndimi modern dhe i shekullarizuar”.

Krenare për historinë dhe të kaluarën e saj, është kjo Rusia që rizbulon unicitetin e saj historiko – kulturor dhe rivendikon rolin e saj si fuqi qyteëruese. Në janarin e 2012, pak përpara se të kthehej në Kremlin. Putini shkroi për të përditshmen “Nezavisimaja Gazeta” një artikull mbi identitetin etnik të vendit që është e shkëlqyeshme për këtë aspekt. Për herë të parë përdori konceptin e “shtetit qytetërim”, thelbësore për të kuptuar trajektoren e ndjekur nga vendi në vitet e fundit: “Misioni i madh rus është ai i bashkimit të një qytetërimi. […] Në këtë model shteti – qytetërin nuk ekzistojnë pakica dhe parimi i përkatësisë përkufizohet nga një kulturë e përbashkët dhe vlera të ndara. […] Ky identitet civilizues bazohet mbi ruajtjen e predominimit kultur rus, edhe pse kjo kulturë përfaqësohet jo vetëm nga rusët etnikë, por nga të gjithë ata që e jetojnë, pavarësisht nga etnia e tyre”.

Afirmimi i primatit kulturor dhe historik rus ndaj elementëve të tjerë të pranishëm në hapësirën passovjetike është shumë e qartë. Njëkohësisht celebrohet natyra multietnike dhe multikombëtare e Rusisë. Si interpretohet kjo kontradiktë e dukshme në fjalët e Putinit midis nacionalizmit rus dhe vokacionit mbikombëtar të vendit trashëgues të Bashkimit Sovjetik?

“Sipas logjikës së Kremlinit, nuk ka asnjë mospërputhshmëri. Qysh nga ‘500, Rusia ka qenë një perandori multietnike dhe shumëreligjionëshe. Nuk e ka njohur kurrë homogjenitetin etnik apo gjuhësor. Por ky kompeksitet është inkuadruar gjithmonë dhe është akoma, sipas një hierarkie të saktë, që natyrisht është informale, as e sanksionuar në kushtetutë, as e shkruar në ligje. Sipas profilit religjioz, në majën e piramidës është ortodoksia dhe në vepanti Patriarkati i Moskës; pastaj janë organizatat më të rëndësishme dhe influente të myslimanëve, budistëve, hebrenjve dhe, së fundi, të katolikëve e të protestantëve. Nga pikëpamja etnike, si në çdo perandori, vlen i njëjti parim: komponenti dominues është ai rus. Në një farë kuptimi, Rusia është një lloj federate asimetrike, me disa rajone që përkufizohen etnike: për shembull, Çeçenia, ku çeçenët janë më shumë se 90%; Tatarstani dhe Bashkiria, ku tartarë dhe bashkirë janë respektivisht pak më shumë e pak më pak se 50%; por edhe Karelia dhe Mordovia, ku komponenti indigjen është i pranishëm, por minoritar. Në një farë mënyre, Çeçenia është si një koloni e përtejdetit. Ka ligjet dhe një princ të sajin që qeveris për llogari të pushtetit qendror me autonomi të madhe dhe një detyrë themelore: të ruajë rajonin brenda Federaztës. Prapa këtij sistemi është dukshëm një ideologji e tipit perandorak, ku ekzisojnë një hierarki e qartë dhe një ide universale për t’u mbrojtur dhe projektuar nga jashtë”.

Deri më tani nuk kemi folur për ideologjinë që më shpesh asocioohet me nacionalizmin e ri rus: eurazizmin. E formuluar për herë të parë nga një grup azilantësh rusë në vitet ‘20, teoria euraziste u bë popullore nga historiani Lev Gumilev. Fillimisht synonte të ekzaltonte specificitetin etnik dhe kulturor të Rusisë dhe rrënjët aziatike të saj, por versioni që ka zënë vend mbi një pjesë të mirë të elitave ruse passovjetike është përpunuar nga Aleksandr Dugin, politolog, filozof antimodern dhe ezoterik, dhe guru e së djathtës ekstreme e gjysmës së Europës. Sipas eurazizmit të tij, Rusia është zemra e perandorisë së Tokës në luftë të përjetshme me Atlantidën, fuqinë e detrave, e përfaqësuar fillimisht nga Perandoria Britanike dhe më pas nga Shtetet e Bashkuara. Siç e shpjegon Charles Clover, për rusët sharmi i kësaj ideologjie “nuk qëndron në saktësinë apo në energjinë e saj, por në mënyrën me të cilën arrin të yshtë djajtë, t’u kurojë plagët dhe të mbushë të çarat e historisë brutale dhe inkoherente ruse”.

Pra ajo që i jep një kuptim ambicieve të një vendi që nuk do të të dorëzohet të lërë pas të kaluarën perandorake, të mbajë gjallë bindjen se Rusia mund të jetë ende një qendër pushteti global dhe jo vetëm periferia e botës së globalizuar. Por çfarë peshe ka vërtet Dugini në Kremlin? Janë analistët perëndimorë që tentojnë t’ia mbivlerësojnë influencën apo janë rusët që nuk duan t’i pranojnë rolin e luajtur nga teoritë e tij?

“Idetë e tij kanë pasur ndonjë influencë në kremlin, por sigurisht në mënyrë indirekte. Disa prej teksteve të tij, për shembull Osnovy geopolitiki (Themelet e gjeopolitikës), janë adoptuar në universitete të ndryshme dhe teoritë e tij janë bërë popullore midis disa politologëve dhe funksionarëve, të magjepsur edhe nga leksiku i tij. Por Dugini nuk ka qenë kurrë këshilltar i Putinit. Ka qenë gjithmonë i huaj ndaj qarqeve që marrin vendimet e rëndësishme. Maksimumi mund të jetë përdorur, si personazhe të tjera, për të prodhuar tekste, narrativa propagande apo për të mobilizuar mbështetjen e grupeve dhe individëve në Europë ndaj aksioneve të caktuara të Kremlinit, sidomos në krizën ukrainase. Për shembull, kur ka qenë e nevojshme të gjendeshin vëzhgues që të monitoronin referendumin në Krime, ka ndërhyrë Dugin. Por nëse bëhet fjalë për të lidhur raporte me parti dhe organizata europiane, personazhe si Dugini nuk janë të përfshirë dhe nuk kanë peshë në zgjedhjet e Kremlinit”.

E kotë të kërkohen frymëzuesit e politikave të Putinit. Rrugëtimi që ka çuar në lindjen e nacionalizmit shtetëror në Rusi dhe më pas në mobilizimin patriotik që ka shoqëruar aneksimin e Krimesë dhe konfliktin në Donbas ka qenë i gjatë dhe i kushtëzuar nga faktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Në vendin e Putinit nuk janë intelektualët ata që drejtojnë debatin publik dhe politikat e qeverisë. Nëse vallë është pushteti që i përdor për të ngritur një legjitimitet ideologjik. Megjithatë fakti që në mendimin e Duginit gjenden shumë prej temave të dashura për Kremlinin është e pamohueshme. Siç është e pamohueshme, në një mëynrë deri shqetësuese, vlera profetike e fjalëve që në 2009 politologi i kushtonte Ukrainës në librin Četvërtaja političeskaja teorija (Teoria e katërt politike): “Nuk mund të përjashtohet se na pret një betejë për Krimenë dhe për Ukrainën lindore. […] Mundësia e një konflikti ushtarak direkt nuk është më jorealiste. Sepse të ndërtosh në perandori paraqet gjithmonë kosto”.

(Ky artikull është nxjerrë nga libri «Nacionalizma» i autorit Andrea Pipino).

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e biznesmenit të kompanive të sigurimeve në qendër të Nju Jorkut

Një burrë është arrestuar për vrasjen e një shefi të kompanisë së sigurimeve të SHBA-së …

Leave a Reply