Yuri Kim pyetet për Berishën: E drejtë e popullit shqiptar të vendosë kush do t’i drejtojë

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim deklaroi në emisionin “Open” në News24 se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për personat të cilët janë shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë është shumë i qartë. E pyetur për akuzat se ajo po kërkon të caktojë drejtuesit e opozitës dhe se nuk ka mbajtur qëndrime të forta ndaj aferave të qeverisë, Kim e mohoi.

“Mendoj se gabohen, me gjithë respektin, janë gabim. Ne nuk u themi njerëzve se për cilin të votojnë, qoftë në zgjedhje apo brenda në parti. Ajo që ne bëjmë është të japim faktet dhe bëjmë të qartë se cili është pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Por në fund, si drejtohet dhe cili e drejton këtë vend është një vendim i popullit shqiptar” – tha Kim që më pas foli edhe për rikthimin e Berishës.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për personat të cilët janë shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë është shumë i qartë. Prandaj nuk do ta përsëris sërish.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje është shumë, shumë i qartë por përfundimi është se nuk do të kemi të bëjmë me dikë i cili është shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë dhe do të ishte fatkeqësi nëse nuk do të kishim marrëdhënie normale me një parti me të cilën kemi pasur një marrëdhënie të veçantë për një kohë kaq të gjatë.

Ashtu siç e thashë më parë, ka shumë hapësira përparimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Por ka edhe hapësira në të cilat ne duam të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë të fortë për përmirësim. Korrupsioni është një prej këtyre çështjeve. Nuk mendoj se çudit askënd ajo që shkruhet në raportet tona, që korrupsioni është një problem në të gjitha nivelet e qeverisë.

Ndaj mendoj se ka veprime që duhet të vazhdojnë të ndërmerren dhe të shpeshtohen për t’u përballur më këtë problem. Dhe mendoj se po shohim diçka të tillë dhe mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me qeverinë, opozitën, OJQ-të, me cilindo që është palë, për t’u përpjekur për përmirësimin e situatës” – tha Kim.

Ambasadorja u pyet edhe për raportet ndërkombëtare që janë të mbushur me kritika për qeverisjen.

“Mendoj se të gjithë këto raporte ia vlen të lexohen dhe të veprohet bazuar mbi to. E dini, misioni i USAID-it këtu është shumë specifik. Është të forcojë demokracinë dhe të krijojë një mjedis që ka vend jo vetëm për demokraci por edhe për përparim, transparencë, mirëqeverisje, punësim dhe pavarësi” – u përgjigj Kim.

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …

Leave a Reply