Lideri historik i PD, Sali Berisha në ditën e dytë tw turit të takimeve me demokratët, për zgjedhjet e 22 majit, përpara qindra demokratëve të pranishëm në Fier, kujtoi si nisi lëvizja për ndryshimin e Partisë Demokratike. Ai theksoi se ish-kryetari i PD, Lulzim Basha mori vendime autokratike si dhe shkelmoi statutin e vullnetin e anëtarësisë demokrate.
“Ish-kryetari i PD i lejoi vetes në mënyrën më autokratike, duke shkelmuar mbi Kushtetutën e partisë, statutin, duke shkelmuar edhe mbi ligjet e vendit, mbi vullnetin e anëtarësisë, i shprehur ky vullnet në Statut në forumet e saj. Mori vendime tërësisht autokratike, antidemokratike, mori vendime me të cilat nuk ndërtohet demokracia, të cilat në fakt në aparencë në mënyrë identike, nuk i marrin as partitë marksiste-leniniste, se edhe ato ndjekin një procedurë. Ngritja juaj në këmbë nuk ishte asgjë tjetër në thelb përveçse një betejë kundër autokracisë, për të vendosur normat demokratike. Ishte një betejë mes legjitimes dhe jo legjitimes, por nuk ka betejë më të rëndësishme për një shoqëri të lirë.
Në rast se duam të jemi të lirë, ne duam të zbatojmë ligjet, të cilat ndër të tjera na diktojnë se liria e gjithsecilit prej nesh përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Nuk mund t’ia prekim ne lirinë. Ju e patë si u bëmë ne, lëshonte komunikate, përjashtohet ky, ai, shkarkohet ky e shkarkohet ai, gjithçka bëhej në mënyrë të paligjhshme. Kurse ne u ngritëm së bashku kundër këtij arbitrariteti, ilegjitimiteti dhe çdo gjë që bëmë deri sot e bëmë bazuar në votën e lirë. Kjo ka rëndësi kapitale nëse nuk jemi një parti e votës së lirë, ne do të ishim fatkeqësi kombëtare për vendin”,u shpreh Berisha.