Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga qyteti i Shkodrës ku u takua me demokratët se Kushtetuta e ndalon që ministri të pasurohet nga pasuritë publike apo pushteti vendor.
Sipas Berishës, Rama nga lakmia e papërmbajtur për të pasuruar veten, ju jep ministrave tokë në bregdet dhe i shpall investitorë strategjikë.
Ish-kryeministri deklaroi se Rama shkelmon Kushtetutën vetëm e vetëm që të pasurojë veten.
“Sot Kushtetuta, neni 70 i saj, Edi Rama firmos vendim pas vendimi që ministrat e tij të marrin dhjetëra mijëra metër katror tokë në brigjet më të bukura të vendit, të shpallen investitor strategjik.
Një kryeministër që të firmosë një vendim të tillë, duke shkelmuar Kushtetutën, e bën vetëm kur është bashkë-aksioner dhe e ka verbuar lakmia e papërmbajtur për të pasuruar veten.
Shembuj të tillë janë zinxhir. Aferat janë të pafundme në këtë aspekt. Ligjet asnjëri prej tyre nuk i lejojnë.
Rikthimi i ligjit, vendosja e qëndrimit në radhë të parë të kryeministrit në ligj, bën të mundur funksionimin e shtetit ligjor”, tha Berisha.