Enver Bytyçi
Njeriu bën një jetë të dyfishtë. Midis dramatikes dhe paqes. Midis të mirës e të keqes. Të bukurës e të shëmtuarës. Të drejtës e të padrëjtës. Të vërtetës dhe gënjeshtrës. Në këtë jetë të dyfishtë njeriu nuk është asnjëherë stabil, lufton me veten më shumë sesa me të tjerët. Ndërkohë beson se është ai tjetri, pra dikush që nuk i bindet, fajtor për dështimet.
E gjitha kjo ndodh, sepse njerëzit ose jetojnë me të kaluarën, ose ëndërrojnë të ardhmen. Por nuk shohin të sotmen. Nostalgjikët e së kaluarës dhe ëndërrmitarët e së ardhmes nuk mund ta jetojnë momentin, atë që quhet e tashme. Edhe në mitologjinë fetare kategoritë e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja kanë kuptime të ndryshme. E shkuara është Ati, e tashmja është Biri dhe e ardhmja është Shejti! Nëse zgjedh njërin prej të treve, njeriu ka dëshirë të jetë Biri, pra e tashmja. Që do të thotë ta ndërtojë të tashmen, sepse e ardhmja nuk ka lidhje me të qenit dhe jetën reale të njeriut. Shejti është kategori abstrakte, ashtu si edhe e ardhmja. Ndërkohë që Ati është e shkuara.
Jeta në të tashmen e çliron njeriun nga egoja e tij. Dhe nëse arrijmë që ta zhveshim veten nga egoja jonë, atëherë kemi arrit maksimumin e lumturisë sonë. Sepse lumturia është e kundërta e egos, e cila prodhon cmirë, intrigë, urrejtje, hakamarrje dhe konflikt në një shoqëri. Shoqëria shqiptare e sotme na e jep këtë mësim të vyer. Lufta për të ardhmen ose kujtesa e së shkuarës na ushqen me të gjitha ligësitë njerëzore, sepse është iluzioni i krijuar artificialisht në trurin e njeriut. E shkuara vlen që të reflektosh e të nxjerrësh mësime! E ardhmja është abstraksion. Ndaj vetëm e tashmja mund të të çlirojë nga e keqja. Eckhart Tolle në librin e tij “Eine neue Erde” shkruan se “Vetëm e tashmja mund të të çlirojë nga egoja, sepse ti në të tashmen je prezent, jo në të shkuarën e as në të ardhmen”!
I përmenda këto kategori njohëse nisur nga deklarimet e ambasadores Kim me thirrjet e vazhdueshme “Të punojmë për të ardhmen”! Eshtë një sllogan që e përvetësuan me aq zell edhe “pro-amerikanët” djathtas, duke besuar se kësisoj simbolizojnë Sali Berishën me të shkuarën. Nuk është bërë kurrë kaq shumë fushatë që diktatura komuniste të konsiderohet me ngulm si e shkuara, siç tentohet të etiketohet Sali Berisha. Problemi është se Berisha është gjithashtu e tashmja! Dhe pikërisht ky problem dhemb shumë te të gjithë marotonikët e ëndrrës për të ardhmen. Kim u shpreh dje në Prezë se “Mund të mësojmë nga mësimet e së shkuarës. SHBA do të jetë krah jush për të rindërtuar. Duam të jemi së bashku dhe bashkërisht, gurë mbi gurë, tullë mbi tullë për të ardhmen, mund ta bëjmë këtë për të ardhmen”!
Iluzioni i së ardhmes, duke dënuar të shkuarën u është servirur shqiptarëve edhe nga diktatura komuniste. Shqiptarët e njohin këtë skemë mashtruese. Regjimi komunist u premtoi atyre “lugën e floririt” dhe e krahasontë zhvillimin gjithmonë, edhe në fund të viteve 1980, me vitin 1938, periudhës së sundimit të Mbretit Zog. Dhe me këtë ai sistem mashtrues synonte të matej me të kaluarën, për të injektuar iluzionin e së ardhmes, që njerëzit të jetonin ëndërrën e jo realitetin e trishtë. Ndaj diktaturat nuk pranojnë që njerëzit të jetojnë në të tashmen.
E njëjta gjë më reulton në konceptin e Sorosit. Shoqëria e Hapur e së Ardhmes, e quan ai projektin e tij. Prej këtij projekti, Edi Rama proklamon “Ballkanin e Hapur të së Ardhmes”! Ndërsa Juri kim na bën çdo ditë thirrje “Shihni nga e ardhmja”! D.m.th harrojeni të sotmen. Mos u merrni me pisllëkun dhe katastrofën e sotme të qeverisjes Rama. Sepse mesa duket ambasadores amerikane i duhet kohë deri sa ta përgatisë terrenin për ta sjellë Erion Velinë në krye të Partisë Socialiste e të ekzekutivit shqiptar.
Loja me iluzionin është dëmi më i madh që i shkaktohet njeriut, një populli, e vetë njerëzimit. Iluzioni i së ardhmes është mjeti më perfekt i fshehjes së dështimeve të së tashmes. Shqipëria është rast unik. Me tregues përkeqësues e në përkeqësim të vazhdueshëm në ushtrimin e së drejtës dhe të demokracisë, në sistemin mediatik dhe korruptiv të administratës shtetërore, në treguesit e tjerë që thellojnë varfërinë, skamjen dhe polarizimin e shoqërisë. Të gjitha këto nuk janë shqetësimi i atyre që venë interesa tjera mbi interesat e shqiptarëve. Prandaj dhe proklamojnë iluzuionin e “lugës së floririt” në një vend që boshatiset çdo ditë, ngaqë është bërë i pajetueshëm.
Në këto situata e sotmja ka thirrur edhe njëherë Sali Berishën në skenën politike. Dikush e do e dikush tjetër jo. Kjo është liria në demokraci. Por e sotmja duhet ndryshuar që të shkojmë deri te e ardhmja e ëndërruar dhe e rekomanduar nga ata që i kontribuojnë një sistemi qeverisës që vetëm përkeqësime e fatkeqësi i sjell këtij vendi! E sotmja duhet të jetë më e mirë. Eshtë iluzion të presim “të ardhmen” e padefinuar!