Në vijim të fushatës së tij për zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berisha nga Berati u ka bërë thirrje demokratëve të votojnë ditën e diel.
Berisha u shpreh ndër të tjera se, nuk ka asgjë që e ndal drejt fitores, ndërsa nuk i ka kursyer akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, teksa tha se vjedh me firma e me tenderat që lejon t’u jepen familjareve të ministrave të tij.
“Ja ku jemi ne sot, s’ka mision më të madh se të shpëtojmë Shqipërinë, duhet të ulemi me çdonjërin, të zgjojmë çdo demokrat, të bashkohemi një herë rreth vetes, t’i motivojmë demokratët, t’i vëmë në ballë , nuk ka forcë në botë që na ndal pa fituar betejën.
Sot jemi 44 mijë, mijëra e mijëra të tjerë janë të gatshëm, kjo ushtri misionarësh s’ka betejë që nuk fiton.
Me lëvizjen tonë do u faktojmë shqiptarëve se sikur shembëm në ‘92 diktaturën, do të shembim sot diktaturën e bazuar në vjedhje, në dhunë, frikë, terror. Jo thotë Rama, ‘si mund të vjedh unë 2 metra i gjatë’, në çdo debat ‘unë thotë jam 2 metra i gjatë’… vjedh me firma mor zotëri, jo në xhepa, na thuaj pak Rama si e firmose ti me procedurë negociatë e mbyllur tenderin 420 mln euro të djegësave?
E di që është e ndaluar me lig ajo procedurë? Si firmose ti të shpallësh burrin e ministres subjekt të rëndësisë strategjike dhe t’i japësh qindra mijëra metra në bregdet, kur kushtetuta thotë se familja e ministrit dhe ministri nuk mund të përfitojnë nga të ardhurat e pushtetit vendor e lokal?! Pse i bën ti këto, ti 2 metra i gjatë?
Baxhanaku yt, biznesmen, fitonte mbi 50 tendera deri para dy vitesh nga qeveria jote.
Tani deklaron se do pyes Alketën, që e plotëson kryekëput në zyrat e PS, nëse do lejojnë apo jo përdorimin personal të drogës. Ka gjë më vrasëse? Këtë e bën vetëm një njeri që përpiqet të shkretojë kombin tonë, dhe kjo është thirrje për çdo shqiptar që duhet të ngrihemi t’i japim fund kësaj situate.
Të rikthejmë shpresën, besimin dhe ju garantoj se vitet në pushte të PD do të jenë vitet më të mira të ekzistencës së saj ndaj ftoj çdo demokrat të qarkut të Beratit ditën e diel të mirrni pjesë në votimet për kreun e PD, të votoni të lirë në ndërgjegjen tuaj”, tha Berisha.