Presidenti Ilir Meta ka thirrur një konferencë shtypi, paraditen e sotme në Presidencë lidhur me çështjen më të rëndësishme, çeljen e negociatave të vendit me BE-në.
“Dua të vlerësoj sot, tha Meta, rezolutën e miratuar dy ditë më parë në Parlamentin Europian, me shumicë votash. Dua të vlerësoj mbështetjen e gjërë politike ndaj perspektivës për anëtarësim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në BE, por njëkohësisht edhe gjuhën e drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës në vendin tonë dhe të atyre detyrave që priten të përmbushen nga Shqipëria në vazhdim”.
Presidenti ka vënë theksin tek disa pika të veçanta të Rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian me shumicë votash, për të cilat tha se ishte “gjuhë e drejtpërdrejtë” e përshkrimit të situatës në Shqipëri.
“Përmes kësaj Rezolute, – tha Meta duke cituar dokumentin, – Parlamenti Europian kujton se anëtarësimi në BE varet nga reformat e qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme duke filluar nga sundimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike.
Shpreh shqetësimin serioz për klimën e polarizuar politike dhe mungesën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërpartiak.
Kujton rëndësinë e ndërtimit të konsensusit të nevojshëm ndërmjet të gjithë aktorëve.
Shpreh keqardhje për ndryshimet jokonsensuale të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor nga mazhoranca qeverisëse përpara zgjedhjeve të 25 Prillit.
Bën thirrje politikës shqiptare të tregojë pjekuri në trajtimin e çështjeve me interes publik, të rrisë demokracinë dhe integritetin konkurrues brenda partiak.
Rikujton nevojën për të adresuar mangësitë zgjedhore në ërputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Shpreh keqardhjen për mungesën e dënimeve përfundimtare të niveleve të larta në rastet e blerjes së votës. Rikujton përgjegjësinë e autoriteteve qendrore dhe vendore për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe gjithpërfshirje”, theksoi Presidenti.