Shqipëria u trondit mbrëmë nga dy krime të tjera nga uniformat blu. Një polic vrau kolegun e tij, teksa një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë qëlloi mbi një të moshuar me probleme mendore.
Krimet vijnë në vazhdën e ngjarjeve të rënda nëpër komisariatet e vendit. Por ndërsa sot pritej që të kishte reagime të shumta për këto lajme të rënda, asgjë nuk ndodhi. Ngjarjet po përpiqen të mbulohen me heshtje dhe mungesë reagimi.
Ky skandal nisi që mbrëmjen e shkuar, kur plagosja e të moshuarit nga një polic i FNSH u tentua të mbulohej si një tentativë vetëvrasje nga viktima. Vetëm pas reagimeve të shumta në mediat dhe në rrjetet sociale, policia pranoi se efektivi Lutfi Gjyli kishte qëlluar të moshuarin e pambrojtur Murteza Lika. Sipas një njoftimi të shkrutër, Gjyli rezultonte se ishte i dehur.
Por më e rëndë është situata me Ludian Zaimin, policin që qëlloi për vdekje kolegun e tij, Çaush Saliasi brenda në komisariatin numër 3. Sot mediat po përpiqen që të pikturojnë një djalosh me probleme mendore, i cili kurohej për depresion.
Por gazetarja Anduela Llabani thotë se ka dyshime të forta se polici Zaimi ishte përdorues dhe shpërndarës droge. Sipas saj, ai ishte një patronazhist që kishte një vit e gjysmë që kishte nisur punën.
Puna si patronazhist i është shpërblyer, ndërsa mësohet se Zaimi iu është drejtuar kolegëve të tij me gjakftohtësi para krimit duke iu thënë: “Ulni kokat ju të tjerët” dhe në mënyrë barbare ka qëlluar mbi kolegun e tij, duke zbrazur të gjithë fishekët. Po kështu mësohet se autori i dyshuar e la makinën e ndezur para komisariatit. Në makinën e autorit u gjetën 30 fishekë nga policia.
Përpjekja për të prezantuar si raste të izoluara këto krime monstruoze është e frikshme, kur dihet se policia u inkriminua në palcë me mbërritjen e Edi Ramës në pushtet dhe vendosjen e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme.
Këto pasoja shkatërrimtare po i vuan policia, vendi dhe mbarë shoqëria prej vitesh./Syri.net