E turpshme/Alibasha dorëzoi 1 firmë më pak për të dështuar hetimi në Kuvend për investimet strategjike

Zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi se konferenca e kryetarëve nuk i filloi procedurat për ngritjen e Komisionit Hetimor për arsye të mungesës së anës formale, sipas Ligjit për Komisionet Hetimore dhe Rregullores së Kuvendit.

Ndersa kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla sqaroi për mediat se kërkesa ra për mungesën e një firme, nga 35 firma deputeti që nevojiten minimalisht për ngritjen e komisioneve hetimore.

“Kërkesa ka rënë sapo është depozituar. Nuk përmbushte numrin minimal të deputetëve firmëtarë që mbështesin një kërkesë për komision hetimor. Duhen 35 ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit. Janë 34, matematika, ça t’i bëjmë”, tha Balla.

Përmendja e emrit të Artan Gaçit – ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshort i ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në formulimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor nga Partia Demokratike, është bërë shkak që deputeti Agron Duka të tërheqë firmën e tij.

“Unë firmosa duke menduar që komisioni ngrihet për të hetuar investitorët strategjikë në parim, domethënë te vendosen disa rregulla çfarë duhet të plotesojë një investitor që të quhet i tillë dhe investimi strategjik, sepse kështu m’u servir,” tha Duka.

“Kur pashë që aty kishte emra specifik u tërhoqa,” shtoi ai, ndërsa pranoi se tërheqja lidhej me emrin e Artan Gaçit.

Kërkesa për ngritjen e një komisioni që do të hetojë zbatimin e ligjit “Për investimet strategjike”, u dorëzua të martën në mëngjes në Kuvend.

Jorida Tabaku, një prej nismëtarëve të kërkesës, i tha BIRN-it se PD nuk do të tërhiqet nga ngritja e komisionit hetimor.

“Enkelejd Alibeaj e firmosi gjatë mbledhjes, dhe me këtë firmë ne do ta dorëzojmë përsëri në Kuvend”, tha ajo.

Qëllimi i komisionit ishte verifikimi në thellësi i ligjshmërisë së praktikave të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike dhe institucionet e tjera relevante për dhënien e statusit të investitorit strategjik.

Deputetët e opozitës i referohen rasteve të publikuara në media duke i cilësuar si indicie se “mbi këto projekte ekzistojnë dyshime të arsyeshme për abuzime, favorizim, klientelizëm dhe arbitraritet”.

Referuar vendimeve të KIS që favorizojnë njerëz të afërt me pushtetin, opozita përmend në kërkesën e saj rastin e anëtarit socialist të Këshillit Bashkiak Tiranë, Gazmend Paja, familjarëve të ministres së Jashtme, Olta Xhacka, të cilët që kanë përfituar statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit. Po ashtu hetimi parlamentar synon të zbardhë dhe problematikën me vendimet e dhëna në zonat e mbrojtura.

Ligji për “investimet strategjike” është kritikuar për favorizimin e klientelizmit dhe një grushti biznesmenësh dhe investimet e tyre në bregdet. Në një investigim të fundit, BIRN zbuloi gjithashtu se nga 17 projekte të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike gjatë vitit 2021, katër prej tyre ndodhen në zona të mbrojtura ose afër tyre – çka ka shqetësuar ekspertët dhe aktivistët mjedisorë.

I miratuar në vitin 2015, ai ishte parashikuar të ishte i përkohshëm, por mazhoranca votoi dy herë shtyrjen e afatit të tij.

Ky ligj i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë, duke i mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë.

Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore./BIRN

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply