Deputeti Gazment Bardhi ka deklaruar gjatë mbledhjes së Grupit të PD-së se, Edi Rama e prishi marrëveshjen që kishte me opozitën për zgjedhjen e Presidentit.
Nga diskutimet pa media, mësohet se Gazment Bardhi është shprehur se, Rama e kishte të përcaktuar emrin e Presidentit, ndaj dhe opozita duhet të tërhiqet nga procesi.
“Që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Opozita duhet të hynte në proces për ti rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual. Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për t’i ofruar shqiptarëve një President konsensual. Shumica ra dakord publikisht për propozimin e procedurës së propozuar nga ne.
Vetëm pas nisjes së procesit dhe propozimeve me emra konkretet të grupit, Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja. Pas tërheqjes nga marrëveshja publike, unë mendoj që grupi ynë duhet ta konsiderojë të mbyllur këtë proces.
Edi Rama prishi marrëveshjen me opozitën, sepse nuk do një president për shqiptarët. Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja, sepse e ka paracaktuar Presidentin.
Prandaj unë mendoj që grupi duhet të dal me një deklaratë ku të sqarojë këtë pozicion dhe ne nuk duhet të vazhdojmë më me këtë pasi maska e fasadës së Edi Ramës ka rënë”, ka thënë Bardhi.