BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME GAZETARËT
PYETJE-PËRGJIGJET
Pyetje: Zoti Berisha, na ndajnë pak orë nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, pse nuk është publikuar deri tani lista e kandidatëve për Kryesinë e PD? Do të ketë emra të rinj? Apo do të riciklohen emrat e vjetër?
Sali Berisha: Statuti parashikon që kryetari i partisë i propozon Kryesisë së partisë listën e emrave. Në këtë rast, Kryesia është Komisioni i Rithemelimit dhe ai do të mblidhet pasdite për të shqyrtuar kandidaturat. Propozimet nuk mund t’i bëj këtu publike para se t’ia them Komisionit.
Pyetje: Ditën e nesërme do të zgjidhen vetëm anëtarët e Kryesisë, apo edhe dy nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe sekretariatet?
Sali Berisha: Do vendoset, por më së shumti vetëm anëtarët e Kryesisë dhe në një mbledhje pasuese do të zgjidhen drejtuesit më kryesorë, Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët. Gjykata e partisë mund të zgjidhet nesër ose në një mbledhje tjetër.
Pyetje: Gjatë muajit shkurt-mars ju premtuat se do të nisnit protestat, kundër qeverisë që sipas jush është e korruptuar. E vetmja protestë ka qenë ajo para Kryeministrisë dhe para komisariateve. A ka patur mosmobilizim të popullit apo është përçarja e partisë?
Sali Berisha: Absolutisht, as njëra dhe as tjetra, është procesi që po kalon PD, një proces i domosdoshëm, jetik për rithemelimin e saj dhe asgjë tjetër. Keni shumë të drejtë, është një kohë e humbur për protesta. Mund t’ju them ju, mjaftojnë dy vrasjet e fundit nga policë të droguar, njëri u ekzekutua brenda në komisariat dhe tjetri me probleme të shëndetit mendor që s’kishte agresivitet asnjëherë, qëllohet. Të dy të droguar. Droga është bërë një normë në polici dhe Edi Rama ka ndaluar testin e drogës, gjëja më absurde, më kriminale, e paimagjinueshme. Dhe faktikisht të dyja vrasjet janë të lidhura me drogën. Nuk do të mbetet pa u dëgjuar edhe fjala jote për protesta.
Pyetje: Një pjesë e grupit të PD vijojnë një tjetër drejtim, negociatat për zgjedhjen e Presidentit. Ditën e djeshme dolën edhe emrat për komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. I mbështesni ju këta emra? Çfarë hapash do të merrni për të bashkuar PD? Dhe si do të vijojë marrëdhënia juaj me këtë pjesë të grupit parlamentar?
Sali Berisha: E drejtë pyetja! Së pari, siç e keni konstatuar ju, janë tre votime me rreth 44 mijë anëtarë të përsëritura, të pakundërshtuara nga asnjë njeri, në asnjë rast. Por në këtë mes, një grup i vogël, ndër ta ish-kryetari dhe 2-3, Alibeaj e të tjerë, të kapur këmbë, krye dhe xhep nga qeveria, thonë se këto nuk kanë ndodhur, nuk janë të vërteta. E vërteta është se kjo lojë dështoi në mënyrë përfundimtare, se ishte një përpjekje e tmerrshme për të kapur peng pluralizmin, nuk është puna e Sali Berishës, fare. Loja ishte që të mos kishim pluralizëm politik, apo të kemi pluralizëm që e komandojmë si me sustë. Çfarë bëri Alibeaj dje? Tha kam 21 deputetë në mbledhje, kam kuorum. Para 10 ditësh ju tha po ju, grupi parlamentar ka 40 deputetë dhe ne ishin 21 e kisha kuorum. Por dje në mbledhje ishin 4 deputetë që nuk i përkisnin grupit parlamentar të PD, sepse PD, sipas rregullores së Parlamentit, ia ka dhënë grupeve të tjera. Një praktikë kjo standarde. Pra, për të patur kuorum mbledhja e tij, duhet të kishte të paktën 27 deputetë. Por atij kur i intereson e thotë e kam me 40 grupin, një sharlatan që ka mungesë totale respekti për veten e tij, keqpërdoret në mënyrë ekstreme nga Edi Rama, harron se ka patur funksione të rëndësishme dhe në qeveri dhe kur bën akte të tilla vetëm sa shkelmon mbi veten e tij. Ajo që mund t’ju them unë, e thash edhe të dielën, mrekullia shqiptare e shekullit XXI ishte pikërisht shpëtimi i pluralizmit politik. Nuk ishte rikthimi i Sali Berishës, ishte rivendosja e pluralizmit politik.
Pyetje: A është më emergjente që të zgjidhet kryetari i grupit parlamentar ditën e nesërme? Pasi vetë deputetët e PD, konfliktin e brendshëm po e përcjellin në Parlament. Sot Gazment Bardhi ka kërkuar nga PS që të mos njohin një dokument ku ju dhe deputetë të tjerë propozoni zotin Mirakaj si anëtar të Autoritetit të Dosjeve.
Sali Berisha: Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij. Unë e kuptoj luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por prapë është i pashpresë. Të zbardhë njëherë, të mos i thurë lavde SPAK-ut se do i japin këtë apo atë shans, por të zbardhë rolin e tij te vrasja në Elbasan. E them se askush nuk është për t’u vrarë, jo! Ne jemi vend që nuk kemi dënim me vdekje. Bardhi dhe Balla janë përgjegjësit politikë për atë gjakderdhje në një lagje ku mund të mos ketë patur gjakderdhje ndonjëherë. Para se të rrijë të merret me këto të shkojë dhe të japë sqarime.
Pyetje: Një ditë më parë janë publikuar emrat e anëtarëve për dy komisione, i Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale. Si do shkoni ju në zgjedhje, kur këto dy komisione që të çojnë drejt fitores menaxhohen nga Alibeaj dhe Balla?
Sali Berisha: Është loja e ulët e Edi Ramës me pseudo-opozitën. Se cilat janë përpjekjet, janë shumë të qarta, janë keqpërdorimi, keq shfrytëzimi i Alibeajt dhe Bardhit për të çimentuar pushtetin e krimit të Edi Ramës. Kjo s’ka asnjë dyshim. Por mos harroni që ky është një revolucion, kjo është një lëvizje. E tha zonja, ku jeni, pse nuk ka protesta. Mbaron procesi dhe ne jemi të gatshëm të mbrojmë ato parime që besojmë. Do t’i mbrojmë fort dhe do ta faktojmë se sa fort do t’i mbrojmë. Loja me pseudo-opozitë është një lojë makabër. Përpjekja për të lënë Shqipërinë pa opozitë, është një përpjekje e turpshme anti-demokratike, që ka të bëjë me thelbin e lirisë së shqiptarëve.
Pyetje: Në mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit ju do të bëni publike listën e kandidatëve për anëtarët e Kryesisë. A do të jenë pjesë e Kryesisë së re krahas deputetëve të Komisionit të Rithemelimit edhe deputetë të grupit parlamentar si zoti Alizoti, apo zonja Duma?
Sali Berisha: Se cila do të jetë, pas mbledhjes të gjitha do të bëhen publike. Nuk mund të bëj publike mendimet e mia para se t’ua paraqes për miratim Komisionit të Rithemelimit.
Pyetje: Në Gjykatën e Apelit ndodhet ankimimi i Alibeajt. Keni informacion kur mund të kemi vendim?
Sali Berisha: Nuk kemi informacion të ri. Di që ai ishte një akt i një gjykatëseje mercenare që nuk njeh ligj dhe parim, as moral profesional e cila është e shoqja e një ish-ministri i shpallur nga kryetari i partisë së tij si simboli më i nxirë i korrupsionit Muç Muçi, ndaj të cilit unë kam qëndruar në mënyrën më të fuqishme në atë kohë, për bëmat dhe gjëmat e tij. Për sa i përket presionit unë kam folur këtu para jush që është bërë mbi gjykatësen, por po ju rikujtoj vetëm një moment tjetër. Si kurrë ndonjëherë më parë, dy gjykatat për të njëjtën çështje lëshojnë deklarata politike publike sikur ne të ishim pala më armiqësore e Shqipërisë. Dhe specifike se personi që bën marrëdhëniet publike në Gjykatën e Apelit, gjykatësja Petri, është bashkëshortja e Sadushit, lëshuan deklaratën dy orë para së të hidhet shorti. Unë e kuptoj të lëshosh deklaratë in-extremis, por nuk e bën kurrë në avancë. Ku e dije ti që ne do të bënim deklaratë, që ti bëre deklaratë paradhënie? A nuk ishte ky një provokacion i ulët që i bëhej Partisë Demokratike? A nuk ishte kjo një përpjekje vulgare, banale, politike, për të mbuluar vendimin. Pra, kemi të bëjmë me një sistem kryekëput të kapur. Se çfarë qëndrimi do të mbajë nuk e di. Por kurrë nuk do të mund të varrosin votat e 40 mijë shqiptarëve të lirë për asnjë lloj vendimi, këtë ne do ta faktojmë. Por është historia më e turpshme e përpjekjes për të groposur vullnetin e 40 mijë militantëve dhe anëtarëve të PD nëpërmjet proceseve më korruptive kundër pluralizmit politik në Shqipëri.
***
Së fundi, dua t’ju sqaroj për një polemikë në media. PPE ka një qëndrim shumë korrekt. PPE nuk ka dërguar ftesë, për neutralitetin e saj. Por do të shkojnë disa. Nga ne do të shkojnë 4-5 deputetë, zonja Vokshi do të shkojë nga Forumi i Gruas së PPE, Belindi nga të rinjtë Popullorë, do të jenë zonja Edit Harxhi, zoti Pollo nga një fondacion mik, zonja Tabaku është anëtare e Grupit Parlamentar Popullor në Këshillin e Europës. Sepse delegacionet janë anëtarë të Grupit Popullor të Këshillit të Europës, aty ka një ftesë nga ky grup, por kjo nuk përbën ftesë dhe votë, përkundrazi ke të drejtë të marrësh ftesë dhe kaq. Këto janë të vërtetat. E bëra këtë sqarim se u krijua një konfuzion.
Pyetje: Zoti McAllister tha do të ketë diskutime për PD-ë. Nëse dalin me një qëndrim do ta pranoni?
Sali Berisha: Zoti McAllister është nënkryetar i PPE. Partia Popullore Europiane ka presidentin Tusk, që zëvendësohet dhe zgjidhet Weber, ka sekretarin e përgjithshëm dhe disa nënkryetar, mund të jenë 6. Ata sigurisht që diskutojnë të gjitha çështjet sipas agjendës dhe kohës që kanë në gjirin e Partive Popullore. A do të diskutojnë për Shqipërinë apo jo ne nuk kemi asnjë njoftim zyrtar. Por, po të diskutojnë, ne e vlerësojmë, nuk kemi asnjë kundërshtim.
Faleminderit!