Nga Tritan SHEHU
Zonja Felaj po bëhet zëdhënëse e paralajmëruese e një gabimi fatal të maxhorancës!
Mbrëmë zonja Felaj dha sinjalet e para qartësisht negative të “vullnetit” të maxhorancës, për të rrëzuar rezolutat, që i vënë emrin “gjenocid” krimeve serbe në Kosovë në vitet 1998-99, i dënojnë ato e kërkojnë veprime e reagime të aresyeshme ndaj atyre, duke i “agresuar” ato.
Së pari dëshiroj t’i kujtoj zonjës Felaj se asnjëherë deri më sot Shqipëria nuk ka zyrtarizuar termin “gjenocid” ndaj atyre krimeve, gjë që e ka realizuar Kuvendi i Kosovës në vitin 2019.
Kjo është tentativa e parë zyrtare që po bëhet në këtë drejtim.
Së dyti zonja Felaj, me dashje apo pa dashje, nxjerr shkakun e këtij qëndrimi drejt refuzimit të maxhorancës:
–Pikërisht lidhjet, vartësinë nga Vuçiçi, rënien nën presionin e tij, kur ajo deklaron se një veprim i tillë bie ndesh me nismën vuçiçiane të “Ballkanit të hapur” ose “Jugosllavia e Re”.
Pa dashur sot të hyj në debat për atë nismë, që kërkon t’u kundërvihet nismave europiane, unë dëshiroj t’i kujtoj zonjës Felaj se asnjë bashkëpunin rajonal nuk mund të jetë i suksesshëm, gjithëpërfshirës e afatgjatë, nqs Serbia nuk pranon krimet e kryera në Kosovë e më gjerë, duke kërkuar së paku falje për ato.
Për këtë mjafton që zonja Felaj të rilexojë atë çfarë i tha edhe z.Borell pak javë më parë kryeministres së Serbisë, pikërisht në Beograd.
Në këto kushte do të ishte e pafalshme që deputetët socialistë të Kuvendit të Shqipërisë të përdoreshin kundër interesave tona kombëtare e të lejonin rrëzimin e kësaj tentative dinjitoze, në respekt të të drejtës e vlerave, e domosdoshme për forcimin e stabilitetit edhe në rajonin tonë.