Rusia ndërpret furnizimin me gaz të Gjermanisë, Hollandës dhe Danimarkës

Rusia zgjeroi masat e saj për ndërprerjen e furnizimeve me gaz në Europë, pasi Gazprom deklaroi të martën se do të ndalojë furnizimet drejt disa vendeve “jomiqësore” të cilat kanë refuzuar të pranojnë skemën e Moskës për të paguar për gazin vetëm në monedhën rubla.

Lëvizja e gjigantit rus të gazit është kundërpërgjigjja më e fundit ndaj sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, duke përshkallëzuar kështu betejën ekonomike me Brukselin dhe duke shkaktuar rritjen e çmimeve të gazit në Europë.

Gazprom tha të martën se kishte ndërprerë plotësisht furnizimet me gaz për kompaninë holandeze të tregtimit të gazit, GasTerra.

Më vonë, Gazprom tha se do të ndërpriste gjithashtu që nga 1 qershori furnizimet me gaz drejt kompanisë daneze Orsted dhe ndaj Shell Energy, për shkak të kontratës së saj për furnizimin e Gjermanisë me gaz, pasi të dyja këto kompani nuk pranuan që të bënin pagesat në rubla.

Këto njoftime pasojnë marrëveshjen e ditës së hënë nga liderët e Bashkimit Europian për të reduktuar importet e naftës ruse nga BE me 90% deri në fund të këtij viti, përgjigjja më e ashpër deri më tani e bllokut ndaj pushtimit të Ukrainës.

Asnjë kërcënim për furnizimet

GasTerra, e cila blen dhe tregton gaz në emër të qeverisë holandeze, tha se kishte kontraktuar diku tjetër rreth 2 miliardë metra kub gaz, sasi e cila përkon me furnizimet që priste nga Gazprom deri në tetor.

“Kjo lëvizje nuk shihet si një kërcënim për furnizimet,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Çështjeve të Ekonomisë, Pieter ten Bruggencate.

Kompania Orsted, e cila gjithashtu ka deklaruar se nuk ka një rrezik të menjëhershëm për furnizimet me gaz në Danimarkë, tha të martën se do t’i drejtohej tregut europian të gazit për të plotësuar nevojat e saj.

“Pjesa më e madhe e gazit për Danimarkën duhet të blihet në tregun europian të gazit. Ne presim që kjo të jetë e mundur,” tha shefi ekzekutiv i Orsted, Mads Nipper, në një deklaratë menjëherë pas njoftimit të Gazprom.

Kontratat standarde të gazit u rritën me rreth 5% të martën pasdite, duke shkuar në 91.05 euro për megavat orë. Megjithatë, kjo shifër është dukshëm më e ulët se nivelet e larta mbi 300 euro për megavat orë që u arritën në fillim të marsit.

“Megjithëse tregu në përgjithësi e priste ndërprerjen e furnizimeve ndaj këtyre dy kompanive, ky zhvillim do ta shtrëngojë së tepërmi balancën ofertë-kërkesë,” tha në Twitter analisti i ICIS, Tom Marzec-Manser.

Flukset e gazit rus drejt Gjermanisë nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream u reduktuan të martën, gjë që analistët thanë se mund të jetë shkaktuar për shkak të ndërprerjes së furnizimeve drejt Holandës.

Moska kishte ndaluar më parë furnizimet me gaz natyror për Bullgarinë, Poloninë dhe Finlandën, për shkak të refuzimit të këtyre vendeve për të paguar në rubla, një kërkesë e bërë në përgjigje të sanksioneve perëndimore që kanë izoluar Rusinë.

Kompanitë gjermane, italiane dhe franceze, kanë deklaruar se do të angazhohen në këtë skemë të re, për të ruajtur nivelin e furnizimeve të tyre.

Ndërprerjet e furnizimeve kanë rritur akoma më shumë çmimet e larta të gazit, duke shtuar inflacionin dhe duke nxitur qeveritë dhe kompanitë europiane që të gjejnë burime alternative për furnizimet dhe infrastrukturën e nevojshme për t’i trajtuar ato, duke përfshirë njësitë e magazinimit dhe rigazifikimit lundrues (FSRU).

Magazinimi

Europa ka nxituar që të mbushë depozitat e saj të gazit përpara dimrit, duke u treguar e vëmendshme ndaj ndërprerjeve të furnizimeve nga Rusia, e cila zakonisht siguron rreth 40% të gazit për Europën.

Magazinimi i gazit në Holandë tani është në nivelet e 37%, sipas të dhënave nga Gas Infrastructure Europe.

Javën e kaluar, qeveria holandeze tha se do të rrisë subvencionet në 406 milionë euro për të inkurajuar kompanitë që të mbushin magazinën e Bergermeer, një nga objektet më të mëdha të depozitimit të gazit me akses të hapur në Europë.

Depot e gazit në Danimarkë janë aktualisht në nivelet 55% dhe do të mund të furnizojnë me gaz të gjithë klientët danezë dhe suedezë për pesë muaj nëse ndërpriten furnizimet nga Gjermania, sipas një letre nga ministri danez i energjisë Dan Jorgensen drejtuar parlamentit.

About Redaksia2

Check Also

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e biznesmenit të kompanive të sigurimeve në qendër të Nju Jorkut

Një burrë është arrestuar për vrasjen e një shefi të kompanisë së sigurimeve të SHBA-së …

Leave a Reply