Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh për mediat në oborrin e Kuvendit, se zgjedhja e Shefit të Shtabit Bajram Begajt President, është një akt antikushtetues.
Berisha tha se, po shkelet neni 167 i Kushtetutës sipas të cilit ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet as dhe nuk mnund të zgjidhet në organe apo pushtete të tjera, përveç detyrave të ushtrisë.
Berisha renditi edhe rreziqet që i kanosen vendit nga një precedent i tillë, me pasoja të mëdha.
Deklarata e kryetarit të PD, Berisha
Në Parlamentin e Shqipërisë po kryhet një dhunim i shëmtuar i Kushtetutës së vendit, një akt antikushtetues. Votohet në shkelje flagrante të Kushtetutës për President Republike njeriu që kalon nga karrigia e Shefit të Shtabit në karrigen e kreut të shtetit, duke shkelur në mënyrën më të hapur nenin 167 të Kushtetutës, nen sipas të cilit ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet as dhe nuk mnund të zgjidhet në organe apo pushtete të tjera, përveç detyrave të ushtrisë. Kandidati që votohet sot nis udhën e tij duke shkelmuar me të dyja këmbët Kushtetutën, pasi ai kandidon për president si shef i shtabit të përgjithshgëm të ushtrisë shqiptare. Pretendimi se ai dha dorëheqjen ka zero vlerë për arsye se për ushtarakun, jo tërheqja, por miratimi dhe lirimi i tij nga detyra nga Komandanti i Përgjithshëm është rruga që e çliron atë nga obligimet ushtarake. Pra, akti i dorëheqjes së tij është tërësisht i pavlerë.
Zoti Meta e dekretoi…
Unë po flas fillimin. Zotit Meta i është dërguar zhdekretimi dhe dekretimi i kandidatit. Pra, ai nuk ka shkuar aty për asnjë arsye tjetër veccse si kandidat për President. Në historinë e botës së lirë ju kurrë nuk do të gjeni një rast të vetëm kur një person kalon nga karrigia e shefit të shtabit të përgjithshëm, në karrigen e Presidentit. Kjo mund të ndodhë vetëm në junta, vetëm në puçe dhe grushte shteti. Kjo procedurë është një procedurë shumë e rrezikshme për vendin, sepse kjo i hap shteg që çdo shef shtabi të asirojë të kapë kreun e shtetit duke shfrytëzuar këtë precendent. I cili në rastin konkret flitet se Edi Rama është korruptuar me pronat e bazave të ushtrisë, në rastet e tjera një shef tjetër shtabi mund të korruptojë, mund të marrë peng kryeministrin e një vendi edhe në dhunën e ushtrisë dhe forcës së saj, me këtë precedent, kreun e shtetit. Në një rast që s’ka ndodhur kurrë në historinë e botës së vendeve të lira, ndodh për herë të parë në narkoshtetin shqiptar. Unë e denoncoj këtë me forcën më të madhe.