Në seancën e sotme plenare, deputetja demokrate Ina Zhupa ka zhvilluar një interpelancë me Ministren e Kulturës, Elva Margariti për çështjen e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Në fjalën e saj, deputetja ngriti pyetjen sesi ka mundësi që shteti shqiptar ka hequr dorë nga mbrojtja e një vepre me vlera të paçmueshme siç është Butrinti dhe “t’ia dorëzojë atë privatit.”
Ndërsa solli në vëmendje faktin se është thënë se menaxhimi i Butrintit ka dështuar nga administrata politike dhe e paaftë, Zhupa ngriti pyetjen se përse nuk vendosen kritere dhe ndryshohen procedurat, për të vendosur profesionistë për menaxhimin e parkut.
“Për këtë koncesion, që realisht nuk keni guximin t’i thoni emrin e vërtetë sepse e kuptoni që në asnjë vend në botë, nuk ndodh që një shtet të nxjerrë pasurinë kulturore në koncesion dhe t’ia dorëzojë privati. Nuk ekziston, sepse ky ligj është antikushtetues dhe besoj do të kthehet nga presidenti”, tha Zhupa.
“Pse nuk vendosen kritere dhe nuk ndryshojnë procedurat duke vendosur profesionistë në krye të administratës, që mund të ofrojnë një administrim cilësor për Butrintin. Sa për administratë politike dhe të paaftë, atëherë të japim me koncesion Ministrinë e Kulturës dhe të na e administrojë fondacioni shqiptaro-amerikan. Që mesa duket është më i aftë se vetë shteti për të administruar perlën e trashëgimisë kulturore”.
Po ashtu deputetja demokrate theksoi se Këshillit Kombëtar të Kulturës Materiale i janë hequr kompetencat dhe ato i “kanë kaluar fondacionit privat.”
Kurse Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se, në Butrint nuk do të ketë asnjë hotel apo kullë. Gjithashtu u shpreh se rreth 1.5 km larg Butrintit parashikohet ngritja e një qendre pritjeje dinjitoze për vizitorët.
“Është për ndezur llampushke për një diskutim shterpë. Butrinti do të administrohet nga një fondacion shqiptar. Shteti shqiptar është i hapur për të tjerë donatorë të fuqishëm. Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF-ve shqiptare. Çdo qindarke e Butrintit do të mbetet në Butrint. Të gjithë ata që shohin ëndrra me kulla e hotele, i them që nuk do të ketë asnjë ndërtim të këtij lloji, do të parashikohet ngritja e një qendre dinjitoze larg rreth 1.5 km, që të kemi një hyrje dinjitoze në një park kombëtar si në shumë vende të botës. Do të sigurohet transport ekologjik. Çdo investim në Butrint i mbetet Butrintit, parashikojmë të kemi rreth 110 punonjës dhe shteti nuk do të shpenzojë më para për pagat e punonjësve. Arka e Butrinti do të fillojë të kontribuojë në kujdesin e Trashëgimisë Kulturore për t’i ardhur në ndihmë edhe siteve të tjerë”, tha Margariti.