Në seancën e sotme plenare në Kuvend, deputeti i PD, Tritan Shehu u shpreh se, ka një shkelje të rregullores për rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë, duke i tërhequr vëmendjen kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
“Takimi me Atin e Shenjtë shpresoj të ketë qenë i dobishëm. Pata një diskutim për zbatimin e rregullores me nënkryetaren e Kuvendit.
Kemi depozituar kërkese për nocion me debat për një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.
Kanë kaluar 9-10 ditë dhe nuk ka asnjë sinjal. Kjo është shkelje e rregullores. Edhe kur kryetarja është në takime të rëndësishme, ka të tjerë që caktohen.
Dua të tërheq vëmendjen tuaj se jemi para shkeljes së rregullore. Kjo është një çështje që lidhet me aktualitetin, të kaluarën dhe domosdoshmërinë e njohjes së krimeve”, tha ai.