Bankat rezikojnë kaosin nga inceneratorët dhe koncesionet

Raporti i kredive me probleme shënoi një rritje të lehtë në muajin prill.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky raport arriti në 5.42%, nga 5.24% që kishte qenë në muajin mars. Kjo është rritja e parë e treguesit të kredive me probleme që prej janarit të vitit të kaluar.

Rritja e raportit të kredive me probleme përkon me një periudhë kur ekonomia dhe konsumatorët janë prekur nga nivelet më të larta të inflacionit në 20 vjet. Megjithatë, burime nga sektori bëjnë të ditur se rritja e kredive me probleme në muajin prill nuk reflekton ndonjë përkeqësim të përgjithshëm të aftësisë paguese, të lidhur me inflacionin. Rritja është shkaktuar kryesisht nga kreditë për ndërtimin e inceneratorëve.

Procedura e Partneritet Publik-Privat (PPP) e lidhur me ndërtimin e këtyre objekteve është bërë objekt i një hetimi penal nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Hetimi ka çuar në arrestimin e zyrtarëve të lartë, shpalljen në kërkim të disa prej aksionerëve të kompanive që kanë fituar këto kontrata dhe vendosjen nën sekuestro të inceneratorëve.

Në vijim të sektuestrimit të objekteve dhe vendosjes së kompanive nën administrim, me sa duket, pagesat e subjekteve për kreditë e marra në banka janë ndërprerë dhe tashmë ato kanë kaluar në status “nën standard”, që përfaqëson kategorinë e parë të huave me probleme, sipas ditëvonesave. Ky status aplikohet zakonisht për kreditë në vonesë shlyerjeje me më shumë se 90 ditë.

Rasti i kredive për inceneratorët përfaqëson një shembull praktik të rreziqeve të lidhura me kreditimin e PPP-ve. Në vitin 2017, kur prezantoi platformën “1 miliardë euro për rindërtim, kryeministri iu bëri thirrje bankave të mbështesnin këto projekte. Disa prej bankave vendosën ta shfrytëzonin këtë mundësi dhe një pjesë e PPP-ve u financuan me hua prej tyre.

Veç inceneratorëve, bankat tregtare në vend kanë dhënë kredi edhe për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Rrugës së Kombit dhe të Rrugës Orikum-Dukat.

Por, rasti e solli që brenda pak vitesh një nga këto projekte të bëhej objekt i një procesi penal të lidhur me korrupsionin. Veç taksapaguesve, “haraçin” e korrupsionit në kontratat e PPP-ve tani po e paguajnë edhe bankat tregtare. Kreditë për kompanitë kontraktore të PPP-ve nuk mbulohen me garanci sovrane nga qeveria dhe rreziqet e lidhura me mosshlyerjen e tyre u ngelen bankave tregtare.

Përtej ndikimit që kanë dhënë kreditë në vlera të konsiderueshme për inceneratorët, bankierët shprehen se nuk vërehet ende një përkeqësim i aftësisë paguese të huamarrësve, që mund t’i atribuohet rritjes së ndjeshme të inflacionit.

Megjithatë, inflacioni i lartë dhe efektet negative që ai pritet të sjellë në ekonomi janë një ndër sfidat kryesore edhe për sektorin bankar. Institucionet e specializuara parashikojnë se inflacioni i lartë do të tkurrë me afërsisht 1/3 rritjen ekonomike të vendit për këtë vit (rritja pritet rreth 3%, nga afërsisht 4.5% që ishin projeksionet fillestare). Një ngadalësim i rritjes ekonomike mund të japë efektet e veta në frenimin e kredidhënies dhe në uljen e cilësisë së portofolit të kredive.

Në dy vitet e fundit, sektori bankar iu ka rezistuar mirë sfidave që solli tërmeti dhe pandemia. Raporti i kredive me probleme ka vijuar të ndjekë një tendencë rënëse, ndërsa kredia po rritet me ritme vjetore dyshifrore. Megjithatë, nëse tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje me ndikim relativisht afatshkurtër, kriza e çmimeve, që është theksuar sidomos pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, duket se bart më shumë pasiguri në parashikime dhe rreziqe më afatgjata.

About Redaksia2

Check Also

Partneri juaj ideal/ Grupi “SIGAL UNIQA”, lider i sigurimeve edhe për 6-mujorin e parë 2024

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) publikoi këtë të premte të dhënat e tregut të sigurimeve …

Leave a Reply