Nga nesër avokatët do të futen në grevë. Kreu i dhomës së avokatisë, Maks Haxhia deklaroi se avokatët do të bojkotojnë seancat gjyqësore për katër ditë, pasi kundërshtojnë hartën e re gjyqësore, që sipas tij është fyese për to. Për mediat, Haxhia deklaroi se nëse ka ndonjë avokat që bie në kundërshtim me grevën e tyre, do të merren masa deri në heqjen e liçencës.
‘Në këto kushte komiteti i dhomës avokatisë së Shqipërisë vlerësoi këtë situatë, konstatuam se nuk është bërë asnjë ndryshim. E ndjej veten të fyer se është në realitet se tryezat janë në farsë, u tha se është marrë mendimi i aktorëve të drejtësisë. Ne bojktojmë të gjitha proceset në të gjitha nivelet e gjykimit, që në Gjykatën e Lartë. Synojmë të sensibilizojmë të gjithë shtetasit, duhet ta kenë të qartë të gjithë se duhet ndërgjegjësim se interesat e tyre nuk po përfaqëson interesat e tyre, kjo hartë cënon aksesin e individëve dhe rrit kosot e shpenzimet. Nuk është marrë asnjë propozim i joni. Shpresojmë që kjo grevë të jetë një këmbanë për ministrinë e Drejtësisë. Të gjithë janë pajtuar me ne, nëse ka ndonjë që nuk është dakord do të ndiqet penalisht e do t’i hiqet liçensa.’- deklaroi Haxhia.
Po ashtu bojkot do të bëjnë edhe avokatët e Fierit. Kreu i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Hamataj në një deklaratë për mediat është shprehur se nga sot në të gjithë Shqipërinë janë 3000 avokatë që do bojkotojnë seancat gjyqësore si tentativa e fundit për t’i “ndryshuar mendjen” KLGJ-së për “Harta e re gjyqësore”.
Me hartën e re gjyqësore, reformën më të thellë të reduktimit të gjykatave e pësojnë gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm që mbyllen të gjitha dhe mblidhen të gjitha në një gjykatë apelit me seli në Tiranë. Shkrihen 4 gjykata Administrative dhe ngelen vetëm dy, një në Lushnje dhe një në Tiranë. Gjykata të Shkallës së Parë mbeten vetëm 13. Si pasojë e rishpërndarjes shkrihen gjykatat e Tropojës, Pukës, Matit, Kurbinit, Kavajës, Krujës, Lushnjes, Pogradecit, Përmetit. Përpara se të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave ky vendim i KLGJ, pritet ti kalohet KLP-së, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Financave.