Kreu i PD, Sali Berisha, doli në krah të Presidentit Ilir Meta lidhur me rikthimin e në Kuvend të ligjit për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe kërkesën drejtuar Kuvendit për një Komision Hetimor Parlamentar.
I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se është plotësisht dakord me Metën, ndërsa i bëri thirrje Fondit shqiptaro-amerikan që të ulet e ta diskutojë edhe njëherë çështjen e Butrintit, pasi sipas tij, me projektin e ri aty do të ndërtohen 620 vila për klientelën e Edi Ramës.
“Plotësisht dakord. Çështja e Butrintit është një çështje shumë e madhe, është një nga çështjet më të mëdha, sepse Edi Rama përpiqet të mbrohet me fondin shqiptaro-amerikan. Edhe në Parlament po thoshte e akuzove për korrupsioni. Jo, nuk akuzoj unë fondin, ndonëse nuk jam absolutisht dakord me faktin që fondi ka bërë vetë studimin, ka përfshirë në bord avokaten që ka bërë kontratën. Nuk jam dakord me bordin që ka ngritur, sepse ministrja e Kulturës, që vetëm me kulturën s’ka asgjë të përbashkët ajo zonjë, ka pranuar në kontratë që Ministria e Kulturës do jetë për dy vjet dhe pastaj do jetë zonja Margariti dhe jo ministria. Mund të ndodhë vetëm në Shqipëri një gjë e tillë.
Problemi më kryesor është se Butrinti, zona A1, A2, A3 e tij, në këtë rast parku më mahnitës, kjo i zbërthye për hir të këtij projekti, pra zona A1, dhe zona A2 e A3 ju lanë Edi Ramës dhe oligarkëve të tij. Atje do ndërtohen 620 vila për klientelën e Edi Ramës. Nuk ka shqiptar që mund të pranojë një projekt të tillë. Fondi ka bërë një gabim shumë të madh, nuk mund të pranonte shkatërrimin e tërësisë së Parkut Kombëtar se këtë po e bën qeveria shqiptare. Qeveria po i përdor ata. Ndaj i bëj thirrje fondit të mblidhet dhe ta shohë dhe njëherë në kompleks këtë problem që nuk mund të mbyllet, s’ka të mbyllur. Ajo është një pasuri përrallore e shqiptarëve”, tha Berisha.