Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish Bashkimin Europian, duke thënë se qëndron i qetë, teksa Bullgaria ka marrë peng dy vende të NATO-s.
Reagimi i tij vjen në prag të samitit të BE-së, kur vendit tonë me shumë gjasa nuk do i hapen negociatat sërish.
“Është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari! Sa turp për Evropën kjo çështja bullgare!
Në mesin e një lufte shumë të nxehtë në oborrin e pasmë të Europës, një vend i NATO-s, rrëmben dy vende të tjera të NATO-s nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qeta në një shfaqje të turpshme impotence!” shkruan Rama.
Kujtojmë se kryeministri shqiptar pati paralajmëruar bojkot të samitit të BE-së, por më pas ndërroi mendje.
Sulmon edhe gazetaren bullgare në Bruksel
Rama nuk u përmbajt në Bruksel, teksa u pyet nga mediat në lidhje me mundësinë e hapjes së negociatave.
Me një anglishte të çalë, Rama tha se Bullgaria si vend i NATO-s po merr peng dy vende të tjera të NATO-s.
Por kjo sjellje e turpshme vazhdoi më vonë, kur përpara tij u shfaq një gazetare bullgare.
Duke menduar se është në Shqipëri, Rama e lëshoi gjuhën edhe ndaj saj. Ai e nxori ndaj saj mllefin për Bullgarinë, duke thënë se është turp kjo që po ndodh.
“Oh, Bullgaria këtu. Jeni rrëmujë ju djema. Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp teksa mbani peng dy vende të tjera të NATO-s. Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje u ngrit optimizmi, por këtu jemi dhe është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari”, u shpreh ai.