Rama-liderëve të 27 vendeve të Europës: “Ballkan i Hapur”, ose luftë e gjakderdhje!

“Nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet, mbështesni Ballkanin e hapur”, kjo është thirrja që Edi Rama u ka bërë liderëve të 27 vendeve të Evropës gjatë fjalës së tij në samitin e BE-së me Ballkanin perendimor.

Kryeministri e ka zbardhur vetë të plotë fjalimin e gjatë që ka mbajtur në samit, ndonëse koha që i ishte akorduar për të folur ishte vetëm 3 minuta.

Dhe aty mund të gjendet lehtësisht avokatia që Rama i ka bërë nismës së tij dhe të presidentit serb Vuçiç e cila mban mbi vete dhe një kërcënim: shkatërrimin e gadishullit që gjithmonë është konsideruar si fuçi baroti.

Lexo me tej:

Edhe gjatë konferencës për shtyp, Rama përdori termat, luftë, konflikt, gjakderdhje nëse “Open Balkan” nuk çohej përpara.

Ai qe në sintoni të plotë me Vuçiçin i cili tha se ne nuk duam që rajoni ynë të përfundojë si Ukraina duke qenë në sintoni se e vetmja alternativë ndaj “Ballkanit të Hapur” është lufta.

“Sot, ju bëj thirrje të gjithëve për ta mbështetur pa asnjë mëdyshje Ballkanin e Hapur, nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet sërish përpara syve tuaj, ndërkohë që hëpërhë nuk mund të ofroni asgjë më të mirë sesa karuzeli i cirkut bullgar. Ballkani i Hapur është artikulimi më i pastër i ndjesisë sonë të përkatësisë në Europë. Është përpjekja më e gjithanshme për të krijuar një hapësirë paqeje, bashkëpunimi dhe sundimi të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve në një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj armiqve e konkurrentëve të pamëshirshëm të BE-së”, lexohet në fjalimin që kryeministri ka mbajtur në samit.

Ky presion bëhet në kuadër të një debati të brendëshm të BE, e cila nën trysninë gjermane, nuk e pranon nismën e Ramës dhe Vuçiçit dhe pranon të flasë vetëm për bashkëpunimin e gjashtë vendeve të rajonit (Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e Open Balkan) nën ombrellën e prosesit të Berlinit.

Fillimisht Edi Rama i bëri thirrje liderëve të BE-së që të mbështesnin idenë e Tiranës dhe Beogradit gjatë samitit që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë në tetorin e shkuar.

Aty ai mbajti një fjalim ku vihej re qartë një kërkesë pazar, meqë nuk na afroni me BE-në, na pranoni Ballkanin e hapur.

“Nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, BE mund të shkojë në Ballkanin Perëndimor” tha Rama në Bërdo duke arsyetuar:  “BE -ja mund të na ndihmojë duke mbështetur plotësisht nismën tonë për Ballkanin e Hapur, e cila është një përpjekje e bashkërenduar e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për të parandaluar që Procesi vizionar i Berlinit të bëhet një hije e tij dhe të kthehet në një turne vjetor të samiteve nëpër Evropë që përsëriten si ky samit përsërit atë të 18 viteve më parë, pa dhënë rezultate të prekshme”.

Por këtë herë, rreth gjysëm viti më pas doza e kërkesës është përforcuar duke kaluar nga lutja në kërcënim. në samitin e së enjtes që shkoi prapa frazave përgjëruese si:

“Më lini t’ju them se Ballkani i Hapur është angazhimi i ri dhe më konstruktivi që mund të gjendet sot në Europë në frymën e një Europe të bashkuar”, fshihej shantazh se nëse kjo nuk bëhet e mundur Ballakni mund të shkojë drejt gjakderdhjes./ Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Bumerangu “tiktok” do t’i kthehet Ramës me votë në zgjedhjet e 11 majit

Franc NURI Lajmi se aplikacioni « Tiktok » do të mbyllet për 1 vit nga …

Leave a Reply