Partia Demokratike mbështet të drejtën e maturantëve për protestë.
Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, në një deklaratë për mediat nga selia blu, u shpreh se qeveria ka krijuar kolaps me maturantët.
Ai kujtoi se maturantët vijnë nga dy vite pandemi, ndërsa u shpreh se testi i maturës është një tregues i paaftësisë së qeverisë.
Deklaratë e PD, anëtari i kryesisë, Grigels Muçollari:
Testi i Maturës është një tjetër tregues i paaftësisë së qeverisë.
Indinjata e tyre, është shenjë se të rinjtë janë gati t’i thonë mjaft kësaj paaftësie që u bëhet barrë.
Deputetët e Partisë Demokratike në një interpelancë me ministren e Arsimit, prej muajsh kanë kërkuar teste pilot për të parandaluar atë që po ndodh sot.
Në ngut e sipër, duke shpërfillur thelbin dhe lartësuar propagandën, Qeveria ka harruar se kjo maturë del nga 2 vite pandemi.
Një administratë që e bën punën dhe e ka nxënësin në qendër të programeve dhe shqetësimeve, duhet ta kishte marrë parasysh këtë.
Kjo pandjeshmëri ka çuar në këtë kolaps.
Partia Demokratike mbështet të drejtën e maturantëve për protestë, dhe u kërkon t’a mbajnë zërin lart, me forcën dhe idealizmin e moshës.
I bëjmë thirrje qeverisë të punojë për zgjidhjet, jo të fshihet e të justifikohet.
Nuk do të lejojmë që, edhe një brez tjetër i zhgënjyer, t’i bashkohet Armatës së Shpopullimit të Shqipërisë, që është shtuar në mënyrë dramatike gjatë qeverisjes së Rama dhe Company.
Shqipëria është në Rrezik.
U bëjmë thirrje maturantëve, studentëve, dhe të gjithë të rinjve, që t’i bashkohen protestës së Frontit të Shpëtimit Kombëtar më 7 korrik.